S’pranoi “sugjerimin” për dorëheqje, shkarkohet drejtoresha e kopshtit në Tropojë

0
302
Kalimi i institucioneve arsimore në varësi të Bashkive ka sjellë dhe përplasjet e para me emërimet dhe shkarkimet.
Kështu ka ndodhur edhe në Bashkinë e Tropojës, ku zyrtarët kanë shkarkuar nga detyra drejtoreshën e një kopshti, pavarësisht se ajo pretendon se kjo është e drejtë e Drejtorisë Arsimore, ndërkohë që bashkia ka për detyrë vetëm të paguajë punonjësit, pasi ende nuk janë plotësuar aktet normative.
Por, para se asaj t’i vijë urdhri i shkarkimit, asaj i kanë ardhur një sërë sugjerimesh që ta lirojë atë vend vetë, madje duke u pretenduar se ajo ka marrë pjesë në fushata elektorale.
Përgjegjësja e kopshtit nr. 2 në Tropojë, Shpresa Osmani tregon për Fiks Fare se disa herë është ushtruar presion ndaj saj për të lënë këtë vend pune. Sipas saj, fillimisht është sugjeruar nga Drejtori i Personelit në Bashkinë e Tropojës, Kujtim Osmani, i cili kishte kontaktuar me të afërmit e saj dhe kishte kërkuar që ajo të jepte dorëheqjen nga përgjegjëse e kopshtit me qëllim që t’i gjenin një vend pune.
Pas tij e ka thirrur në zyrë drejtori i shërbimeve, Zenel Çela, i cili i ka thënë se duan ta heqin, por që ai do e ndihmonte t’i gjente një vend tjetër. Pasi ajo nuk ka pranuar, bashkia ka nxjerrë një plan kontrolli dhe ka ushtruar kontroll në kopshtin e saj, duke realizuar shkurtimin e vendit të punës me pretendimin se nuk plotëson numrin e nxënësve për të pasur një përgjegjëse kopshti. Madje, një sugjerim të tillë ia ka dhënë dhe specialistja e burimeve njerëzore Sabahete Nezaj.
Pas ankesës së drejtoreshës së kopshtit, ne shkuam në bashki dhe pyetëm në lidhje me motivin e shkarkimit të drejtoreshës së kopshtit, por dhe sugjerimet që i ishin bërë para se të vinte vendimi.
Gjatë një interviste me drejtorin e shërbimeve, Zenel Çela, ai deklaron se ajo nuk është shkarkuar, por është bërë shkurtim i vendit të punës, pasi në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ajo nuk plotëson numrin e nxënësve në këtë kopsht. Kështu, bashkia ka vendosur që të lërë një përgjegjëse për dy kopshte.
Sa i përket presioneve të ushtruara, ai pretendon se këto ia ka thënë si mik, pasi e njeh drejtoreshën e kopshtit prej vitesh. Gjithsesi, ai thotë se nuk është kompetencë e tij për ta hequr, pasi ai thjesht ka ushtruar kontroll në bazë të planit të punës të miratuar nga bashkia dhe ka bërë sugjerimet përkatëse, por pa përmendur emra konkretë.
Kurse drejtori i personelit, Kujtim Osmani, nuk pranon të flasë për kamerën e Fiks Fare, me pretendimin se ka konflikt interesi dhe ka hequr dorë nga kjo çështje.
Ai nuk pretendon të komentojë as sugjerimet që ka bërë sipas pretendimeve të ankueses.
Gjithashtu, specialistja Sabahete Nezaj pretendon se e ka këshilluar drejtoreshën si mikeshë, Por, ndryshe nga sa pretendon Çela, ajo shpjegon se urdhri për shkurtim është firmosur nga vetë ai, pasi Kujtimi ka dhënë dorëheqjen nga kjo çështje. Gjithashtu, ajo pranon se çështja e akteve nënligjore është një ngërç që duhej të ishte zgjidhur më herët nga Ministria e Arsimit
Por cilat janë këto sugjerime që i kanë dhënë këta zyrtarë të Bashkisë drejtoreshës së kopshtit. Shpresa Osmani ka regjistruar bisedat me këta persona, ku rezulton se Zenel Çela e ka thirrur në zyrë fillimisht.
Në bisedën e parë, Zenel Çela e thërret drejtoreshën Osmani në zyrën e tij dhe i thotë se do ketë ndryshime, por nëse ajo mendon ndonjë vend ku të shkojë, ai mund ta ndihmojë. Pasi ajo nuk pranon ofertën, ai i thotë se nuk ka asgjë zyrtare, por e ka thirrur si mik.
Në bisedën e dytë, drejtori i shërbimeve, Zenel Çela shkon në zyrën e Osmanit dhe i thotë se kishte parë urdhrin për shkarkim, ndërkohë që ajo i kërkon t’ia sjellin me shkrim dhe se ata nuk kanë të drejtë ta kontrollojnë, pasi këto atribute i ka Ministria e Arsimit dhe Drejtoria Rajonale e Arsimit. Në këtë bisedë, Çela pretendon se ajo është filmuar në fushatë elektorale.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here