Rama shkarkon zv/ministren e Mjedisit, firmos divorcin me Vangjel Dulen

0

Zv/ministrja e Mjedisit, Oltjana Ifti është shkarkuar nga detyra. Lajmi është konfirmuar prej saj në një prononcim për “BalkanWeb”. Ifti ka pohuar se vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë me propozim të kryeministrit, Edi Rama dhe se zyrtarisht i është komunikuar pak minuta pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. E pyetur për motivacionin e shkarkimit, Ifti nuk ka preferuar të japë sqarime.

Loading...

Por “BalkanWeb” mëson se arsyeja e këtij vendimi lidhet me fundin e bashkëqeverisjes mes PS-së dhe PBDNJ-së, të Vangjel Dules. Kësisoj bashkë me firmën për shkarkimin e zv/ministres së PBDNJ-së, Rama ka firmosur edhe divorcin politik me Dulen.
Marrëdhëniet e tyre u tensionuan veçanërisht pas debatit në Kuvend për prishjen e disa ndërtimeve në Himarë, por firma e Dules në mesin e 7 deputetëve që i kërkuan llogari kryeministrit Edi Rama për mungesën e një date konkrete për hapjen e negociatave me BE dhe replikat e ashpra me të në seancën e kaluar, duket se e kanë shtyrë kryeministrin e vendit të kërkojë divorcin përfundimtar me PBDNJ-në.

Gjithashtu mësohet se bashkë me shkarkimin e zëvëndësministres së Mjedisit, Oljana Ifti, kryeministri Rama ka propozuar edhe shkarkimin e anëtarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, nga radhët e PBDNJ-së, Spiro Kuro.

Shkarkimet e tyre vijnë në kuadër të kërkesës së kryeministrit për shkarkimin e gjithë anëtarëve dhe zyrtarëve të PBDNJ-së, në administratën shtetërore, megjithëse ky përfaqësim ishte pothuajse i papërfillshëm.

Ndonëse një nga aleatët më të gjatë, në kohën që Rama ishte në opozitë, aleanca me Dulen pësoi thyerje sapo Rama mori pushtetin. Kujtojmë se në 3 vite Dule nuk i ka kursyer kritikat e tij për keqeverisjen, kritika të cilat kulmuan me interpelancën e javës së kaluar.

Loading...

Lini nje pergjigje