Pikante / Lali Eri ndryshon kurs: Me Obamën mbaruam punë, sytë nga vëllai i madh Erdogan

2

 

Loading...

 

“Koha e artë e kopjimit të Barack Obamës po mbaron, por “Lali Eri” ka një mundësi për të vazhduar zakonin e tij, kryebashkiaku nga Turqia e afërt synimi i radhës”

 

Pas 12 ditësh në Amerikë do të ndonjë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Barack Obama do të dorëzojë detyrën e tij për t’ia lënë pasardhësit Donald Trump. Kjo ngjarje në Amerikë do jetë rituale, por në Shqipëri pritet të sjellë shumë debate. Ikja e Obamës nga Shtëpia e Bardhë dhe ndoshta largimi edhe nga politika, do të pritet me hidhërim të madh nga dikush në Shqipëri. Ai është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Shumë nga lexuesit do të thonë nuk do të jetë i vetmi pasi ka pasur edhe fansa të tjerë në Shqipëri përveç Erion Veliajt. Jam shumë dakord me mendimin tuaj , por për “Lali Erin” do të jetë një dramë e madhe.

 

Kopjimi për më shumë se 1 vitë

 

Ishim mësuar që në vitin e parë të drejtimit të Tiranës  nga Erion Veliaj, të shihnim foto të realizuar bukur dhe ide gjeniale për të marrë mbështetjen e publikut. Shumë nga qytetarët e thjeshtë e përgëzonin të parin e qytetit të tyre, pasi mendonin se këto ide vinin nga stafi i tij.  Por të gjithë kanë gabuar: idetë uplodo-heshin nga stafi i Obamës. Nuk është tamam vjedhje por një kopjim identik i Barack Obamës. Ju kujtohen fotot e “Lali Erit” me Spiderman-in të stampuar në bluzë, fotot me pleqtë e qytetit dhe shumë të tjera. Janë të gjitha të kopjuara nga Barack Obama (Ndoshta mund të jenë edhe idetë e tij, por dikush tjetër i  kishte bërë këto gjëra përpara tij).

 

Që në fushatën e elektorale, Veliaj dallohej nga kandidatët e tjerë ( edhe pse Gjergj Bojaxhi i u mundua që të kishte disa pika të përbashkëta me të). Veshja e tij ishte e ndryshme nga veshjet e të tjerëve, pasi nuk kishte xhaketë dhe rroba që tregonin largësi nga populli i thjeshtë.  Ai gjithmonë e shihte veten një me popullin, dhe mundohej që të tregonte vlera të një politikani të ri, për tu distancuar nga të tjerët. Deri këtu është shumë mirë, por të njëjtën gjë e kishte bërë Obama në fushatën e tij para disa vitesh. Në këtë rast nuk mund ta quajmë kopje, por një rastësi ( siç është edhe shprehja: “Rastësia mbreti i botës”).

 

Obama si yll polar

 

Fushata elektorale nuk do të ishte koha e vetme që Erion Veliaj do të kishte shumë rastësi me Barack Obamën. Marrja e detyrës si kryebashkiak nuk i ndërroi aspak bindjet i tij për “muzën” Obama. Ndjekja e hapave të presidentit të 44 rezultuan të suksesshme dhe “Lali” veproi njësoj si në fushatë. Ka një vitë e pak muaj që ai është në krye të Tiranës, dhe Obama duket gjithmonë nga dritarja e tij. Ylli i tij polar nuk venitet kurrë, por përkundrazi shkëlqimi i tij është rritur më shumë. Pas shumë e shumë rastësive Veliaj pati disa rastësi të tjera vetëm në ditët e fundit.

 

Nata e ndërrimit të viteve, Erion Veliajn nuk e gjeti në shtëpi siç jemi mësuar të shohim gjithmonë zyrtarët tanë. Këtë herë gjeniu ishte në punë e sipër dhe darkën e kaloi me zjarrfikësit dhe në shesh me popullin. Më pas shpërndau një foto, duke vëzhguar fishekzjarrët, por për dreq  dikush e kishte bërë këtë gjë para tij. Gjithmonë ai plan prishësi, Obama kishte postuar një foto me bashkëshorten e tij duke vëzhguar spektaklin e fishek zjarreve. As kjo nuk është një kopje, por thjesht një rastësi.

 

Acari që pushtoi Shqipërinë e gjeti shpëtimtarin përsëri në terren. Në këtë rast pati dy rastësi: E para ishte me kryeministrin Edi Rama, pasi që të dy mblodhën shtabin e emergjencave, por në kohë pak të ndryshme. Në këtë rast nuk quhet as kopje, as rastësi por “përkushtim” për popullin. Ndërsa rastësia e dytë ishte përsëri me Obamën. Presidenti në një nga ditët e tij kishte preferuar që tu shërbente të varfërve dhe të drekonte me ta. Por të njëjtën ide e kishte edhe Erion Veliaj i cili u shërbeu të varfërve në këto ditë të ftohta dhe drekoi me ta.

 

Mbarimi i epokës së artë dhe sytë nga Turqia

 

Epokës Obama po i vjen fundi, dhe tani duhet menduar një yll polar tjetër, një “muzë” tjetër, një udhëheqës shpirtëror tjetër. Cili do të jetë ai vallë? Pasardhësi i Obamës (mos e thëntë zoti që të jetë president- tha Rama.) do të jetë përsëri një perëndimor, apo dikush nga lindja?

 

Të gjithë ju që jeni të shqetësuar se kryetari Veliaj ka mbetur pa një udhëheqës, qetësohuni. Që këtë herë të mos mundohet ja kemi gjetur ne (shpresojmë që të kemi qenë të zotët ne zgjedhjen tonë). Nuk është nga Amerika dhe as perëndimor. Këtë herë “muza” vjen nga Turqia e afërt nga vendi i vëllait të madh Erdogan. Do të thoni ju pse kjo zgjedhje?  Para disa ditësh një kryebashkiak në Turqi kishte bërë një gjest për tu marrë shembull. Në qytetin që ai drejtonte nuk kishte rënë për shumë e shumë vite borë (siç është Tirana, një ndër qytetet që nuk ra borë në Shqipëri). Kryebashkiaku i vëllait Erdogan, për të kënaqur fëmijët e qytetit (dobësia e “Lalit”), solli borë me kamiona nga mali. Të gjithë fëmijët u gëzuan shumë dhe falënderuan kryetarin e tyre.

 

Këtë gjë propozojmë që të bëj edhe Erion Veliaj për fëmijët e Tiranës (pasi i ka dhe pikë të dobët dhe në çdo kohë përpiqet për të mirën e tyre). Duke qenë së para disa ditësh bëri thirrje për të mos  zhvilluar ekskursione në Dajt, për kënaqësinë e fëmijëve ai tani duhet të sjell Dajtin në Tiranë. Në këtë rast ka dy nga shokët e tij kundër: Ilir Beqen dhe Edi Ramën ( që urdhëruan fëmijët të mos shkojnë në shkolla, pasi është “epidemi”). Edi Rama për vëllain e madh Erdogan mund të bëj një tolerancë për shokun e tij “Lali Eri” dhe të lejoj atë që të kënaq fëmijët e qytetit.

 

Ndoshta nuk është ideja më e mirë që vjen nga Turqia, por nëse je kërkues mund të gjesh të mirën edhe se kjo. Së pari duhet përshëndetur gjesti i këtij kryebashkiaku, por edhe sepse bëri diçka që askush nuk e kishte bërë më parë. Shpresojmë që këto këshilla Erion Veliaj ti marri parasysh, pasi përsëri do të quhet një rastësi dhe jo kopjim. Obama po largohet dhe nuk ka më material për të pasur rastësi. Prandaj “ lali”, ktheji sytë nga vëllai i madh Erdogan, që të mos lodhet stafi me të gjetur ide të tjera rastësore.

Loading...

2 Komente

Lini nje pergjigje