Endrat erotike dhe spjegimet e astrologëve

0
815

Përballë një shkence që po ia del të zbulojë bazat biologjike të emocioneve dhe proceseve që vënë në veprim mendjen njerëzore, ëndrrat mbeten tabuja e fundit.

Duket se janë të destinuara të mbeten nën hijen e misterit, në mos vendosim vetë ne t’i zbulojmë. Ka të ngjarë që për këtë arsye, studimet mbi përmbajtjen e ëndrrave janë mjaft të rrallë.

Ndoshta, falë kësaj, lajmi që Antonio Zadra i Universitetit të Montrealit,
një psikolog kanadez me origjinë italiane, ka arritur të “radiografojë”
ëndrrat erotike të kavieve të tij, ka bërë efektin e një bombe në gjithë komunitetin shkencor.

Studimi nxjerr në pah se rreth 8% e ëndrrave tona janë të natyrës seksuale.
“Ajo që del në pah nga 3 mijë e 5 qind ëndrrat e analizuara është se gjatë periudhave 2 apo 4 javore, më shumë se 40% e të intervistuarve kanë ëndërruar të paktën një ëndërr të natyrës erotike”, sqaron Zadra.

Një e dhënë në dukje pa ndonjë vlerë të veçantë, përveç faktit që mes të njohurit “Raporti Kinsei” dhe një studimi të kryer në vitin 1966 nga Kelvin Hill dhe Robert Van Den Kastëll, bëhet fjalë për të vetmet informacione publike që kanë të bëjnë me ëndrrat erotike.

Njëherësh, heqin çdo lloj hije edhe mbi ndonjë paragjykim apo dyshim mbi seksualitetin femëror: të dhënat e mbledhura nga Zadra tregojnë se zonjat ëndërrojnë për seksin pak a shumë sa meshkujt, edhe pse në modalitete të ndryshme.

E, mbi të gjitha, nuk kanë turp apo drojë ta pranojnë këtë. “Një e dhënë e rëndësishme e këtij studimi është ajo që tregon se gratë duket se kanë arritur një shkallë të lartë shpengimi lidhur me seksin, flasin më lirshëm për seksin dhe ndoshta e përjetojnë edhe më lirshëm se meshkujt seksualitetin”,
shpjegon psikanalistja Françeska Molfino.

Por çfarë e përcakton përmbajtjen e ëndrrave tona dhe ç’lidhje ka me ndërgjegjen tonë? “Shkenca i ka studiuar shumë pak përmbajtjen e ëndrrave, duke parapëlqyer ta përqendrojë vëmendjen tek aspektet fiziologjikë”, shpjegon Zadra.

E megjithatë, shkencëtarët dhe filozofët gjithnjë u kanë kushtuar interes ëndrrave erotike.

“Në Romën e lashtë njerëzit këshilloheshin të flinin në një krah, për t’i mbajtur ëndrrat larg, ose të bënin seks në errësirë për të mos memorizuar imazhe erotike”, shpjegon antropologu Çarls Stjuart i “College University” të Londrës.

Termi makth (incubo) simbolizonte demonin që u kallte datën, sidomos grave gjatë ëndrrave, shpesh të karakterit seksual.

“Në mesjetë, ëndrrat erotike konsideroheshin fryt i aktivitetit djallëzor, të cilat urdhrat fetare kërkonin t’i zbonin me çdo kusht. Shumë nga viktimat e gjuetive të shtrigave janë dënuar në bazë të ëndrrave, gjatë të cilave ëndërronin se qenë çiftëzuar me djallin”, vazhdon Stjuart.”Vetëm me kalimin e shekujve dhe me ardhjen e kohëve moderne, njerëzit nisën të mendonin se ëndrra ishte fryt i psikikës sonë”.

Dhe debati, as që mund të quhet i shteruar. “Ëndrrat fshehin përmbajtje të larta simbolike, t’i interpretosh fjalë për fjalë, ose t’i përziesh me fantazitë mund të sjellë keqkuptime të rënda”, shpjegon Molfino.

“Është e vërtetë që teksa ëndërrojmë, reflektojmë përmbajtjen e mendjes sonë. Edhe pse këtë e bëjmë me një nivel tepër të ulët ndërgjegjeje e vetëmbrojtjeje, nuk jemi kurrsesi në gjendje të ëndërrojmë diçka që nuk ka të bëjë me ne”.

“Kur flenë, frenat tona ndaluese psikologjike dobësohen, por ëndrrat megjithatë i hedhin rrënjët në kulturën ku bëjmë pjesë, galopojmë më lirshëm, por mbi shalën e të njëjtit kalë mbi të cilin galopojmë kur jemi zgjuar e të ndërgjegjshëm”, konfirmon Emanuele Xhanini, një ndër zërat më të rëndësishëm në fushën e psikologjisë në Itali.

“Frojdi i shfrytëzoi ëndrrat sipas kulturës shkencore të kohës së vet. Më pas
psikanaliza u largua nga metodika shkencore, ndërsa të gjithë ata që studiojnë aktivitetin seksual njerëzor kanë prirjen ta injorojnë përmbajtjen e ëndrrave”.

Kjo, edhe për shkak të vështirësisë që haset në përpjekjet për të përkthyer në terma objektive këto eksperienca, të cilat janë të pranishme te të gjithë, pavarësisht se ka njerëz që nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë.

“Mesatarisht kujtojmë 2 ëndrra në javë, ndërkohë që ëndërrojmë 3 deri 6 herë në natë”, shpjegon Zadra.

“Ëndërrojnë thuajse të gjithë, sidomos në fazën REM të gjumit: 80% e njerëzve që zgjohen në këtë fazë i mbajnë mend ëndrrat.

Dhe çdo natë numërohen nga tre në gjashtë faza REM me kohëzgjatje 30-40 minuta secila”. “Jo gjithnjë është e lehtë të kujtohen ëndrrat, sidomos kur bëhet fjalë për mendime apo imazhe të veçuara dhe jo histori të strukturuara”, shpjegon Karla Çikonja, profesoreshë në Universitetin e Bolonjës.

Në fakt ëndrrat më lehtësisht të shpjegueshme duhet të jenë ato me përmbajtje të fortë motivesh, siç janë ëndrrat erotike.

Por, që në laboratorë shfaqen shumë rrallë, për të mos thënë kurrë. “Në fakt, ëndrrat e bëra në laboratorë kujtohen më shumë, pasi kaviet zgjohen dhe mund të përfitojnë nga kujtesa afatshkurtër”, vazhdon Çikonja.

Problemi në studimin e ëndrrave është se ekziston një defekt empirik bazë: “Nuk ekziston kurrfarë aksesi i drejtpërdrejtë në të tilla përvoja, mund të kemi në dorë vetëm kujtimet e tyre dhe për më tepër në një gjendje tjetër fiziologjike, siç është gjendja jonë pas zgjimit”, saktëson psikologia.

Pikërisht, mbi përmbajtjen e ëndrrave debati bëhet më i ndezur. “Ëndrrat janë vendi i intimitetit dhe konformizmit”, shpjegon Molfino.”Fshehin domethënie pë r të cilat nuk jemi të ndërgjegjshëm, të lidhura fort pas historisë personale dhe kontekstit shoqëror”.

Në fakt, interpretimi i ëndrrave i paraprin me mijëvjeçarë psikanalizës: “Artemidi thoshte se për një politikan, të ëndërronte se bënte dashuri me nënën e vet, ishte ogur i mirë, pasi ajo përfaqësonte vendin dhe dominimi i saj seksual parathoshte fitoret politike”, shpjegon Stjuart.

Shpjegime të tjera kanë bazë psikologjike: “Për Frojdin, ëndrrat erotike, të cilat në atë kohë ishin më ekstreme, pasi reflektonin frustrimet e epokës viktoriane, shërbenin për të shkarkuar energjinë e paçliruar të grumbulluar gjatë ditës, por ekzistojnë shpjegime më bindëse të bëra më vonë”, shpjegon Xhanini.

Këto ëndrra shërbenin për të garantuar ereksione e lubrifikime gjatë natës, për të dërguar gjakun në organet tona gjenitale, për të siguruar furnizimin e tyre me oksigjen. “Kërkimet fiziologjike, të njëjtat që përdoren në diagnozën e impotencës, tregojnë se meshkujt çdo natë u nënshtrohen 5 ereksioneve të plota, ndërkohë që diçka e ngjashme ndodh edhe me femrat, edhe pse diagnostikimi është më kompleks, pasi duhet futur në vagjinë një fotoplestimograf, aparat që mat eksitimin e pareteve vagjinale”.

E megjithatë, ky shpjegim e lë të hapur debatin mbi përmbajtjen e ëndrrave, gjatë të cilit, siç konfirmon studimi kanadez, dallimet mes gjinive dalin edhe një herë në pah. “E rëndësishme është të shmanget prirja për të shpjeguar ëndrrat fjalë për fjalë”, shpjegon Molfino.

“Për një grua, për shembull, ëndrra që shihet rëndom, ajo e marrjes së iniciativës për të kryer raporte seksuale, mund të ketë domethënie që shkojnë shumë më larg se seksi”. Në të njëjtën mënyrë si ëndërrimi i një raporti homoseksual mund të shprehë nevojën për të shprehur një pjesë tonën që e identifikojmë te seksi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here