Prodhimi për frymë, Shqipëria sa një e treta e mesatares evropiane

0

 

Shqipëria prodhon për çdo banor të vetin më pak se një e treta e prodhimit mesatar për frymë në Bashkimin Europian. Eurostat përcakton si normë reference në statistikat e veta prodhimin mesatar për frymë në BE duke i vendosur indeksin 100. Prodhimi kombëtar për frymë në Shqipëri gjatë vitit 2015 ishte sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, duke i korrektuar shifrat sipas parimit të barazisë së fuqisë blerëse. Megjithatë, prej disa vitesh tashmë, Shqipëria, së paku, ka lënë poziocioni e palakmuar të vendit më të varfër në Europë.

Vendi i fundit i takon Bosnjës, ku prodhimi për frymë është sa 28% e mesatares së BE, ndërkohë që statistikat e Eurostat nuk përfshijnë ende Kosovën. Në nivele ndjeshëm më të larta qëndrojnë Serbia dhe Maqedonia, ku prodhimi për frymë është sa 36% e mesatares së Bashkimit Europian.

Mali i Zi ka një nivel edhe më të lartë, me 42% të mesatares së BE, ndërkohë që Turqia renditet e para mes vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për në BE, me një prodhim për frymë sa 52% e mesatares së Unionit. Vitin e kaluar, prodhimi për frymë në Shqipëri u rrit me një pikë përqindje kundrejt mesatares së BE, por pavarësisht nga kjo vendi ynë ngeelt ende larg fiqnjëve që na paraprijnë. Në rritje të lehtë gjatë viteve të fundit janë Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërkohë që në rënie paraqitet Serbia, por edhe Turqia që gjithsesi ende ruan një distancë të konsiderueshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për sa i takon standardeve më të larta, Luksemburgu kryeson me një avantazh shumë të thellë ndaj vendeve të tjera. Prodhimi për frymë në Luksemburg është sa 264% e mesatres së Bashkimit Europian. Përtej veçorive të ekonomisë së Luksemburgut, e mbështetur te një zhvillim i lartë i shërbimeve financiare, ky nivel shpjegohet edhe me numrin e lartë të të huajve që punojnë në këtë vend. Ata kontribuojnë në ekonominë e vendit, por nuk janë rezidentë dhe nuk përfshihen në popullsinë e regjistruar. Kjo e rrit ndjeshëm prodhimin për frymë të ekonomisë së Luksemburgut. Në vend të dytë, me rritje të fortë gjatë vitit 2015, renditet Irlanda, ku prodhimi për frymë është në masën 177% të mesatares së BE. Kjo rritje e Irlandës lidhet sidomos me zhvendosjen në këtë vend të shumë koorporatave të mëdha ndërkombëtare, për shkak të ngarkesës më të ulët fiskale që aplikohet aty.

Lini nje pergjigje