Tirana u gdhi e mbuluar nga bora mëngjesin e sotëm. Kur flokët e parë të borës, filluan të binin mbrëmjen e djeshme, gati si me shaka, shumë pak njerëz besuan se dëbora do shtronte. Si për të plotësuar dëshirat e mijëra qytetarëve të Tiranës, që prej vitesh nuk shikonin një bardhësi të tillë, dyqanet, rrugët dhe pemët e kryeqytetit u mbushën me borë. Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme, me një lumturi fëminore shumica e qytetarëve të Tiranës vërshuan në rrugë për të shfrytëzuar dhuratën e natyrës.  Që kur flokët e parë të dëborës ranë mbi kryeqytet kryebashkiaku Veliaj ishte i parë që ftoi qytetarët të gëzonin dëborën duke u dhënë të gjithëve këshillën prindërore ta shijonin borën më kujdes.

Loading...

Por mëngjesi nuk ishte aq  i bukur për banorët e Tiranës, të cilët e panë qytetin e tyre, të rrëmujshëm  si pas një festë. Mijëra këmbësorë që mëngjesin e sotëm nxituan drejt punëve e monotonisë, megjithëse duke treguar kujdes, kaluan trotuareve të Tiranës me frikën se mund të rrëzoheshin nga momenti në moment. Ndërkohë që qytetari i parë i Tiranës, poston në Facebook policët bashkiakë që shoqërojnë të moshuarit, shumë prej tyre, ecin në trotuaret e Tiranës të mbushur me borë, të pastruar pjesërisht nga shitësit e dyqaneve me lopata.  Trafiku  vazhdon të jetë i ngarkuar dhe borëpastrueset e kryebashkikut, duket se kanë pastruar vetëm dëborën e Facebook – ut. Nata e bardhë e janarit, magjike  deri në orën 12  të natës, po sjell një sërë pasojash nga pas dhe meqë bashkia  u gjet e papërgatitur  për një situatë të tillë, shumica e njerëzve sot duhet të dalin nga shtëpitë me zinxhirë dhe kripë me vete.  Shijojeni borën, por kujdes në timon! / standard.al

Loading...

Lini nje pergjigje