Veliaj rrit taksën e pastrimit, pagesat për parkime dhe taksën e ndikimit, ja sa parashikohet zhvatja e kryeqytetasve

2
366

Kryebashkiaku që “ka rënduar dorën” mbi banorët e varfëruar rrit dyfish taksat e pastrimit, 8 herë pagesat për parkime dhe … 18 herë taksën e ndikimit mbi infrastruktur

Ervin Kaduku

Pas buzëqeshjes prej “showman”-i të lindur të kryebashkiakut të Tiranës dhe paraqitjes së tij të shpeshtë me lopatë në dorë duke mbjellë pemë e të tjera si këto, fshihet një makutëri e pashoqe që ka rezultuar edhe deri tani në një rritje të ndjeshme të pagesave nga qytetarët për bashkinë. Pas shifrave të bilanceve të këtij viti dhe parashikimeve për vitin e ardhshëm në këtë drejtim, është shumë e vështirë të ketë ende ndonjë që të mendojë se bashkia ka një performancë të mirë në punën e saj. Në të kundërt, ajo po punon pasi po vjel në mënyrë të pamëshirshme qytetarët e këtij komuniteti. Pa harruar edhe mundësinë që një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave të përfundojnë në xhepin e kryebashkiakut Veliaj.

Të dhënat kryesorë për financat e bashkisë tregojnë se, që kur ka ardhur ky kryebashkiak, psh, taksat për parkimin e automjeteve kanë kërcyer tetë herë, u vu një taksë inekzistente dhe e padëgjuar për shkollat, u dyfishua tarifa e pastrimit për biznest, ndërkohë që rekordin negativ e mban taksa e ndikimit mbi infrastrukturën, e cila rezulton të jetë 18-fishuar.

Ja sa parashikohet të jenë taksat për vitin e ardhshëm.

Bashkia e Tiranës ka hartuar projektbuxhetin e vitit 2017, që pritet të miratohet në mbledhjen e datës 29 dhjetor. Të ardhurat totale pritet të jenë rreth 100 milionë euro, apo 14.2 miliardë lekë (përfshirë 650 milionë lekë të mbetura nga 2016), me një rritje prej 2% në krahasim me planin e pritshëm 2016.

Tatimi mbi biznesin e vogël do të jetë zero për bizneset me qarkullim deri në 5 milionë lekë dhe 5% e fitimit të tatueshëm për bizneset nga 5-8 milionë lekë. Nga ky tatim pritet të arkëtohen 231 milionë lekë në 2017-n.

Taksa mbi pasuritë e paluajtshme mbetet në të njëjtin nivel si më parë. Do të aplikohet ulja me 30% për njësitë administrative Bërzhitë, Baldushk, Vaqarr, Petrelë, Krrabë, Ndroq, Shëngjergj, Zall Herr dhe Zall Bastar. Edhe për ndërtesat në tregti taksa nuk ndryshon dhe për 10 komunat e sipërpërmendura është 30% më e ulët se në pjesën tjetër të Tiranës.

Taksa mbi truallin do të jetë në të njëjtin nivel, ku individët do të paguajnë 0.45 lek/m2 në vit ndërsa bizneset vetëm 20 lekë/m2 në vit.

Taksa e fjetjes në hotel do të jetë 350 lekë/nata për hotelet me 4-5 yje, ndërsa për bujtinat, motelet etj. Do të jenë vetëm 140 lekë për çdo natë. Nga kjo taksë pritet të arkëtohen 150 milionë lekë në 2017-n. Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të vazhdojë të llogaritet në kufijtë 4% deri në 8% të çmimit të shitjes.

Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme do të vazhdojë të jetë 1.100 lekë/m2 për ndërtesat e banimit, 2.200 lekë/m2 për ndërtesat për tregti dhe shërbime dhe 1.550 lekë/m2 për ndërtesat e tjera. Ndërkohë, do të vazhdojë të aplikohet ulja me 30% për njësitë administrative Bërzhitë, Baldushk, Vaqarr, Pezë, Petrelë, Krrabë, Ndroq, Shëngjergj, Zall Herr dhe Zall Bastar. Taksa e tabelës për tabelat identifikuese deri në 2 m2 do të mbetet zero. Për tabelat mbi 2 m2, pra për tabelat reklamuese kjo taksë do të mbetet në nivelin e mëparshëm prej 45.000 lekë/në vit. Nga kjo taksë pritet të arkëtohen rreth 501 milionë lekë në 2017-n. Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore gjithashtu do të mbetet në të njëjtat nivele. Ajo do t’u kushtojë familjeve 1800 lekë në vit ose 150 lekë në muaj. Pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike apo shtresat e tjera në nevojë do të përjashtohen nga kjo taksë. Për biznesin kjo taksë do të variojë në bazë të në bazë të të ardhurave, nga 4000 lekë në vit për biznesin e vogël deri në 37000 lekë në vit për biznesin e madh dhe atë VIP.

Taksa mbi pasurinë

Për vitin 2017 pritet të paguhen nga bizneset dhe familjet 1.8 miliardë lekë (rreth 13 mln euro), nga e cila 1.6 miliardë lekë do paguhen nga subjektet tregtare (rreth 38 mijë njësi për 5.4 milionë m2). Nga taksa mbi tokën bujqësore pritet të arkëtohen 25 milionë lekë dhe nga taksa mbi truallin 45 milionë lekë.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë

Taksa e ndikimit në infrastrukturë në kryeqytet u rrit në 2016-n nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes. Si rrjedhojë, në vitin 2016, të ardhurat nga kjo taksë u rritën me 18 herë, nga 128 milionë lekë në 2.16 miliardë lekë. Për vitin 2017 pritet që arkëtimi të rritet në 2.7 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro). Rritjen e taksës së ndërtimit në infrastrukturë, ndërtuesit e transferuan në çmimet e aparatmenteve që gjatë vitit 2016 u rritën mesatarisht me 10%, sipas të dhënave të indeksit të çmimit të banesave të Bankës së Shqipërisë.

Taksa e arsimit

Rreth 880 milionë lekë pritet të paguhet nga bizneset e familjet për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, nga e cila 550 milionë lekë nga subjektet tregtare dhe 330 milionë lekë nga familjet. Nga Ujësjellës Kanalizime, që mbledh këtë taksë, është parashikuar që ajo të arkëtohet nga 177,800 familje, kundrejt 204,800 familje të kontraktuara, teksa 27 mijë familje përfitojnë nga lehtësitë fiskale.

Pastrimi

Rreth 2.17 miliardë lekë (16 mln euro) pret Bashkia të arkëtojë nga tarifa e pastrimit, 63% e të cilës pritet të paguhet nga bizneset. Teksa tarifa e pastrimit u dyfishua në 2016-n për bizneset e mesme dhe të mëdha, edhe të ardhurat nga ky zë u rritën këtë vit nga 830 milionë lekë në 2015-n në 1.6 miliardë lekë në 2016-n.

Hapësira publike

Tarifa e zënies së hapësirës publike ishte ndër më të debatuarat në paketën fiskale të 2016-s dhe Bashkia Tiranë u detyrua ta rishikonte atë në shkurt, pas protestave të bizneseve.

Për vitin 2016, arkëtimi i pritshëm i saj është 270 milionë lekë (nga 65 milionë lekë në 2015-n), por gjithsesi shumë më i ulët se plani prej 600 milionë lekë i fillimit të vitit).

Për vitin 2017 pritet që arkëtimet nga kjo tarifë të jenë rreth 5 milionë euro (680 milionë lekë).

Parkimi

Të parkosh automjetin në kryeqytet sot është një mission tepër i shtrenjtë. Me 100 lekë ora, një personi që ka punën në qendër të kryeqytetit do t’i duhet të shpenzojë gati 20 mijë lekë në muaj (gati gjysma e pagës mesatare në vend)  vetëm për të parkuar. Për vitin 2017, bashkia pret të arkëtojë 450 milionë lekë (3.3 milionë euro) nga tarifat e parkimit. Në vitin 2016, qytetarët kanë paguar rreth 300 milionë lekë për të lënë makinat e tyre në hapësirat publike, nga rreth 72 milionë lekë vitin e mëparshëm.

Kundërshtimi

Ka qenë një ndër subjektet më aktive në kundërshtimin e politikave të reja fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila edhe këtë herë ka ngritur zërin kundër “reformave” të Erjon Veliajt. Në materialin që ka përgatitur në takimin me përfaqësuesit e Bashkisë dhe USAID mbi taksat vendore, ajo ka ngritur shqetësimin për barrën e lartë që është krijuar nga tarifa e pastrimit dhe pagimi i saj për çdo NIPT sekondar. Kjo tarifë, sipas materialit të Dhomës, ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe si e tillë është bërë një kosto e konsiderueshme për bizneset. Nisur nga kjo dhe faktin që kjo tarifë jepet në këmbim të një shërbimi është e rëndësishme që të ketë një lidhje sa më të drejtpërdrejtë midis tyre. Konkretisht, rekomandon Dhoma, nivelet treguese dhe tabela duhet të rikonceptohen: Njësitë duhet të klasifikohen mbi natyrën e tyre konkrete, d.m.th. një adresë dytësore nuk mund të marrë automatikisht kategorinë e selisë qendrore, por duhet të kategorizohet në bazë të aktivitetit që kryen.

Lista e aktiviteteve duhet të detajohet në bazë të Nomenklaturës së Aktiviteteve Ekonomike duke marrë parasysh dhe duke zbatuar të njëjtat rregulla klasifikimi (aktualisht lista është jokonsistente dhe ndarja nuk është e drejtë, p.sh., një servis makinash ka të njëjtën tarifë pastrimi me një zyrë këmbimi valutor. Qartësisht ndotja e tyre është shumë e ndryshme)

Vetëm për subjektet e ndërtimit ka një klasifikim të veçantë për selinë administrative. Ndërkohë ka kompani që operojnë në fusha të tjera (miniera, prodhim etj.) dhe që kanë seli administrative në qytet. Ato detyrohen të paguajnë tarifën e pastrimit sikur të zhvillonin aktivitetin e prodhimit në qytet.

Kalimi nga biznesi i vogël në atë të madh ka një shumëfishim të tarifës nga 3 deri në 24 herë. Kjo sjell një presion shumë të madh te ky biznes për të mos kaluar në biznes të madh. Për këtë do të rekomandonim/sugjeronim një ndryshim në mënyrën e ndarjes dhe aplikimit të tarifës duke marrë parasysh qarkullimin e bizneseve.

Gjithashtu, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një tarifë (që lidhet me një shërbim) një ndarje e saj në baza mujore/tremujore do të ishte e mirëpritur nga biznesi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

2 COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here