Filarmonia e Vjenës ka ardhur, ajo është çdo ditë në Shqipëri

3
321

Anesti Barjamemaj

Të “vërtetat” e një lajmi që krijoj shumë debate javën që lamë pas dhe Filarmonia e “vërtetë” e Vjenës që performon çdo ditë rrugicave pa shpresë të Tiranës”

Rrugët e Tiranës kanë më shumë se dy javë që janë mbushur me postera që tregojnë se në Shqipëri do të vijë filarmonia e Vjenës për të performuar. Në këto postera tregohej muzikanti shqiptar Shkëlzen Doli dhe lart tij me shkronja të madha, për ti parë çdo kalimtar shkruhej: “Vjen Filarmonia e Vjenës në Tiranë”. Gjithçka kishte filluar nga përgatitjet që çdo gjë të ishte e kuruar deri në detaje. Duke ecur rrugëve të Tiranës shikoje njerëz që ndalonin të posteri për të lexuar, se ku dhe kur do të zhvillohej ky koncert. Pasi lexonin këto të dhën,a ata shprehnin mes tyre edhe dëshirën që të ishin të pranishëm. Të tjerë shkuan edhe një hap më shumë, pasi blenë edhe biletat për të parë shfaqen nga afër. Në Tiranë ndjehej një gëzim në radhët e qytetarëve, pasi ishin mësuar vetëm me koncerte të artistëve Shqiptar. Por entuziazmi nuk zgjati shumë pasi një lajm tjerët kthehu medaljen në anë tjetër.

Debati për vërtetësinë e lajmit

Nga posterat e përhapur nëpër Tiranë ishte ekzaltuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shpërndau një status para disa ditësh ku bënte me dije dhe ndehej i kënaqur njëkohësisht për ardhjen e Filarmonisë së Vjenës në Tiranë. Ja çfarë shkruante Rama para disa ditësh: “Koncerti i Vjenës në Tiranë. Një ëndërr e bërë realitet. Falë një bashkëpunimi që kurorëzohet pas një përpjekjeje të vogël së bashku me Shkëlzen Dolin, në 2 janar vjen në Tiranë, të nesërmen e Vjenës, një koncert i jashtëzakonshëm”. Me këto fjalë sipas kryeministrit në Tiranë do të vijë Filarmonia e Vjenës. Por “mediat e kazanit” as këtë herë nuk ishin dakord me kryeministrin e tyre, dhe shpejtuan për të gjetur të vërtetën tjetër. Në median shqiptare, pas deklaratës së Ramës qarkulloi një lajm që hidhte poshtë fjalët e tij. Me anë të një e-mail-i zyrtar të dërguar nga vetë drejtuesit e “Ansamblit të Filarmonisë së Vjenës” (të mbështetur nga opozita me siguri, pasi vetëm ajo nuk e do qeverinë), thuhej se: Mund të konfirmojmë se orkestra nuk do të luaj në datën 2 janar 2017 në Tiranë”. Por ky institucion në e-mail-in që ka qarkulluar në mediat Shqiptare (që duhet theksuar janë ato media kazani, si shumica e mediave në Shqipëri), thuhej se: “Ne do ta konsiderojmë seriozisht këtë informacion për të ndërmarre hapat e duhur”. Me këtë përgjigje, zyra e shtypit të këtij institucioni sqaronte se Filarmonia e Vjenës nuk do të jetë në Tiranë në datën 2 janar, pasi koncerti i parë i kësaj filarmonie është në datën 16 janar të 2017-tës. Në këtë debat u përfshi edhe Ambasada Austriake (e cila u bë pjesë e frontit të së keqes) pasi ky institucion do të mundësonte edhe ardhjen e këtij koncertit në Tiranë. Në reagimin e Ambasadës shkruhej: “Në Tiranë do të vijnë 36 artistë nga renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës” anë- tare dhe jo anëtarë të filarmonisë së Vjenës si dhe muzikantë në të tjera Austriakë”. Në të treja këto reagime, e përbashkëta është vetëm që do të zhvillohet një koncert, pasi të tre qëndrimet nuk kanë datë të njëjte dhe pjesëmarrës të njëjtë. Në këtë rast përveç mediave të kazanit, pjesë e të keqes është bërë edhe Ambasada Austria në Tiranë, por edhe zyra e shtypit të Filarmonisë së Vjenës. Fronti i së keqes edhe këtë herë nuk lejoi publikun që të ngopej me lugën bosh, dhe të kënaqej me koncertin e posterave. Pasi ata që blenë biletat do të dëgjonin diçka të ndryshme nga ajo që kishin menduar. Në këtë rast,duhet që të mirëkuptojmë kamerierët të cilët na sjellin porosinë gabim, pasi e gjithë Shqipëria po shijonte ëndrrën me Filarmoninë e Vjenës, por në të vërtetë mund të ishte edhe Edi Rama duke i rënë dajres si në 2013-tën.

Filarmonia e vërtetë në rrugët e Tiranës

Në fushatën elektorale të vitit 2013 e gjithë Shqipëria në kohë reale ndoqi në koncert (që ishte falas për të gjithë) nga kryeministri i sotëm Edi Rama. Në ditën e fundit të fushatës ku ai po zhvillonte mitingjet përmbyllëse, kryeministri kishte menduar edhe një shfaqje përveç fjalimit. Me dajre në dorë Edi Rama, dha një shfaqje ku duartrokitjet ishin të zjarrta. Shqiptarët duhet që të kujtohen edhe të shikojnë pas në kohë, pasi ai koncert nuk vjen më. Për çfarë na duhet në Shqipëri një koncert nga “Filarmonia e Vjenës” kur në filarmoninë e kemi këtu. Pa biletë dhe në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion, Edi Rama duke i rënë dajres është më mirë së një orkestër e tërë. I vetmi problem që kishte performanca e kryeministrit ishte stonimi, por nuk kishte as grup muzikor dhe performoi i vetëm. Por përsëri performanca e kryeministrit nuk matet dot me artistët e rrugës të cilët japin koncerte çdo ditë në rrugët e kryeqytetit. Kitara, violina, gajdja janë veglat që ndërtojnë orkestrën në Tiranë, në vende të ndryshme por në një sinfoni të plotë, muzikantët e rrugës shprehin të njëjtën gjë. Askush nuk mendon për ta, por ata mendojnë për publikun e tyre (edhe pse është në një numër të vogël) profesioni i tyre është mbi gjithçka. Ata këndojnë dhe performojnë edhe sikur ti dëgjojë një person i vetëm. Pagesa te këta artisë për ti dëgjuar nuk është e detyrueshme, gjithësecili mund ti dëgjojë. Përpara kryeministrisë, një burrë dhe një grua performuan disa minuta aty. Dajra dhe klarineta ishin veglat muzikore që kishin këta artistë, si për të treguar se filarmonia është çdo ditë në rrugët e qytetit. Ata qëllimisht qëndruan përpara Kryeministrisë për ti thënë se koncerti i Vjenës erdhi, por askush nuk di gjë (pasi kështu u pretendua nga kreu i qeverisë). Muzika e tyre dëgjohej në një hapësirë të gjerë dhe jo vetëm në Pallatin e Koncerteve, por përsëri dritaret e kryeministrisë nuk u hapën për të parë se çfarë po ndodhte. Posteri më i madh që tregon koncertin e Shkëzen Dolit me 36 artistë austriakë, është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”. Poshtë tij një burrë i moshuar me violinën e tij, tregoi se Filarmonia e Vjenës ka ardhur, por askush nuk e ka dëgjuar muzikën e saj. Përball këtij muzikanti rruge, posteri i Shkëlzen Dolit e humbi shkëlqimin dhe gërmat që tregonin se Filarmonia e Vjenës do të vij në Tiranë u zbehën ,duke u bërë të palexueshme. Për gjithë këtë gjë zallamahi fajin e kanë “mediat e kazanit”, të cilat nuk lejuan popullin që të shikonte “Filarmoninë” në poster dhe të dëgjonte Ramën në “Komunikimin javor”.

*Rubrika “Pikante” i trajton lajmet apo zhvillimet e ditës me pakëz sarkazëm, ironi e nota humori

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

3 COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here