Gruevski refuzon shqiptarët: S’negociojmë për gjuhën shqipe

0

VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Greuveskit ka refuzuar kërkesat e partive shqiptare në Maqedoni, për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.

Pas vendimeve të një ditë më parë të kryesisë së BDI-së se gjuha shqipe, Prokuroria Speciale dhe euro-integrimet janë çështje të panegociueshme për fillimin e bisedimeve, nga VMRO-DPMNE bëhet e ditur se nuk do të pranohet asnjë diskutim mbi këto çështje.

VMRO-DPMNE përsërit dhe verifikon se nuk do të pajtohet, nuk do të negociojë dhe nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës me qëllim të dygjuhësisë në të gjithë rritorin dhe vazhdim të mandatit të Prokurorisë Speciale. Arsyet janë thënë disa herë deri tani, kurse bazohen në angazhimin për shtet unitar, mbrojtjen e rendit kushtetues, angazhimet tona politike gjatë periudhës parazgjedhore, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si dhe marrëveshjen e qershorit – korrikut 2015“, deklaruan nga VMRO-DPMNE.

Në komunikatën e VMRO-së thuhet se Prokuroria Speciale nuk ka lidhje me drejtësinë por se është instrument i qendrave të huaja për degradimin e sovranitetit dhe pavarësisë së vendit.

“PSP nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë, ajo është instrument politik në duart e një qendre të caktuar dhe instrumenteve të tyre brenda shtetit për shantazhimin e çdo politikani i cili do të luftojë për interesant nacionale të popullit të Maqedonisë dhe interesave shtetërorë të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. PSP është sustë e cila do të shtypet sa herë që dikush do të guxojë të mos luaj ashtu si dikush nga jashtë i urdhëron. PSP është mjet me të cilën degradohet dhe mohohet sovraniteti dhe pavarësia e Maqedonisë” – thuhet më tej në reagimin e VMRO-së.

Nga BDI-ja thonë se kërkesat e tyre janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk cenojnë politikat e asnjërës prej partive politike në Maqedoni.

Zëdhënësi  i BDI-së Bujar Osmani tha se për partinë e tij, sundimi i shtetit ligjor duke filluar me zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe zbatimi i plotë i dygjuhësisë janë ligje për të cilat duhet të miratohen sa më parë.

Osmani tha se BDI nuk heq dorë edhe nga kushtet e tjera të evidentuara në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare dhe pesë pikat e platformës parazgjedhore të BDI-së të cilat sipas tij janë proces, dhe duhet të zbatohen me kalimin e kohës.

“Çështja e barazisë gjuhësore dhe çështja e sundimit të së drejtës nëpërmjet të punës së Prokurorisë Speciale me qëllim të të gjitha dyshimeve që dalin nga megaskandali i përgjimeve janë si parakushte kryesore për të filluar bisedimet për pikat tjera. Nuk mendoj se kjo cenon cilëndo parti politike në Maqedoni. Vendimmarrja konsenduale dhe barazia ekonomike janë procese të cilat duhet na bazë ditore të zgjidhen dhe nuk janë çështje që mund të rregullohen me një ligj” – deklaroi zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

Sipas Osmanit nuk do të hiqet dorë as nga zbardhja e rasteve të montuara gjyqësore që është një ndër pikat e Platformës së përbashkët shqiptare./AlsatM

Lini nje pergjigje