Shpërblim për 1800 punonjësit e OSHE që punuan në të ftohtë

0
152

Të gjithë punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të cilët kanë punuar në kushte ekstreme për të garantuar furnizimin me energji elektrike në ditët kur Shqipëria është prekur nga i ftohti siberian, do të marrin një shpërblim.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte në Kukës së bashku me administratorin e OSHEE-së Ardian Çela, nga ku bënë të ditur këtë lajm të mirë.

Kukësi është një ndër rajonet më të prekur nga temperaturat e ulëta dhe po ashtu edhe nga defektet në linjat e tensionit të lartë. Rreth 1800 punonjës së OSHEE të cilët ishin në gjendje gatishmërie ndërhynë në situata të vështira për t’i garantuar shërbimin e energjisë elektrike qytetarëve, veçanërisht atyre që ishin izoluar nga dëbora. Veç shpërblimit, ministri tha se me reformën në sektorin energjetik, punonjësit e OSHEE kanë rritje të pagës bazë.

“OSHEE me punonjësit e saj reagoi në mënyrën e duhur duke vepruar në një situatë të jashtëzakonshme. Kudo ku ka mote të acarta, furtuna apo situata të paparashikuara patjetër që ka probleme. OSHEE do të japë shpërblim ekstra për të gjithë punonjësit, të gjithë njerëzit që kanë qenë në gatishmëri. Janë 1800 punonjës që do të marrin shpërblim shtesë për shkak të vështirësive që kaluan. Sollën energji në shtëpitë e shqiptarëve në kushte të vështira”, tha ministri Gjiknuri.

Ndërsa administratori i OSHEE-së, Ardian Çela veçoi edhe sigurimin e jetës së punonjësve të OSHEE-së që ka garantuar reformë, si dhe pajisjen me uniforma të reja. Ai shtoi se punonjësit e OSHEE-së në Shqipëri, ndryshe nga kompanitë simotra në Evropë, punojnë në kushte të vështira.

Operatorët u gjendën në terren edhe natën e ndërrimit të viteve si dhe në javën e parë të vitit të ri 2017. Shumë prej tyre janë ende në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në zonat që kanë probleme si pasojë e defekteve që shkakton moti i keq.

Kujtojmë që në Vermosh temperaturat kanë shkuar në – 27 gradë Celcius.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here