ELEMINIM GJYQEVE/ Njohja e viteve të punës, flet drejtoresha: Si po procedojmë me ankesat dhe periudhat e sigurimit

0
593

Njohja e viteve të punës

Drejtoresha Solida Dibra: Libreza dhe dokumentacionet e rregullta, eliminojnë procesin gjyqësor

“Qytetarët, duhet t’i drejtohen së pari, organeve të sigurimeve shoqërore dhe vetëm pasi të kenë marrë një përgjigje përfundimtare nga Komisionet e posaçme, ato mund t’i drejtohen gjykatës”

Sejrie Baleta

Problemi i njohjes së viteve të punës për shumë qytetarë është një shqetësim i madh. Shumë qytetarë edhe pse vitet e punë i kanë të shënuara në dokumentacione të tipit librezë, në sistem apo tek Instituti i Arkivave dosjet e tyre nuk gjenden. Kjo është një altar i gjatë mundimi dhe stresi. Shumë persona janë detyruar që të hapin procese gjyqësore vetëm e vetëm për t’ju njohur vitet e punës. Por pak muaj më parë qeveria me anë të një vendimi, në lidhje me dekomentet e dhe periudhat e sigurimit të qytetarëve është munduar që të marrë disa masa, për efekt njohjen e pensionit. Në lidhje me këtë vendim, por jo vetëm, e intervistuar nga gazeta “Standard” Drejtoresha e Përfitimeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Solida Dibra është shprehur se menjëherë pas marrjes së vendimit për njohjen e viteve të punës ka filluar puna.  “Komisioni Qendror i Ankimit, po marr parasysh këto përcaktime të vendimit të Këshillit të Ministrave, me qëllim evitimin në maksimum të proceseve gjyqësore për njohjen dhe saktësimin e periudhave të punës”.

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për njohjen e viteve të punës të padokumentuara për qytetarët që kanë punuar në ish-ndërmarrje apo ish-kooperativa bujqësore para datës 1 janar të vitit 1994, si po vijon puna për zbatimin e këtij vendimi?

Menjëherë pas miratimit të Vendimit nr. 482, datë 29.6.2016 të Këshillit të Ministrave “Për disa çështje të dokumentimit të periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë, për efekt pensioni”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka vijuar me masat administrative për vënien në zbatim të këtij vendimi, siç ishte miratimi nga Këshilli Administrativ i Rregullores së re “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, rregullore, e cila përcakton procedura të detajuara për trajtimin e rasteve problematike nga Komisionet e Ankimit, për dokumentimin e periudhave të punës apo periudhave të sigurimit, duke patur si qëllim të saj shkurtimin në maksimum të afateve për marrjen e vendimeve dhe shmangien e proceseve gjyqësore.  Gjithashtu, në zbatim të përcaktimeve të këtij vendimi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka marrë të gjitha masat, për skanimin dhe evidentimin e bazës së të dhënave të veçantë, për të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre.

Të gjitha rastet që po shqyrtohen aktualisht nga Komisioni Qendror i Ankimit, po marrin parasysh këto përcaktime të vendimit të Këshillit të Ministrave, me qëllim evitimin në maksimum të proceseve gjyqësore për njohjen dhe saktësimin e periudhave të punës.

Vitet e e punës shumë personave nuk u njihen nga sistemi edhe pse në librezë i kanë të shënuar. Si do procedohet në këto raste?

Dokumenti bazë që provon vitet e punës deri në 31.12.1993 është Libreza e Punës. Nëse ky dokument është plotësuar qartë, me të dhëna të sakta e pa korrigjime, si përsa i përket identitetit të personit, ashtu edhe viteve të punës, vlera e këtij dokumenti është ajo e një dokumenti zyrtar, prandaj nuk ka asnjë arsye përse të mos njihet. Rastet e kundërshtuara apo që refuzohet njohja e viteve të shënuara, janë vetëm ato, të cilat kanë libreza me elemente që mungojnë, apo të dhëna të fshira, të korrigjuara, librezat e plotësuara pas përfundimit të marrëdhënieve të punës (të ashtuquajtura dublikata), të cilat nga verifikimi me dokumentat origjinalë nga të cilat ato kanë rrjedhur, nuk konfirmohen të dhënat për vitet e punës, ose dokumentacioni është djegur apo bërë i papërdorshëm.

Cilat janë rastet që qytetarët duhet tu drejtohen gjykatave për njohjen e viteve të punës?

Qytetarët, duhet t’i drejtohen së pari, organeve të sigurimeve shoqërore dhe vetëm pasi të kenë marrë një përgjigje përfundimtare nga Komisionet e posaçme, ato mund t’i drejtohen gjykatës. Komisionet, pas vlerësimit të dokumentacionit, i cili disponohet nga qytetari dhe pas të gjitha verifikimeve të mundshme pranë arkivave, qendrave të punës, etj, marrin vendim për saktësimin e periudhave të punës, por, nesë kanë arritur në konkluzionin, se zgjidhja e çështjes nuk është në juridiksionin administrativ, vetëm në këto raste, Komisionet e ngritura, orientojnë qytetarin për zgjidhjen e çështjes në rrugë gjyqësore. Në rastet kur vjetërsia e punës, ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit ku pasqyrohet kjo vjetërsi, janë të plotësuara me laps dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte, me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i faktit të qënies në marrëdhënie pune, bëhet me vendim të gjykatës. Kryesisht, rastet që mund t’i drejtohen gjykatës, janë ato të vërtetimit të faktit të qenies në marrëdhënie pune, kur kjo nuk provohet me asnjë dokument ekzistues, apo dokumentacioni i disponuar dhe verifikuar, nuk i shërben as indirekt vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit.

Vendimi i qeverisë parashikon edhe procedura të tjera për njohjen e viteve të punës, në rastet kur regjistrat ka mangësi të tjera si, gjeneralitete jo të sakta apo të dhëna të korrigjuara. Si do të procedohet në këtë rast?

Është detyrimin ligjor i strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore të shqyrtojnë çdo kërkesë dhe dokument të paraqitur nga qytetarët për llojet e ndryshme të përfitimeve. Dokumentacioni i vjetërsisë në punë mund të jetë pranë qytetarit, siç është libreza e punës, apo një vërtetim që ai disponon, mund të gjendet në qendrën e tij të punës, por pjesa më e madhe e dokumentacionit është e përqendruar në Arkivat e sigurimeve shoqërore, në Arkivën qendrore dhe arkivat rajonale. Në rastet kur libreza e punës ka të gjitha elementet për tu konsideruar një dokument zyrtar, ajo nuk mund të kundërshtohet, por kur kërkesa është bërë për një pension pleqërie të kategorisë së parë dhe duhet saktësuar qartë lloji i profesionit dhe periudha në këtë profesion, kur të dhënat mungojnë, ose janë të fshira apo të korrigjuara, duhet t’i drejtohemi patjetër arivave për saktësimin e tyre. Në zbatim të nr. 482, datë 29.6.2016, tashmë, Komisionet do të vlerësojnë çdo dokument, të prodhuar nga organe shtetërore, të cilët indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit. Për çdo rast të evidentuar si fenomen tipik, dokumentacioni është i përcaktuar, por secili rast ka specifikën e vet dhe specialistët tanë janë të trajnuar, që në momentin e aplikimit për pension, veç plotësimit të aplikimit, të intervistojnë edhe kërkuesin për karrierën e tij, për ndryshimet në identitet që mund të ketë patur, ndryshimet e vendbanimit, etj, në mënyrë që, personi të orientohet drejt për paraqitjen e dokumenteve që ai disponon, dhe mund të shërbejnë për saktësimin dhe plotësimin e periudhave të sigurimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here