Me një vakt të ngrohtë dhe buzëqeshje para kamerave, nuk zgjidhen plagët sociale

0

 

Loading...

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Nuk ka diskutim se një nga arritjet më të mëdha e më të rëndësishme të Rilindjes ka qenë padyshim përsosja e propagandës dhe kthimi i tij në art më vete. Nuk ka filiz, letër, urë, rrugë, të mos kthehet në sytë e publikut në dru shumë ngjyrësh, libër, urë e hapur për lundrim, autostradë etj. Dhe deri këtu për mua sinqerisht nuk ka asgjë të keqe. Ka njerëz që nuk gënjehen dhe ka njerëz që kanë dëshirë të madhe të gënjehen. Por në këto ditë të ftohta, të shoqëruar edhe me një çoroditje totale të qeverisë dhe institucioneve të saj, prisja të paktën që këta të fundit të ulnin kokat e të mos bënin propagandë me mjerimin, varfërinë, lypjen me mizerjen e gatuar prej vetë tyre dhe që e kanë para syve përditë. Por kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte pse ndodhte. Të p[aktin në aspektin humanitar, varfëria, pamundësia, mungesa e strehimit, trajtohen me më shumë dinjitet, pa mëshirë dhe pa asnjë reklamim të ndonjë heroizmi të padëgjuar.

Si u bë mjerimi një kauzë shpëtimi për qeverinë dhe kopjet e saj të shëmtuar në pushtetin lokal?

“Për herë të parë” (si gjithmonë në këto 4 vjet) u morën masa që nuk ishin parë ndonjëherë, i mblodhën njerëzit e rrugës, të pastrehët ku ishin e ku nuk ishin, të varfrit, madje edhe një qytetar  ranë në rrjetën e këtij operacioni në shkallë të gjerë nga toka, ajri dhe deti. Nga raportimet shuma e këtyre njerëzve për të cilën u impenjua Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake nuk ishte më shumë se 200 vetë. Madje atyre do t’u jepej mundësia që po të ishte e nevojshme edhe zyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të ishte në dispozicion të tyre. Drejtoresha e strehimit që nuk e njihte njeri deri më tani, na doli më shumë se dy herë në ditë në ekran e plot lezet na shpjegoi se çfarë kishte bërë deri tani bashkia e Tiranës. Po kur u pyet se çdo të bëhet me këta njerëz pas mbarimit të emergjencës, kemi një përgjigje vërtetë të padëgjuar më parë: “Një pjesë e këtyre të pastrehëve – shprehet drejtoresha – janë nga rrethet dhe ne do t’u kërkojmë bashkive respektive të marrin masa për këta të pastrehë”. Pra njerëzit kanë ardhur nga rrethe të ndryshme, në Tiranë, pasi e dinin që Bashkia e Tiranës, do t’i sajdiste më mirë dhe sërish Bashkia e Tiranës, do t’i kthej në rrethet e tyre dhe do të urdhëroj bashkitë e tjera tu sigurojnë strehim. Zgjidhje më të mriz për besë që nuk gjen dhe nuk ke për të gjetur në asnjë vend.

Ushqim të ngrohtë, rroba të reja, dush jo se kanë ngrirë tubat dhe qejf nën shoqërinë e Veliajt. Po ashtu edhe qeveritarët e tjerë nuk kanë mbetura pas. Pa kapuç, krejt i shpenguar Ministri i Brendshëm gjendet “fare rastësisht” aty ku ndahen ndihma për njerëzit në nevojë, sipas kërkesave të qeverisë e jo të njerëzisë. Ministri i Transportit del rrugë më rrugë natën, për të thënë se rrugët janë të kalueshme, por mirë të mos udhëtohet për arsye sigurie, ndërsa Kryeministri është duke vëzhguar përmes hojeve të grilave, motin që e frymëzon për skicat e tij të famshme. Për të shmangur problemet shkollat janë mbyllur, spitalet punojnë me gjysmë kapacitet e njerëzve u bëhet thirrje t’ja dalin vetë. Me pak fjalë qeveria do të shtyj kohën me të ftohtit në janar-shkurt, e nga marsi kismet ku të çel gjethi, fillon e nxjerrim ndonjë marifet tjetër.

Po ministria përgjegjëse për çështjet sociale, ku është?

Ministri u shfaq pak kohë për të festuar në dëborë e më pas u zhduk nga ekranet. Ndoshta për t’i dhënë më shumë hapësirë paraardhësit të tij, ndoshta se nuk ka çfarë të thotë, ose më mirë të mos dali pasi njerëzit harrojnë shpejt. Nuk kemi asnjë raportim, për shkollat e arsimit profesional, situatën që ato kalojnë, a funksionon sistemi ngrohës në konvikte për nxënësit e arsimit profesional që nuk mundet të shkojnë dot në banesat e tyre? Këtë përgjigje nuk e marrim dot. Shërbimi Social, nuk ka raporton dot sa njerëz nuk mund të kalojnë dot muajin në këtë situatë, janë të pa furnizuar me mjete bazë të jetesës. Ashtu sikundër nuk dimë dhe nuk kemi asnjë mundësi të marrim vesh, se cilat janë planet e MMSR, për fëmijët e rrugës në këto ditë të ftohta e më tej. Me siguri që pas kalimit të kësaj situate do të na raportohet se në zyrat e punës u regjistruan më shumë të punësuar sesa janarin që shkoi, do të na thuhet se fasonët, industritë vendase, sipërmarrësit e huaj, kanë bërë kërkesë për punëtorë, por nuk kemi profesionistë. Do të dëgjojmë për panaire artizanale, për hapjen e kurseve të reja për mbathjen e kuajve dhe kapjen e breshkave të ujit, por jo për situatën e varfërisë, në këtë vend të lumtur.

A ka ky vend të mjerë, apo thjesht dembelë që duan të përfitojnë në këto ditë të ftohta?

Në këndvështrimin e kryeministrit ky vend ka më shumë dembelë, të përkëdhelur, pijanecë, e të paaftë sesa të varfër e mjeranë. Ai dhe qeveria e tij nuk është se kanë bërë mrekulli “por për herë të parë u kanë kthyer shpresën njerëzve”. Mjaftoi një mot me temperatura normale sipas specialistëve për një dimër, që të na dalin jo pak probleme. Njerëz të bllokuar, të pastrehë, të pamundur për të përballuar këtë dimër, tuba që ngrijnë, komunitete të tëra në qytete e zona rurale pa energji elektrike, pa ujë, mungesë medikamentesh, etj., a thua se ishte një dimër apokaliptik. Mirëpo mjeshtër të tejkalimit të situatës, prej zyrave luksoze e deri në terren, barra ju hodh përsëri popullatës. “Mirë është të dalin e të pastrojnë vetë”, “pse edhe trotuaret dhe rrugët e qytetit do pastroj qeveria”. Ndërkaq që lajmet e mira vinin nga terreni “Në Iballë u shpëtuan dy vetë”, “Deda i kohëve moderne u shpëtua nga shërbimet e  emergjencave”, “nuk kemi kripë për rrugët, po do bëjmë si do bëjmë etj”. Tek e fundit si çdo gjë që në katër vjet nuk është marrë seriozisht, nuk pse të ndryshoj sjellja edhe tani. Mbyllim shkollat dhe kopshtet, pezullojmë ca operacione, nxjerrim  të lyer të zhgërryer drejtoresha e lloj-lloj funksionarësh me xhelatin dhe e hedhin lumin paq. Në fund të fundit se bie borë, ka shi, ngrica, rrugë të bllokuar, njerëz në hall nuk është faji i qeverisë. Ajo nuk komandon kohën, por mendon seriozisht për veten sesa për të tjerët.

“Mjerimi nuk don mëshirë don drejtësi” shkruante Migjeni shumë dekada më parë. Nëse do të kishte jetuar tani, me siguri do të thoshte: “ Më mirë lëreni robin në mjerimin e vet sesa të talleni për vit me të leckosunit e pa ngi”.

Loading...

Lini nje pergjigje