Opinion nga Brunilda Zeneli/ PERFORMANCA E SHËRBIMIT TË URGJENCES MJEKËSORE NË SHQIPËRI

0
391

 

“Qeveritë kanë përgjegjësinë e shëndetit të popujve të tyre”, thuhet në Preambulën e Kartës së OBSH-së. Garantimi i shëndetit është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj, janë përgjegjëse për përmbushjen e këtij detyrimi. Çdo pacient ka të drejtën për akses në shërbimet shëndetësore, sipas nevojës vetjake shëndetësore. Shërbimet shëndetësore duhet të garantojnë akses të barabartë për këdo pa diskriminim bazuar në të ardhurat financiare, vendbanimin, llojin e sëmundjes apo kohën e marrjes së shërbimit.

Si pjesë e sistemit shëndetësor, Shërbimi i Urgjencës është një aspekt i rëndësishëm i politikave shëndetësore, një nga pikat e para të kontaktit të pacientit me sistemin shëndetësor, ku pacienti krijon perceptimin mbi këtë shërbim dhe shërbimin shëndetësor në përgjithësi. Shërbimi i Urgjencës Mjekësore, parë si një sistem, në funksion të shëndetit ndaj pacientit, ka një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në trajtimin paraprak të personave në rrezik për jetën, duke çuar ndjeshëm në pakësimin e humbjes së jetëve. Produkti i këtij shërbimi është “Unik, është Jetë Njerëzore”.

Për këtë arsye politikat e qeverisë për shëndetin përbëjnë një nga temat më delikate dhe shpesh të nxehta, që kanë tërhequr kritikat dhe pakënaqësitë e qytetarëve, të mediave, ligjvënësve, shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesit.  Nisur nga rëndësia e këtij shërbimi si dhe ndjeshmëria e lartë publike, KLSH në zbatim të politikave të saj, të sanksionuara në Planin Strategjik, ligjin “Për funksionimin dhe organizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, si dhe të faktit që auditimet e performancës zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në punën e KLSH-së, ka marrë indicie dhe e ka parë si të rëndësishëm vlerësimin e përformancës së Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, në përfundim të të cilit ka evidentuar një Shërbim Urgjence, i cili ka nevojë për ndërhyrje të shpejtë.  E drejta për shërbim shëndetësor cilësor, kërkon që institucionet e kujdesit shëndetësor dhe profesionistët të ofrojnë nivele të kënaqshme shërbimi. Kjo nënkupton specifikimin dhe zbatimin e standardeve të miratuara të cilësisë, të cilat duhet të hartohen dhe implementohen nga Institucionet Shëndetësore.

Institucionet shëndetësore për të arritur këto standarde duhet të kalojnë nëpërmjet procesit të akredititmit, në bazë të ligjit “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”. Realiteti i hidhur është se asnjë Institucion i Shëndetit Publik nuk është i akreditur, ç’ka do të thotë se asnjë prej tyre nuk i plotëson kriteret minimale. Plotësimi i këtyre standardeve do të gjeneronte një shërbim shëndetësor me cilësi. Një pjesë e këtyre kritereve apo standardeve kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti edhe me një shërbim cilësor të urgjencës mjekësore. Janë një numër i konsiderueshëm standardesh të paplotësuara që kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti edhe me cilësinë e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, si:

–              Infrastrukturë e papërshtatshme dhe tejet e amortizuar e instistucioneve shëndetësore dhe reparteve të UM, si pjesë e tyre;

–              Mungesë e ambjenteve të mjaftueshme për pacientin, parë kjo në raport me numrin e dhomave dhe shtretërve;

–              Mungesë e theksuar e ambjenteve në funksion të personelit mjekësor;

–              Infrastrukturë e papërshtatshme për hyrjen në urgjencë, ambjentet e parkimit të auto-ambulancave si dhe sinjalistikës së brendshme të shërbimit të urgjencës;

–              Mungesë e theksuar e pajisjeve duke filluar nga paisjet bazë (barrela, karrige etj), aparatuarave dhe pajisjeve të veçanta të domosdoshme në marrjen e masave për shpëtimin e jetës;

–              Numër i vogël i auto-ambulancave të tipit të avancuar, si dhe mungesa në pajisjen e tyre me aparaturat e duhura;

–              Mangësi në personel të të gjitha niveleve (mjekë, infermierë, paramedikalë, barrelistë);

–              Personel mjekësor i patrajnuar në fushën e ugjencës si dhe mungesa e planeve të trajnimit të vazhdueshëm;

–              Mungesa e protokolleve të miratuara të mjekimit, specifikisht për urgjencën;

–              Mosfunksionim i sistemit të triazhimit (klasifikimit sipas rëndësisë së rasteve të paraqitura).

Për të riorganizuar dhe përmirësuar shërbimin e urgjencës mjekësore, në Nëntor të vitit 2014 u miratua ligji nr. 147/2014 “Për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore”, i cili do të sillte përmirësim të Sistemit të Urgjencës në Shqipëri.

Nga ky auditim u evidentuan dy problematika kryesore.

Së pari, në zbatim të të cilit MSH deri në tetor të vitit 2015 duhet të kishte miratuar një sërë aktesh nënligjore dhe normative të domosdoshme për riorganizimin e Sistemit të Urgjencës Mjekësore, por që ende nuk janë miratuar. Mosnxjerrja e akteve normative nga Ministria e Shëndetësisë, për zbatimin e ligjit nr. 147/2014 “Për urgjencën mjekësore”, ka sjellë vonesa në përcaktimin e standardeve të ndryshme, që parashikohej të miratoheshin nëpërmjet këtyre akteve, si dhe vëvien në zbatim të tyre.

Së dyti, pavarësisht se ligji 147/2014, “Për urgjencën mjekësore”, përfshin gjithë sistemin e urgjencës mjekësore në të gjitha nivelet e saj, parësor, spitalor, spitalor universitar dhe të traumës, riorganizimi i konceptuar deri tani përfshin vetëm një pjesë të këtij shërbimi, i cili konsiston në koordinimin e urgjencave të mbërritura në numrin 127 në Qendrën e Koordinimit të Urgjencave, identifikimin dhe dërgimin në vendin e ngjarjes të autoambulancave së bashku me ekipin, dhënien e ndihmës së parë dhe trajtimin paraprak në autoambulancë si dhe transportimin në qendrën spitalore më të afërt, por edhe kjo hallkë e këtij zinxhiri nuk është e plotë. QKUM ka përgatitur dhe ka përpunuar të dhënat mbi mënyrën e riorganizimit të vendqëndrimeve të auto-ambulancave, numrit të tyre sipas ndarjeve administrative referuar numrit të popullatës, strukturën e personelit që do të shërbejnë në autoambulancë dhe vendqëndrimet e tyre, si dhe ka kryer prezantimin grafik të tyre në disa qendra administrative, por ende nuk e ka bërë funksional.

Duhet të theksojmë se edhe kur të fillojë funksionimi i riorganizimit të ri, nuk do të zgjidhë problematikat e SHUM, pasi raporti i numrit të rasteve të urgjencës të paraqitur vetë në qendrat shëndetësore, në krahasim me numrin e rasteve të transportuar me autoambulanca është disa herë më i lartë, ky raport është rreth 90/10, pra ky riorganizim do të përmirësojë 10 % të shërbimit.

Mosplotësimi i shumë standardeve si nga shërbimi parësor, ai me autoambulancë, spitalor e më tej, janë problemet themelore të këtij shërbimi. Duke e parë si një sistem të tërë zinxhir e për të patur një performancë të arrirë duhet të funksionojnë të gjitha hallkat e tij, sipas kritereve dhe standardeve. SHUM ka nevojë për ndërhyrje urgjente me qëllim plotësimin e standardeve minimale, që një shërbim i urgjencës mjekësore të ketë cilësi të lartë dhe të ofrohet në një kohë sa më të shpejtë. Që të arrihet kjo duhen përmirësuar treguesit e mëposhtëm, të cilët deri tani paraqesin mangësi, e konkretisht:

–              Ekzistenca e standardeve të ndryshme, në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të SHUM, në rang vendi;

–              Mosfunksionimi si duhet i shërbimit të kujdesit parësor (mjeku i familjes) i cili ka sjellë fluks të lartë të pacientëve që drejtohen për shërbim në repartet e urgjencës;

–              Mungesë e theskuar e standardeve të miratuara për realizimin e procesit të akreditimit të ISH, në lidhje me infrastrukturën, burimet njerëzore, aparatura, pajisje dhe medikamente mjekësore, etj.

Në përfundim mund të themi se: -Kujdesi ndaj shëndetit në sistemin e Urgjencës Mjekësore, është ende larg plotësimit të standardeve për ofrimin me cilësi dhe në kohë të këtij shërbimi jetik për individin. MSH, QKUM dhe strukturat e tjera të ngarkuara me ligjin 147/2014, po ecin me ritme të ulta në plotësimin e akteve normative dhe riorganizimin e sistemit. Aktualisht në institucionet shëndetësore, vepron një SHUM me mangësi në plotësimin e standardeve në disa komponentë si: -burime njerëzore (sasi dhe cilësi), infrastrukturë, kushte pune dhe të sigurisë në punë; mjete transporti dhe pajisje mjekësore; medikamente, shtuar këtyre dhe një nivel jo të mirë të kulturës mjekësore të popullatës. Ka mungesë organizimi dhe bashkëpunimi të kater niveleve të urgjencës. Me efektivitet dhe eficencë të ulët, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e SHUM paraqitet edhe shërbimi shëndetësor parësor, i cili ka një rol potencial për të përmirësuar cilësinë e shëndetit, me efekt në uljen e rasteve të urgjencës mjekësore si dhe uljen e kostove financiare.

*Audituese e Lartë, KLSH

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here