Opinion nga Dr. Albano Zhapaj/ Qeverisja rilindase, rrezik i madh që i kanoset shqiptarëve

1
418

Kur një popull frikohet nga qeveria e tij, atëherë aty ka tirani, ndërsa kur qeveria i frikohet popullit të vet, atëherë aty ka liri, – thoshte përpara dyqind vjetësh Thomas Jefferson, Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi të cilin ne e marrim si shembull të demokracisë. Bazuar në modelin e demokracisë që prej vitesh kërkojmë dhe gjendjes aktuale mjerane në të cilën jetojmë, na ngacmon reflektimi se përse jemi kaq larg me lirinë dhe demokracinë. Sot, pas 26 vjetësh, kur pamë se qeveria aktuale “sekuestroi” edhe festën e studentëve të Dhjetorit, natyrshëm na lind pyetja se a është realizuar dot ëndrra jonë për liri? Çfarë po i ndodh këtij populli liridashës, vallë ka humbur forcën për ndryshim, forcë e cila prej shekujsh ka karakterizuar shqiptarin? A mos vallë duhet të fillojmë të ndërgjegjësohemi se forca jonë për ndryshim po shkon drejt rreziqesh? Ne shqiptarët, sot më tepër se kurrë, po përballemi me pasiguri të paprecedentë, nën efektet e qeverisjes së mazhorancës së tanishme, ku institucionet ushtrojnë kontroll në popull me anë të frikës, papunësisë dhe varfërisë, ku pasiguria e jetës është rritur, ku recesioni ekonomik ka ardhur çdo ditë e më i hidhur, ku sistemi oligarkik qeverisës ka shtrirë metastazat e tij përmes korrupsionit në çdo qelizë të mundshme të shoqërisë shqiptare, dhe ku të përpiqesh të flasësh me zërin e së vërtetës, etiketohesh si kundërshtar, dashakeqës, panikaxhi, dembel apo i paaftë. Kryeministri, në detyrë, haptazi ja doli të kundërshtojë dhe kançelojë çdo arritje të popullit shqiptar gjatë këtyre viteve të demokracisë, dhe maxhoranca në pushtet i etiketoi 26 vitet e fundit si vite të kaosit, duke u përpjekur të legjitimojë veprimet e paligjshme dhe anti-Kushtetuese të saj, dhe duke injoruar kështu një realitet të pamohueshëm, atë të demokracisë së ndërtuar mbi sakrifica, lirisë së arritur me mund, të tregut të lirë ekonomik, pa llogaritur këtu edhe ndryshimin gjeopolitik, tepër të rëndësishëm, që erdhi nga anëtarësimi në NATO, apo edhe pavarësia e Kosovës. Sistemi politik i Shqipërisë sot duket qartë që është në krizë, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë po vuan për shkak të qeverisjes së keqe të vendit, mungesës së sundimit të ligjit dhe zbatimit selektiv të tij, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe përkeqësimit të skajshme të gjendjes ekonomike dhe sociale, një pjesë tjetër ende vazhdon në heshtje të braktisë shtëpinë, qytetet, fshatrat, miqtë edhe shokët, për t`u drejtuar drejt perëndimit, për një jetë më të mirë e më të sigurt për fëmijët e tyre. Situata e keqe ekonomike, papunësia, varfëria dhe mjerimi vazhdojnë të rriten në propocion të drejtë me rritjen e çmimeve, taksave dhe shpenzimeve superlux të qeverisë. Shqipëria vazhdon të renditet si vendi më i korruptuar në rajon, trafikimi i drogës është në nivele të konkurrueshme me Kolumbinë dhe Afganistanin, kriminaliteti në rritje me vrasje e atentate që tanimë bëhen përballë portës së shtëpisë, ose ne sheshet e qyteteve në mënyrë demostrative, siguria e njerëzve rrjedhimisht ka ardhur duke përkeqësuar nga dita në ditë. Të gjitha këto vijnë nga keq qeverisja dhe ska si kjo të mos përbëjë rrezikun më të madh që po na kanoset ne shqiptarëve. Pamë se si pseudo-reformat në arsim krijuan panik për stafin pedagogjik dhe akademik, ndërsa nxënësit, studentët dhe prindërit, të shtyrë me dhunë të studiojnë tek privati, janë të shqetësuar në lidhje me shkeljen e të drejtës kushtetuese për arsimim nëpërmjet kufizimeve financiare. Gjithashtu, pamë se arsimi është i dominuar nga mungesa e kompetencës në pozicionet drejtuese, mungesa e vlerave profesionale në administrim dhe emërimeve klienteliste, ku merita e vetme kualifikuese është shërbimi ndaj pushtetit ose korrupsioni. Korrupsioni në sektorin e energjisë, rritja e pagesave dhe vendosja e tarifave arbitrare për energjinë elektrike, arrestimet e paligjshme të njerëzve që më së shumti janë të pamundur ekonomikisht për të paguar faturat e energjisë, ndërprerjet e energjisë për familjet në nevojë, kanë kontribuar në rritjen e tensioneve sociale. Përshkallëzimi i këtyre tensioneve pati efekte direkte ndaj shkatërrimit të familjes, ku viktimat e kësaj krize për më shumë kanë qenë fëmijët dhe mosha e tretë, si shtresat më pak të mbrojtura nga instrumentet shtetërorë. Qeveria aktuale me në krye shefin e saj, përditë e më shumë, ja kanë dalë të kontrollojnë mediat përmes klientelizmit dhe sponsorizimeve të saj, duke i kthyer ato në një mjet të mashtrimit publik dhe dhunës verbale ndaj kundërshtarëve të qeverisë apo të pakënaqurve ndaj saj, edhe kur këta të fundit dolën nga radhët e saj. Mediat, me pak përjashtime, u përdorën dhe vazhdojnë të përdoren përditë për të ndryshuar perceptimin e realitetit, në mënyrë që njerëzit mundësisht të ndjehen në faj ose të paaftë nëse nuk pranojnë apo kuptojnë fabulat e propagandës dhe arritjeve qeveritare. Mediat e kontrolluara ende sot vazhdojnë të projektojnë realitete artistike dhe jo jetën reale, duke sjellë si pasojë humbjen e vetëbesimit të qytetarëve në vlerat e tyre të bazuara në punë të ndershme. Efekti akoma më negativ i tyre është mos ndjeshmëria e publikut ndaj fjalorit vulgar, ndaj veprimeve pa moral, ndaj fenomeneve të cilat shoqërisë shqiptare i shiten si vlera të integrimit, dhe jo si radiografi e kolapsit të shtyllave që mbajnë shoqërinë. Denigrimi i gjuhës shqipe ka krijuar në vend të integrimit kombëtar, degradimin e shoqërisë, deri në ndryshime të personalitetit profesional. Sot mediat e kontrolluara heroizojnë nivelet e larta të korrupsionit ku në mënyrë të përsëritur shfaqen administratorët e kësaj gjëme që po i ndodh nivelit profesional, duke çertifikuar gjithnjë e më shumë në mendjen e popullit, faktin se shërbëtori i pushtetit bëhet pronar i të drejtave të popullit. Shumica aktuale, e cila përfaqë- son interesat e oligarkisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë gjithçka për ta venitur rolin dhe figurën e opozitës dhe për ta fabrikuar atë, në mënyra dhe forma aspak dinjitoze, brenda dhe jashtë parlamentit. Demonizimi i politikes ku demonët në pushtet janë edhe të paprekshëm, po kultivon në hierarki kultin e diktatorit dhe largimin e pjesëmarrjes në politikë, në radhët e opozitarëve dhe brenda edhe vetë partisë pushtet. Shkatërrimi i vlerave demokratike nga ana e partisë pushtet, ligjëroi për fat të keq një sërë metodash, tipike të një qeverie oligarkike, të tilla si blerje votash dhe mandatesh, kapjen e mediave, kontrollin mbi biznesin dhe krijimin e monopoleve, eliminimin ose tkurrjen e opozitës, burgosjen me qëllim për të frikësuar kundërshtarët e qeverisë, kapjen e institucioneve kryesore shtetërore; përgjimin e qytetarëve përmes kontrollit të komunikimeve telefonike, mbajtjen e shoqërisë civile nën kontroll, etj. Pra, duket qartë se parimet bazë të Kushtetutës dhe si pasojë vetëe vendi janë të kërcënuara, ndërkohë që liria është përditë e më e kufizuar. Shumë shqiptarë janë duke përjetuar barrën e humbjes së vendeve të punës, ndërkohë, qeveria ka rritur borxhin publik dhe ka shtuar shpenzimet e saj të luksit. Duket sikur qytetarët janë aq shumë të lodhur nga kjo keq qeverisje saqë kanë pranuar që varfëria të ulet këmbëkryq në vatrat e tyre në trajtën e një “status quo”, ndërkohë që nevojitet një fillim i ri, me ndryshime thelbësore në mënyrën sesi qeveria vepron nga qytetarit, mënyra se si ajo buxheton paratë e taksapaguesve, mënyra se si takson dhe rregullon veprimtaritë njerëzore. Ka ardhur koha që dikush të rindezë pishtarin e lirisë dhe demokracisë për të frymëzuar të gjithë ata që janë dhe duan të jenë të lirë, sikurse e kërkuan studentët e Dhjetorit `90, kur lëshuan thirrjen “Shqipëria si gjithë Evropa”, në mënyrë që të qëndrojmë fort për vlerat europiane, kundër tiranisë dhe shtypjes, ku të mos lejohen që mure të reja, kufizuese dhe izoluese, të ndërtohen në vendin tonë, ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë, nga pushteti uzurpues i radhës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Edhe “Studentet e dhjetorit” ishte nje lojë e madhe. Ku jane sot ata ish-student?! Pjellën e komunizmit qenka veshtire t’a zhdukesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here