Rrëfimi ndryshe i Blushit: Hoqa dorë nga gazetaria. Ç’më tha Moza para se të vija

0

Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s Ben Blushi ka folur sot për jetën e tij personale, atë politike dhe letërsinë e tij. Në një rrëfim në “Këndin e ekselencës” në emisionin e mëngjesit Vila24 në News24, Blushi ka treguar edhe arsyet e ‘ndarjes’ së tij me gazetarinë në vitin 1997. Ai ka folur për librat e tij dhe si ndikon letërsia e tij në jetën e tij si politikan.

blushi vila

Ai ka treguar edhe se cfare keshille i kishte dhene para intervistes Mimoza Hafizi (mund ta ndiqni ne videon me poshte)

Zoti Blushi jeni në qendër të vëmendjes si shkrimtar, si politikan, jeni një personazh në dyzim mes politikanit dhe shkrimtarit të suksesshëm. Si e gjeni ekuilibrin mes dy profesioneve dhe sa e ndihmojnë njera-tjetrën?

Kjo është një pyetje që ma bëjnë shumë se si unë gjej një ekuilibër mes politikanit dhe shkrimtarit. Shkrimtari është ambicioz kurse politikani është rebel. Politikani e dëmton letërsinë kurse shkrimtari e bën më të mirë politikën. Këtë zgjidhje kam zgjedhur. Në dëm të letërsisë sime. Më parë kishte demokratë që nuk më lexonin, tani ka edhe demokratë dhe socialistë që nuk më lexojnë, pra janë shtuar.

Si ka ndikuar të qenit djali dhe nipi i një shkrimtari në jetën tuaj?
Fakti që bëj këtë që bëj është edhe për këtë arsye. Jo vetëm në rastin tim, fëmijët ndjekin zanatet e prindërve. Kam përshtypjen po të kisha lindur në një familje që merret me ekonomi do isha bërë biznesmen, apo me sport. Absolutisht që ka ndikuar. Kur isha 2-3 vjeç shikoja babain dhe gjyshin tim duke shkruar.

Është babai lexuesi i parë i librave tuaj?
Jo.

Ose gruaja?
Në disa raste po. Është shumë pak e dobishme. Edhe miqve të mi iu them mos mi jepni sepse do ua ndryshoj tërësisht. Kur shkruaj nuk ja tregoj askujt sepse më duket sikur do më ikë frymëzimi.

Kë nga 5 librat pëlqeni më shumë?
Më pëlqen më shumë libri që nuk kam shkruar akoma. Që nga viti 2005 kam botuar 7 libra.

Kanë elementë biografikë librat e tu?
Nuk e them dot. Unë jam në një moshë të ndërmjetme dhe më duket edhe vetja i ri dhe sikur nuk jam shumë i ri. Në këtë kuptim ka ardhur koha të shkruaj për veten time. Mund të gjesh gjëra të përafërta por nuk jam unë tek asnjëri nga personazhet.

Ju shkruani për të ardhmen, pse?
Nuk është e vërtetë. Në vitin 2008 kam shkruar “Të jetosh në ishull” tregonte se si shqiptarët u konvertuan në myslimanë. Më pas “Otello, Arapi i Vlorës” sërish historik. Pas tij “Shqipëria” që bënte fjalë sërish për mesjetën. Pasi shkrova 3 romanet e para thashë e kam unë aftësinë të shkruaja për të ardhmen? Njëherë kur më kanë pyetur kam thënë se kam frikë se nuk kam aftësinë të përshkruaj shqiptarin e ditëve tona. Ndaj vendosa të shkruaj për të tashmen dhe të ardhmen. Vitin e kaluar shkrova “Kandidati” shumë skenik. Libri i fundit “KM” është projektuar në të ardhmen. Shkrimtari gjithë kohën eksperimenton. Në radhë të parë me veten.

Çfarë natyre jeni përtej librave?
Kam arsye të jem pesimist për Shqipërinë. “Hëna e Shqipërisë” nuk është roman, është një libër që projekton Shqipërinë në 20-30 vitet e ardhshme. Jam marrë shumë me çështjen e popullsisë. Shqipëria është një vend që po tkurret.

Çfarë ju bëri të linit gazetarinë dhe të kalonit tek politika?
Në vitet ‘90-‘91 shkruaja si amator. Pastaj nga viti 92-97 shkruaja në shtypin e kohës. Në vitin 97 Shqipëria pati përmbysje ekzemplare. Përmbysja ishte me forcë, çka ishte legjitime. Por kjo solli një ndryshim radikal në Shqipëri, një nga këto ndryshime më ndodhi dhe mua. U futa në politikë, lashë pasionin tim. Fillova të bëj një eksperiment me veten, u futa në administratë dhe më pas në politikë. Vendi ku isha në punë u dogj. Gazeta Koha Jonë u dogj dhe ne ngelëm të gjithë pa punë.

Kush gabon më shumë media apo politika?
Sigurisht politika gabon më shumë dhe populli është i prirur të shohë gabimet e politikës përmes medias.

Kur flasim për rastin tonë, ne jemi në një stad prepolitik. Kemi një traditë të shkurtër dhe të kufizuar në politikë dhe në shtypin e lirë. Gabimet e medias i shtohen gabimeve të politikës dhe kjo është arsyeja që krijohet ky perceptim tek publiku.

A mendon Blushi të ketë një revolucion demokratik në 2017-ën?
Unë jam përpjekur që Shqipëria të ndryshojë me mjete politike. Nuk duhet ta çojmë konfliktin tonë deri në revolucion.

A mund të ketë një revolucion në Shqipëri?
Mund të ketë shumë të rinj që të përpiqen ta ndryshojnë me mjete të tjera politikën.

Mendoni se do ketë zgjedhje të lira?
Shpresoj por nuk kam besim. Pas zgjedhjeve pesimizmi në Shqipëri nuk ka gjasa të zbehet, do shtohet. Sido që të dalin zgjedhjet. Pesimizmi nuk ka gjasa të zbehet.

Lini nje pergjigje