Basha: Mbështetja e Edi Ramës po i mban kriminelët në politikë

0
Mesazh inkurajimi për kriminelët, që ata të vijojnë të patrazuar punën e tyre, i sheh kreu i PD-së, Lulzim Basha qendrimet e kryeministrit Rama, teksa e akuzon atë se jo vetëm po fsheh realitetin, por po i mban kriminelët në politikë.
“Prej muajsh kreu i qeverisë po zbaton një fushatë të gjerë për të fshehur realitetin e rrezikshëm të krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe të kapjes së shtetit nga krimi. Akoma më keq, Rama po përpiqet me çdo mjet dhe shërbëtor të tij të fshehë faktin se lufta kundër korrupsionit, krimit e drogës dhe zgjedhjet e lira janë kushte kyçe që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave”- tha Basha.
Sipas tij, mga manipulimi i realitetit përfitojnë vetëm kriminelët, trafikantët, të korruptuarit dhe Edi Rama.
“Qëndrimet e Kryeministrit janë mesazh i qartë, inkurajues për kriminelët, që të vazhdojnë të patrazuar, pasi shteti nuk e ka prioritet luftën kundër tyre. Të vazhdojnë të qetë, se Edi Rama nuk do thotë kurrë një fjalë të keqe për ta. Kështu ai jo vetëm po e inkurajon krimin duke e fshehur atë por po e mbron me veprime konkrete. Veprimet e Edi Ramës dhe pushtetarëve të tij i dhanë lirinë një krimineli si Lulzim Berisha”- tha ai.
Për kryedemokratin, mosveprimet e Edi Ramës kanë lënë jashtë burgut Klement Balilaj dhe po mbajnë në pushtet një kriminel si Elvis Rroshi.
“Mbështetja e Edi Ramës po i mban kriminelët në politikë. Me Edi Ramën Shqipëria është pronë e kriminelëve dhe jo e njerëzve të thjeshtë. Me Edi Ramën dyert e Bashkimit Europian do të mbeten të mbyllura për Shqipërinë”- tha ai.

Lini nje pergjigje