Rama ironi për Vettingun, reagon PD: Gënjeshtrat e tua kushtojnë qindra milion euro çdo vit

0

Pas statusit të kryeministrit Rama në “Facebook” në lidhje me përkthimin e ligjit të Vettingut, i cili ironizon Partinë Demokratike, duke thënë se vetëm Basha dhe PD janë “i vetmi përkthyes besnik i te vërtetave të këtij vendi”, ka reaguar Gert Bogdani.

Deputeti demokrat shprehet se ‘gënjeshtrat e Ramës i kushtojnë qindra miliona euro çdo vit duke mashtruar dhe vjedhur popullin’.

“Ti gënjen e ç’të gënjyer! Gënjeshtrat e tua kushtojnë qindra miliona euro çdo vit duke mashtruar dhe vjedhur popullin tënd. Të paktën Merkelin nuk e kishe gënjyer dot siç nuk gënjen dot më asnjë udhëheqës evropian apo amerikan. Tani ka ardhur koha të merresh me kohë të plotë me ekspozitat dhe të provosh a hap dot ndonjë pa qenë kryeministër”- thuhet të deklaratën e përfaqësuesit të PD-së.

“Genjej unë genjen BE genjejne SHBA genjejne te gjithe veç Lulit e PD qe jane i vetmi perkthyes besnik i të vertetave të ketij vendi”- kishte shkruar më herët Rama në “Facebook”.

Kujtojmë se një ditë më parë Bashkimi Europian dënoi ashpër akuzat e bëra në drejtim të EURALIUS dhe delegacionit të BE sa i takon gabimeve në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar, që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias, duke i cilësuar ato të rreme.

Lini nje pergjigje