Zhvlerësohët leku ndaj të gjitha valutave

0

 

Monedha vendase e ka nisur me humbje këtë vit, duke humbur pikë kundrejt të gjitha valutave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 135.47 lekë, duke u rritur me 0.24 lekë ndaj fundit të vitit të kaluar. Më i fortë zhvlerësimi ka qenë ndaj dollarit, ku monedha e gjelbër u këmbye me 129.75 lekë, me rritje prej 1.58 lekë në raport me ditën e fundit të vitit të kaluar. Edhe ndaj paundit britanik e frangës zvicerane leku ka humbur pikë, me përkatësisht 1.45 dhe 0.39 lekë.

Monedha evropiane e mbylli vitin 2016 në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a. Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lek ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve. Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i mëparshëm, kur arriti në 132 lekë.

Lini nje pergjigje