Parkimi nëntokësor/ Sheshi “Skënderbej”, veç betonin në sipërfaqe do të ketë edhe parkim nëntokësor

0
420

“Bashkia e Tiranës ka ndryshuar projektin fillestar për ndërtimin e sheshit Skënderbej, duke shtuar edhe një parkim nëntokësor, por askush nuk ka informacion”

Sheshi Skënderbej ka qenë gjithmonë një mollë sherri për të gjithë kryebashkiakët e Tiranës. Ky shesh duket se ka një rëndësi shumë të veçantë për të gjithë, pasi të gjithë duan që të ndërtojnë aty. Në 25 vite të demokracisë sheshi në qendër të Tiranës ka ndryshuar disa herë pamjen e tij. Askush nuk e pëlqen atë që është bërë nga paraardhësi i tij, dhe për këtë gjë miraton një projekt për ta ndërtuar sipas shijeve të tyre. Ky shesh mban emrin e heroit kombëtar dhe duhet që të simbolizonte bashkimin dhe fuqinë që ka bashkimi, por krejt e kundërta ndodh pasi të gjithë ndahen për këtë shesh. Akuza, kundër akuza, plane betonizimi, plane pa plan, ndërtime, shembje e më pas rindërtime. Kjo është me pak fjalë fabula e sheshit “Skënderbej”. Një masakrim që askush më mirë se politikanët shqiptarë, nuk mund t’ia bënte krye sheshit të metropolit shqiptar. Planet, ndërtimet dhe rindërtimet që kanë ndodhur në këtë shesh këto 6 vitet e fundit kanë lënë pa fjalë jo vetëm qytetarë shqiptarë që i jetojnë mbi kurrizin e tyre këto “vepra” , por edhe vizitorët e huaj.  Sheshi në qendër të Tiranës ishte ndërtuar vetëm pak kohë më parë, në vitin 2012 por pamja nuk ishte në shijet e kryetarit të ri Erion Veliaj. Pasi arriti që të fitoj zgjedhjet ai nuk nguroi që të shpallte projektin e tij për sheshin. Pedonalet janë kryefjala e tij dhe preferoi që edhe këtë shesh ta kthej në një pedonale. Pak muaj pas ardhjes në detyrë të kryetarit të ri filluan punimet në sheshin Skënderbej. Çdo kush që ka një makinë dhe detyrohet për të kaluar në rrugët që kalojnë anës tij e di shumë mirë se aty ka punime. Mbyllja e rrugëve që të çojnë në sheshin Skënderbej kanë disa muaj që janë mbyllur, dhe kjo gjë ka shkaktuar një trafik shumë të rënduar në Tiranë. Radha të gjata më makina ndotje akustike dhe ndotje mjedisi, por ndërtimet në shesh duhet bërë patjetër. Nga një lulishte e madhe, që ndoshta nuk kishte ndonjë bukuri të madhe, tani sheshi do të kthehet në një pistë me beton që nuk do ti shërbej askujt. Projekti nisi vetëm si ndërtim i një sheshi më gji komponentë te tij, por duket se rrugës pati ndryshime. Fondi që ishte parashikuar për ndërtimin e këtij sheshi nuk mjaftoi dhe bashkia akordoi edhe një fond shtesë, për të ndërtuar edhe parkimin nëntokësor, që nuk ishte në projektin fillestar. Gazeta “standard” para disa javësh publikoi një lajm, i cili jepte detajet e fondit që është akorduar nga bashkia për ndërtimin e parkimit. Në vendimin e publikuar nuk thuhej që është për parkimin, por një postim i kryeministrit flet për ndërtimin e një parkimi nënën tokësor. Ja çfarë thuhej në lajmin e publikuar disa javë më parë: “Nga shpërndarja e fondit për programin e Menaxhimit të Rrugëve dhe Transportit Publik vlera nga fondi shtesë nga ana e bashkisë është dhenë dhe për  sheshin Skënderbej. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës me vendimin e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve nr. 45 datë 19.09.2016 për “ Shpërndarjen e financimit të projekteve, thirrja lll, e grantit “ Infrastruktura vendore dhe rajonale”, program “ Zhvillimi i Infrastrukturës vendore dhe rajonale”, fondi për objektin “Ratifikimi urban i sheshit “Skënderbej”  Faza ll-të me vlerë totale projekti 1,175,990,790 lekë. Vlera e bashkëfinancimit të bashkisë është 475,990,790 lekë e cila do të parashikohet në buxhetin e vitit 2017 nga të ardhurat e bashkisë me vlera e financimit për vitin 2016 nga FZHR është 700,000,000 lekë. Për projektin e sipërpërmendur pasqyruar dhe në tabelën bashkëngjitur këtij shkrimi vlerat e mbikëqyrje dhe kolaudimit do të mbulohen nga fondet e të ardhurave të bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye lind dhe nevoja që do të bëhen ndryshime në buxhetin e bashkisë së Tiranës duke bërë rishpërndarjen fondesh në buxhetin e vitit 2016”.

Pak më herët kryeministri Edi  Rama me anë të profilit të tij në Facebook, ka publikuar disa foto dhe një video për prezantimin e ndërtimeve në sheshin Skëndërbej. Në këtë postim shihej që përveç ndërtimin në sipërfaqe do të ketë edhe ndërtim në brendësi të tij. Fjalia e parë e të cilit ishte: “Nis së shpejti ndërtimi i parkingut nëntokësor të sheshit Skënderbej”. Për parkimin deri atë ditë askush nuk kishte asnjë informacion, pasi më herët ishte njoftuar vetëm për rikualifikim e tij tij në sipërfaqe.  Njoftimi shoqërohet nga disa foto render të parkingut të ri. Fotot render si zakonisht ishin manipuluese, por në këtë rast manipulimi është ekzagjeruar pasi për të “zbutur” pamjen e betonit masiv në render janë shtuar si me magji pemë të larta shumë-vjeçare të mbjella në tabanin prej betoni nën dhe të parkimit.

Sidoqoftë, fotot teknike të projektit lënë të nënkuptohen tre gjëra:

  • Parkimi do të ketë përmasa të mëdha
  • Parkimi do të ketë dalje ajrore dhe funksionale mbi shesh, pra do të zërë një pjesë të hapësirës aktuale të sheshit
  • Parkimi do të ketë hapësirë tregtare me kioska e ndoshta qyqane

Edhe pse, sikurse bëri me dije Kryeministri, ndërtimi filloi pak ditë nga momenti që u publikua ai postim, ai dhe askush tjetër nuk ka dhënë asnjë informacion apo detaj minimal mbi projektin. Nuk dihet nga doli ideja e projektit pasi ai nuk është përfshirë në asnjë projekt të mëparshëm as të Sheshit Skënderbej dhe as të qendrës së Tiranës, madje ai nuk është pjesë as e masterplanit të Tiranës, të cilin bashkia po bën sikur po e diskuton në publik pa respektuar asnjë proçedurë të parashikuar për dëgjesat publike. Madje projekti, bie ndesh me projektin e Sheshit Skënderbej që Bashkia Tiranë paraqiti publikisht para disa muajsh ku nuk parashikohej asnjë parkim dhe aq më tepër dalje ajrore e parkimit në shesh, siç duket nga renderi i mëposhtëm. Nuk dihet kush, si dhe me çfarë procedure e projektoi projektin, që duket se është bërë në fshehtësi, duke shkelur çdo procedurë ligjore; nuk dihet kur dhe si është miratuar projekti. Nuk dihet a është diskutuar me ekspertët dhe me publikun, që me gjasa nuk ka ndodhur. Nuk dihet projekti teknik i sheshit, shtrirja, thellësia, kapaciteti; nuk dihet çfarë do përmbajë veç vendeve të parkimit; nuk dihet kostoja e tij; nuk dihet si do ndërtohet dhe si do operohet. Ne vetëm mund të marrim me mend se projekti është projektuar nga ndonjë prej studiove të zakonshme që përfiton tenderët e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë dhe do të ndërtohet apo administrohet me koncesion, nga ndonjë nga firmat e zakonshme që përfiton koncesione dhe kontrata publike nga qeveria apo bashkia Tiranë.

Reagimet politike kundër ndërtimeve në shesh

Partia Demokratike

Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës kanë akuzuar kryebashkiakun Veliaj se bllokimi i sheshit Skënderbej ka krijuar  kaos në trafik. Mateo Spaho tha se vështirësi kalimi kanë automjetet si autoambulancë dhe zjarrfikëse. “Tirana, qendra e saj është në një emergjencë të madhe. Është në një emergjencë të trafikut që po shkatërron nervat e qytetarëve të Tiranës, po shkatërron ekonominë e tyre, po i lë në mes të trafikut, po përkeqëson ndjeshëm cilësinë e ajrit në të gjithë zonën, dhe në anën tjetër është në një emergjencë shëndetësore pasi ambulancat, zjarrfikësja dhe shumë mjete të tjera fizike, kanë një vështirësi të madhe për të kaluar dhe ngadalësojnë vazhdimisht hapin e tyre, duke përkeqësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Veliaj thjesht po bllokon qendrën e Tiranës, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për xhepat e të gjithë qytetarëve, për shëndetin e të gjithë qytetarëve. Edhe unaza e vogël që duhej të ndërtohej e duhej të përfundonte është ende larg përfundimit të saj”.

Lëvizja socialiste për Integrim

Reagime kundër ndërtimeve në shesh dhe trafikut që po shkakton, për arsye së punimet po bëhen në të gjithë hapësirën e tij, ka pasur edhe nga Lëvizja Socialiste për Intergrim.  Në një intervistë për “standard” Endrit Brahimllari, i cili është edhe anëtar në këshillin bashkiak deklaroi se  nuk kishte informacione për ndërtimet në shesh dhe bllokimi i qarkullimit, ishte një sakrificë e tepërt që po kalojnë qytetarët e Tiranës. “Ne i kemi dërguar baskisë për sa i përket sheshit në qendër të qytetit. I kemi dërguar një shkresë në datën  9 maj ku pas një konsulte publike, me përfaqësues të shoqërisë civile, me arkitektë dhe urbanistë, kërkonim informacion për projektin. Nuk na është kthyer kjo përgjigje. I kemi dërguar një shkresë të dytë për këtë çështje për të bërë transparente fazat e zhvillimit të bllokimit të sheshit, por mbi të gjitha për të sistemuar trafikun në Tiranë. Unë e kuptoj që zhvillimi i qytetit kërkon sakrifica por kjo është një sakrificë e tepërt që po kalon Tirana”.

Gjergj Bojaxhi

Por së fundmi edhe Gjergj Bojaxhi ka bërë një kallëzim për parkimin nëntokësor në sheshin Skënderbej. Sipas tij ky parkim po bëhet kundër ligjeve. Punimet për ndërtimin e parkimit nëntokësor në sheshin Skënderbej në Tiranë dyshohet se po ndërtohen në shkelje të ligjit, pasi sipas tij këto punime nuk ka leje ndërtimi. Për këtë arsye ai ka kallëzuar penalisht IMT –në e Bashkisë së Tiranës. Kallëzimi është bërë në prokurorinë e Tiranës. Sipas tij, IMT e Bashkisë së Tiranës ka shkelur ligjin duke mos ndërhyrë për të ndërprerë punimet. Në një deklaratë ku sqaron vendimin, Bojaxhi thotë se gjatë vitit 2015, 619 qytetarë u dënuan për ndërtime pa leje duke përfshirë këtu edhe raste për rrethim prone. “Ndërkaq Bashkia ndërton pa leje dhe në shkelje të ligjit në mes të Tiranës. Ku është barazia para ligjit?”. Sipas Bojaxhi, qytetarët sot qeverisen nga një pushtet që e përdor ligjin si mjet represioni dhe jo si mjet që rrjedh nga një kontratë shoqërore për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here