Italia miraton ligjin për call center; Operatorët: Sektori në Shqipëri në rrezik

0
267

Me 166 vota pro, 70 kundër dhe 1 abstenim Senati italian miratoi sot pas dreke ndryshimet në ligjin për Buxhetin 2017, pjesë e të cilit është edhe ai për ndryshimet në shërbimin për call center. Senati e miratoi Buxhetin pa ndryshime, ashtu sikundër i kishte mbërritur në datë 28 nëntor nga Dhoma. Kriza e qeverisë, e ndjekur nga referendumi Kushtetues ka përjashtuar çdo tentativë për modifikime nga ana e Senatit. Qëllimi ishte që ky projektligj të kalonte sa më shpejt për t’i hapur rrugë çështjeve politike.
Masat që parashikon në ligj kanë të bëjnë me kapitullin ku trajtohen marrëdhëniet e punës dhe familja. Amendimet në ligjin për shërbumin call center synojnë frenimin e zhvendosjes së këtyre investimeve në vende që nuk janë pjesë e BE-së.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomemin e delokalizimit.

Masa e parë konkretizohet në rishkimin e plotë të nenit 24, që është pjesë e ligjit 83/2012. Sipas disiplinës së re, nëse një operator ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin te organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e punonjësve.

Kjo normë ekzistonte edhe në ligjin e vitit 2012, por amendimet zgjerojnë listën ndaj të destininuarve të komunikimit, ku përveç Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit, në dijeni duhet të vihet edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me numrat telefonikë që do të vihen në dispozicion të publikut.

Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me ashpërsimin e sanksioneve për mos njoftime apo vonesa që llogariten deri në 150,000 euro.

Njoftimi duhet të bëhet jo më shumë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit të Buxhetit edhe nga operatorët që tashmë janë të delokalizuar. Nëse këta të fundit nuk zbatojnë detyrimin, atëherë mbi ta do të zbatohen sanksione administrative deri në 10,000 euro për çdo ditë vonesë..

Gjithmonë me qëllim frenimin e delokalizimit, reforma vendos (duke konfirmuar një princip që ekzistonte) përjashtimin nga lehtësitë fiskale të këtyre tipologjive.

Amendimet parashikojnë edhe forcimin e të drejtës së subjektit që merr një telefonatë nga një call center për t’u informuar vendin nga bëhet thirrja. Kjo do të bëhet e detyrueshme 90 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të Buxhetit. Moszbatimi i këtij detyrimi do të shoqërohet me një saknksion administrativ prej 50,000 euro për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’.

Po me 50,000 euro gjobë ndëshkohet edhe moskomunikimi me Ministrinë e Punës në lidhje me identifikimin e vendndodhjes të call center.

 

Operatorët: Sektori në rrezik

Agron Shehaj, administrator i Intercom Data Service parashikon që në Shqipëri sektori do të shkojë drejt tkurrjes në rastin më të keq, në rastin më të mirë nuk rritet, ose do të zgjerohet më me vështirësi.

Znj. Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, kompania më e madhe call center në Shqipëri, sipas të ardhurave tha se “Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së”, thotë ajo.

Diego Pisa, administrator i Teleperformance, operatorit të tretë më të madh në vend, pohon se në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. “Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më”, thotë ai.
Ndërsa operatorët e mëdhenj pritet t’i mbijetojnë kësaj vale shtrënguese, do të jetë më e vështirë për të vegjlit. Gentian Drenova nga Unioni i Shoqërive të Call Center pohoi se me amendimet në ligjin Italian tregu do të formalizohet dhe shumë nga bizneset e vogla do të mbyllen dhe gjithashtu kërkesa për shërbime nga Italia do të bjerë.

Në Shqipëri numërohen mbi 800 kompani call center me mbi 25 mijë të punësuar.

Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tre ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar (shih tabelën në fund), sipas të dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.

Call Center është  sektori i katërt më i madh në vend, përsa i përket numrit të të punësuarve, pas tregtisë-shërbimeve, ndërtimit  dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT.

Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.

Qeveria dështoi të parandalonte dhe lobonte

Roberto Caparrota, administrator në call center, i cili që në fillim ishte shumë aktiv, duke kërkuar që qeveria shqiptare të merrte masa për të lobuar dhe për të zbutur masat shtrënguese, që parashikonte të merrte qeveria italiane, është i ashpër kur thotë se ka ndodhur ajo që faqe mirë mund të evitohej.

“Duke qenë se ka 5 muaj që ligji diskutohej, duhej ndërhyrje e qeverisë shqiptare, duke parë marrëdhëniet e mira politike e kulturore që kemi”, tha ai për Monitor, menjëherë pasi u mësua vendimi i kalimit të ligjit nga Senati italian.

Mund të ndërmjetësonin e të gjenin një kompromis, pohoi ai, por, deri në ditën e fundit kemi parë vetëm indifierencë dhe institucionet përkatëse janë kufizuar vetëm, që për opinionin publik të bënin një deklaratë që do të ndërhynin. Por, duket se kjo ishte thjesht një reagim ndaj zhurmës mediatike për të justifikuar indiferencën. Ditët e fundit nuk ka pasur më asnjë informacion se çfarë ishte arritur.

Caparrota thotë se ky është një ligj i rëndësishëm, nga i cili varet e ardhmja e të rinjve shqiptarë, sepse nga puna në call center mbaheshin ekonomikisht 25 mijë të rinj, që ndërkohë u jepej mundësia edhe të studionin.

Ai thotë se qeveria nuk është e përgatitur dhe nuk ka një plan B, ndërkohë që duhet të kishte reagim konkret që të evitonte miratimin e këtij ligji. Në mënyrë ironike, ndërsa kemi marrë statusin dhe presim të hapim procesin e negociatave, po trajtohemi si një vend i tretë./monitor

NDRYSHIMET LIGJORE

call-center call-center-2

call-center-3

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here