Nuk është fjala tek 10 mijë lekshi, por tek dinjiteti

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Loading...

 Sindikata e mësuesve, më së fundi dhanë një sinjal të fortë e drejtpërdrejtë se nuk do të lejonin të talleshin nga Ministriae Arsimi dhe Qeveria Shqiptare, në lidhje me mohimin e shpërblimit të fundvitit.  Ministrja e Arsimit nuk ktheu asnjë përgjigje, derisa mentori i saj kryeministri i dha një këshillë të shkurtër e të qartë “vërdallosi se grushtin përfundimtar jha jap unë”. Kështu që Ministrja e Arsimit, harroi matematikën se si llogaritej shpërblimi i mësuesve dhe i përplasi sindikata në dyert e Ministrisë së Financave, kjo e fundit tek MAS dhe MAS, premtoi se të enjten datë 23 dhjetor gjithçka merrte fund. Dhe në fakt MAS e mbajti fjalën. Më 23 dhjetor Kryeministri as që e zuri me gojë shpërblimin, ndërsa njoftoi ulkej e m,atjeshme të buxhetit për Ministrinë e Arsimit.

Kush i vuri në lojë mësuesit ministrja  e arsimit, ministri i financës apo kryeministri?

Që të tre institucionet dhe drejtuesit e tyre, janë bashkëpunëtorët të një vepre penale “bashkëpunim në mashtrim”. Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri sikur kërkonte të hynte në bisedime me sindikatat. Kërcënimi i sindikatave për ndërprerjen e mësimit në javën e fundit të shkollës, përpara pushimeve të dimrit, vuri në lëvizje MAS. Madje vetë ministrja i priti përfaqësuesit e sindikatës, duke i premtuar se do ta bisedonte me Ministrinë e Financave çështjen e shpërblimit të mësuesve. Ministria  e Financave i priti plot buzëqeshje përfaqësuesit e sindikatës së mësuesve, por u tha se “llogaritja ishte e ndërlikuar dhe i duhej dy-tre ditë kohë”. Kryeministri nga ana tjetër ishte në Vlorë që të takonte mësuesit dhe t’u jepte nga një pjatë të ftohtë në prag të festave dhe “nuk dinte gjë” se çfarë kishin gatuar vartësit e tij. Pra në një lojë të koordinuar mirë me qëllim nëpërkëmbjen e dinjitetit të mësuesit, kryeministri, ministrja e arsimit dhe ministri i financave, mori secilin rolin e vet. Që në krye të herës u duk qartë se ministrja Nikolla as që kishte ndërmend të zgjidhte problemin e mësuesve. Në një takim shumë pak sqarues e më shumë i mbushur me mllef, mediokritet institucional, ministrja e arsimit, as nuk dëgjoi e as nuk artikuloi asgjë për t’u mbajtur mend. Kështu që në kushtet e kësaj paaftësie të shfaqur më shumë se njëherë dhe të shfaqur fare hapur edhe në sytë e sindikalistëve, ministrja Nikolla i bëri dalje mësuesit duke i përplasur në dyert e një tjetër mësuesi, tani ministër financash, Arben Ahmetaj. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financës, kanë “qenë dakord në parim”, por kanë pasur një “problem” të madh: Kishin vështirësi të madhe të llogarisnin sa bënin 34.000 x 10 000 lek. Pra numri i mësuesve shumëzim për 10 mijë lek shpërblim për fundin e vitit për çdo mësues. Sindikalistët ishin të sigurt se do të fitonin të drejtën e tyre dhe së shpejti edhe shpërblimin e munguar prej vitit 2013 e në vazhdim. Me qëllim dhe me djallëzi të plotë institucionet më të rëndësishme shqiptare, zvarritën deri sa të mbyllej shkolla çështjet e ngritura nga sindikalistët. Kështu që filmi premierë për mësuesit i programuar në fundin e vitit, me një regji të mirë menduar prej kryeministrit Rama dhe të realizuar nga dy aktorë me profesion mësues ministren e arsimit dhe të financave, doli me sukses të plotë në favor të qeverisë.

A kanë më shumë nevojë mësuesit për 10 mijë lekshin sesa për dinjitetin?

Sigurisht që shumë syresh mendojnë se njerëzit janë më shumë nevojë për lekët, pasi këto të fundit i japin më shumë dinjitet njeriut sesa thjesht mbështetja morale. Kjo mund të jetë e vërtetë deri diku për grupe të ndryshme të shoqërisë, por kurrsesi për mësuesit. Në tërë veprimtarinë e vet, ata janë udhëhequr nga ideali i një misioni nga më humanët në shoqëri edukimi i fëmijëve dhe janë përcjellë përherë nga mirënjohja e popullit. Qeveritë e përgjegjshme, përpiqen të lehtësojnë, mbështesin dhe frymëzojnë punën e mësuesit, jo vetëm përmes përmirësimit të pagës por edhe kushteve të mësimdhënies, trajnimeve, etj. Ndërkaq këtu tej ne ndodh krejt e kundërta. Mësuesit paguajnë udhëtimin që të kryejnë detyrën e tyre të mësimdhënies në shkolla, trajnimin dhe formimin e tyre profesional, testet që duhet të bëjnë me nxënësit, etj. Si shpërblim qeveria nuk i rrit rrogën për 4 vjet dhe u mohon shpërblimin prej vitit 2013. Në këto kushte a mund të flitet thjesht për 10 mijë lekshin e shpërblimit, apo për vënien në vend të dinjitetit të mësuesit? Natyrisht që më shumë rëndësi ka kjo e fundit. Kur ishte shumë e qartë se qeveria as që nuk kishte ndërmend të shpërblente mësuesit, qeveria duhet të kursente nëpërkëmbjen e  mësuesve. Në këto raste do të ishte më mirë ministrja e arsimit, i financave, kryeministri e kushdo tjetër, që ka gisht e dorë në këtë sjellje të shëmtuar ndaj mësuesve, do të ishte e udhës të kërkonte një ndjesë formale. Madje në mungesë të  kësaj ndjese së paku të kishin mbyllur gojën e të struknin kokën, e të mos dukeshin fare për javë të tëra.  Por në vazhdën e arrogancës që nuk njeh limite, duke filluar nga kryeministri i vendit, e që arrin në nivele më të larta tek ministrat e tij, ata ja dolën të tallen, nëpërkëmbin, denigrojnë edhe figurën e mësuesit, me akte dhe veprime që nuk kanë guxuar t’i bëjnë edhe pushtuesit e Shqipërisë. Por kohërat kanë ndryshuar. Gjithnjë e më shumë vërtetohet thënia e Konicës se “armiku më i madh i  shqiptarëve janë vetë shqiptarët”. Kjo qeveri me paturpësinë që do t’ia kishte zili, çdo maskara, i pabesë, kriminel e gjithfarë lloj qeniesh të rrezikshme që gabimisht quhen njerëz, prej ditës së parë të punës e deri më sot, ka menduar sesi do të godas deri në fund arsimin dhe arsimtarët. Interesimi për sektorin e arsimit ka qenë në nivelet më të ulëta të mundshme, pasi nuk ka asnjë shkollë të re, nuk i ka interesuar asnjëherë përmirësimi i kushteve për mësimdhënësit pasi ka zero investime në laboratorë shkencor e mjete didaktike, pale në përmirësimin e pagës për mësuesit. Fund viti ishte një rast kur sindikatat i kërkuan qeverisë e në veçanti Ministrisë së Arsimit, të tregonte se ishin të vëmendshme ndaj arsimit, duke kërkuar një shpërblim simbolik, që tejkalon sakrificën dhe meritat e mësuesve. Kryeministri, ministrja e arsimit dhe ai i financës, vërtetuan se ata janë armiq të arsimit, kanë alergji ndaj edukimit dhe nuk kanë ndërmend të respektojnë figurën më të çmuar në sytë e shqiptarëve, atë të mësuesit. Për sa kohë kjo nuk ka ndodhur dhe me gjasa nuk do të ndodhi, e ardhmja e vendit është në pikëpyetje.

Megjithatë mësuesit kanë në dorë të tregojnë se ata nuk mund të nëpërkëmben. Në vigjilje të vitit 2017, një bllokim total i mësimit, do të bënte që opinioni të kuptonte se mësuesit nuk mund të gënjehen kollaj. Kryeministri me siguri do të dërgoj një mesazh në FB, se në “mars do të jetësohet rritja më e madhe e rrogave të mësuesve në 25 vitet e fundit”. Ministrja e Arsimit nuk ka për të kuptuar gjë, për sa kohë ka harruar prej shumë kohësh vlerën e profesionit të mësuesisë.

Loading...

Lini nje pergjigje