Parku 2?! Bashkia projekton ndërhyrjen e dytë në Parkun e Liqenit Artificial

0
717

 

Në projekt përcaktohen edhe materialet që do të ndërtohen këto fusha, dhe bie në sy që do të përdoret përsëri betoni”

Kur kanë kaluar vetëm pak muaj nga shuarja e debatit për ndërtimet në Parkun e Liqenit Artificial,  duket se bashkia e Tiranës do të vazhdojë një betejë të re me qytetarët e aktivistët e shoqërisë civile.  Këndi i lojërave për fëmijët i  cili u inaugurua në 1 qershor, pati një qëndresë shumë të madhe dhe kundërshti të cilat dominuan mediat për shumë kohë me radhë. Ndërtimi i këtij këndi të lojërash u kundërshtua nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, por përsëri bashkia nuk u tërhoq nga projekti i saj. Nga protestat e shumta bashkia u detyrua që të ndryshonte disa detaje nga projekti, për të ulur sa do pak zërat e kundërt. Por vetëm pesë muaj më pas, duket se do të ketë edhe një ndërhyrje tjetër në këtë park. Autori i programit të mbyllur tashmë, “Publicus”, Artan Rama, publikoi një shkrim i cili shpjegonte projektin që bashkia kërkon ta zbatojë. Në këtë shkrim paraqiteshin shifrat të cilat do të shpenzoheshin për të jetësuar projektin. Për të shkuar më tej në kërkuam dokumentet të cilat e vërtetojnë këtë shkrim. Në tashmë disponojmë të gjithë dokumentacionin, i cili tregon vendin e ndërhyrjes dhe të gjithë shëndrrimin që do ti bëhet kësaj zone.  Administrata e re e bashkisë, ka krijuar një drejtori e cila quhet Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila ka në menaxhim të gjitha parqet e bashkisë të Tiranës. Kjo agjenci ka njoftuar zhvillimin e një tenderi me një vlerë prej 10,533,264 lekë, pa TVSH, për ndërtimin e disa fushave sportive brenda hapësirës së Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

foto3

Hapësira ku do të ndërtohet

Hapësira në të cilën do të ndërtohen këto fusha është në krahun perëndimor, të varrezave të britanikëve që janë vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas dokumentacionit  e gjithë hapësira e fushave që janë në atë zonë do të kthehet në një fushë me beton.  Afati i parashikuar i punimeve është 25 ditë që nga data e lidhjes së kontratës. Edhe pse është parashikuar ndërtimi i një fushe futbolli, një fushe regbie,  një basketbolli dhe një volejbolli, përsëri kohëzgjatja është shumë e vogël. Projekti përfshin gjithashtu, ngritjen e një sistemi qarkues pankinash për spektatorë, si dhe vendosjen e Info Point për të komunikuar me qytetarët.  Ndërtimi i një infrastrukture mbështetëse, për të siguruar një sistem ndriçimi e mirëmbajtjeje, është parashikuar në funksion të kompleksit të ri sportiv.  Kjo ndërhyrje do të jetë e dyta nga agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, e cila tjetërson hapësira të gjelbërua  brenda një territori ndaj të cilit publiku ka një ndjeshmëri të lartë. “Me anë të këtij projekti synohet të rikualifikohet infrastruktura ekzistuese më një: Fushë futbolli dhe regbi ( 2 ne 1 ), Fushë basketbolli, Fushë vollejbolli dhe një info point. Nga monitorimi që i është bërë kërkesave të komunitetit për shfrytëzimin sa më të mirë të parkut vazhdimisht APR ka hasur në kërkesën e ngritjes së fushave sportive. APR pasi studioi me vëmendje hapësirat në PMLAT propozoi që fushat të jenë në zonën pranë Varrezave të Ushtarëve Anglezë pasi në këtë zonë mungon pyllëzimi dhe kjo zonë është lehtësisht e aksesueshme nga frekuentuesit e parkut.”-thuhet ne projektin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.  Por diçka që nuk shkon në këtë projekt është edhe emërtimi i tij “Rikualifikimi i fushave”, në një situatë që aty nuk  ka fusha të mirëfillta për të ushtuar sportet e lartë përmendura.

15368820_1308442942540295_1505063983_o

Matërialet  që do të përdoren

Më tej në projekt përcaktohen edhe materialet që do të ndërtohen në këto fusha, ku bie në sy që do të përdoret përsëri betoni. Ky material është premtuar më herët nga kryetari i bashkisë, se nuk do të përdoret kurrë për ndërtimet në park. Në projekt thuhet se fusha e basketbollit do te ketë një shtresë betoni prej 15 centimetër, po ashtu edhe fusha e volejbollit. Ndërsa fusha e dyfishtë futboll regbi do të shtrohet me tapet bari, rërë natyrale dhe shtresë granili. Bazamenti “Info Point” dhe pankinat do të jetë beton dhe zhavorr së bashku. Në ndërhyrje parashikohet gjithashtu, ndërtimi i një rrjeti infrastrukturor ndriçuesish, prozhektorësh LED, pusetash, si dhe një numër shtyllash metalike me lartësi prej 7.5 m.

Këto janë vetëm disa nga informacionet që janë bërë publike deri tani, por nga bashkia na është premtuar që do na jepet materiali i plotë , ku sqarohet çdo gjë që do bëhet. Na është premtuar që do të sqarohet opinioni publik për këtë ndërtim dhe çfarë parashikohet që të bëhet. Për shkak se projekti nuk është ende i përfunduar, materialet nuk janë të gjitha gati.

kontrata

Reagimi nga Bashkia

gonxhe

Blendi Gonxhe: Procedura është transparente, informacion të zgjeruar kur të jetë gati

Pas këndit të lojërave që u ndërtua në fillim të këtij viti, bashkia duket se po projekton edhe një ndërhyrje tjetër në kurorën e gjelbër të Tiranës. Për të sqaruar këtë situatë e cila deri tani nuk  ka shumë informacion, kërkuam një detaje nga ana e bashkisë. Informacionet i kemi kërkuar nga Blendi Gonxhe i cili është edhe drejtori i parqeve dhe rekreacionit.  Sipas tij projekti ende nuk ka filluar që zbatohet, pasi është ende në fazat e para. Ai na tha që çdo gjë deri tani është transparente dhe konform interesit publik. “Kam porositur që të mbledhin informacione. Nuk është mbaruar ende procedura e po ashtu nuk është lidhur kontrata. Sapo të jeni si informacione  do ju dërgohen në një përmbledhje. Ndërsa për faktin së çfarë është prokuruar është online. Kjo se më duhet që të filloj nga puna e bukur.” –sqaroi Blendi Gonxhe.  Sipas tij projekti që është ideuar do të shëndrroj një baltovine ku frekuentuesit deri sot vriteshin , do të bëhet dritë e funksionale. Na është premtuar që ditët në vijim do të kemi informacion më të detajuar për të hedhur më shumë dritë në këtë projekt.

______________________________________________

alida

Rikualifikimi i fushave

“Dëgjesat e projektit u bënë në 2003-in?!”, Karakushi: Pse ka mungesë transparence

Shumë prej aktivistëve janë edhe të denoncuar nga vetë qeveria, dhe aktualisht janë duke kaluar në faza të ndryshme në gjykatë”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Zhurma për ndërtimet në park duket se do të kthehet edhe njëherë. Bashkia e Tiranës ka planifikuar disa ndërtime të reja në një pjesë tjetër të Kodrave të Liqenit Artificial. Një fushë e cila është më barë dhe gjelbërim, në muajt e ardhshëm mund të kthehet në një fushë me beton. Aktivistët që mbrojnë parkun përsëri kanë reaguar kundër këtij projekti, dhe sipas tyre po shkatërrohet gjithë mushkria e Tiranës. Alida Karakushi e cila ka qenë një nga aktivistet që ka qenë, organizatorja dhe një zërat më kritikë në protestat qëndresat zhvilluara për këndin e lojërave. Karakushi e cila është edhe studiuese e politikave publike, në një intervistë për gazetën ka treguar së projekti i cili po bëhet nuk ka asnjë lloj transparence. Sipas saj ky projekt po fillon që të zbatohet dhe po shkatërrohet parku i liqenit. Ajo na tregoi se në një vend ku tani ka bar dhe jeshillëk, për disa muaj pritet të ketë beton.

Ju së bashku me një grup aktivistësh keni bërë një qëndresë për projektin e parë i cili konsistonte në ngritjen e një këndi lojërash për fëmijë. Cila ishte arsyeja që ju shtyu të ndërmerrnit akte të tilla?

Protesta e parë filloi që në muajin shkurt dhe zgjati deri në qershor. Arsyeja që ne reaguam aq fortë ishte frika se projekti do rihapte rrugë projekteve të tjera të këtij lloji të ndërmarra në mënyrë kaq arbitrare. Prandaj dhe reagimi ynë ishte kaq këmbëngulës.. Kur një praktikë e paligjshme, bekohet nga vetë institucionet, ajo krijon një precedent për projekte të paligjshme më vonë.  Tani kemi sërish të njëjtin fenomen, ku sërish kemi mungesë totale të informacionit, apo dokumentacioni e procedurash që tregon mungesën e një studimi para eleminar të ndikimit në mjedis.  Unë dyshoj që këtu sërish mungon leja mjedisore.  Projekti është ende në fazat e para, por po të vëreni vetë ju në terren do konfirmoni se  janë  bërë ndërhyrje,janë bërë gërmime, është shtruar zhavorr dhe rërë dhe këto bëjnë beton. Edhe njëherë, pra mungon leja e ndikimit në mjedis, që e bënte të paligjshëm çdo lloj projekti që bëhet në park dhe mungon leja mjedisore. Praktikë kjo, që shkon ndesh me konventën e Aarhusit të cilën Shqipëria e ka firmosur. Kjo  konventë kërkon që për projekte që prekin mjedisin duhen kryer patjetër dëgjesa publike apo referendume. Ju kujtoj gjithashtu se kemi të bëjmë me një absurditet. Në rastin konkret jemi me fat që politikanët tanë kanë firmosur disa konventa për tu hedhur  hi syve  institucioneve të BE-së. Në fakt, në masë, këto konventa janë të institucionalizuara  por jo të socializuara. Që do të thotë se publiku nuk ka kaluar në faza procesimi të këtyre konventave para se ato të miratohen e që mund të shpjegojë mbase  edhe një pjesë të apatisë që na karakterizon kur vjen puna tek kërkimi i të drejtave tona si komunitete. Por  absurditeti qëndron në faktin, se në një demokraci institucionet janë gjithë përfshirëse. Dhe sidomos kur vjen puna tek politika lokale komunitetet pyeten jo vetëm për projekte që prekin mjedisin, por dhe me vendime që kanë të bëjnë për shembull, me menaxhimin e buxhetit  për një bashki gjatë një viti , apo me një vendim që ka të bëjë me një projekt  madhor tip  incenerator qendër e madhe tregtare etj. Por tek ne ka munguar dhe tradita e mirëqeverisjes dhe vetë vullneti politik për të ndërtuar institucione e praktika procese gjithë përfshirëse.

Ju keni protestuar duke kundërshtuar projektin e parë, duke kryer një rezistencë të madhe se bashku me një grup protestuesish. Mendoni se keni arritur diçka apo nuk arritët atë cfarë kërkonit?

Mendoj se kemi arritur diçka në disa nivele. Në nivelin faktik, mos harrojmë se projekti pas reagimeve të para ndryshoi. Në fillim aty duhet të kishte një kafe. Kishte mungesë transparence totale dhe një bashki që  tallej me ndjeshmërinë e publikut ku jepeshin thërrime informacioni  në media të caktuara të lidhura me pushtetin dhe pastaj disa ditë më vonë ndryshoi sërish projekti.  Në rastin konkret u hoq ideja e kafesë (lokalit), pra ne në këtë sens kemi një arritje minimale në lidhje me çfarë kemi mbrojtur. Por arritja më e madhe besoj, kishte të bënte më  faktin se ishte protesta e parë që kishte një qëndresë kaq të madhe në kohë. Protesta u bë me një qëndresë permanente 24-orësh dhe zgjati 78 ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe vetë kjo qëndresë  kërkoi konkretisht transparencë në mënyra direkte nga vetë institucionet dhe bëri transparencë duke përdorur rrjetet sociale. Aty mos harrojmë se nuk do të kishte fare beton, ju kujtohen renderat e famshëm të zotit Veliaj,të paktën me atë qëndresë bëmë publike transparencën e munguar. Ne numëruam betonierët dhe mos harrojmë që ishin 84 betoniere. Mos harrojmë që aty ishte e ndaluar të qarkullonin mjete motorike, por edhe projekti ishte pa masa mbrojtëse për kalimtarët. Aty pati edhe një aksident u aksidentuar një qen. Ka patur shumë paligjshmëri  në këtë projekt,  por ne rritëm ndjeshmërinë në shoqëri, pavarësisht nuk shkoi aty u ne donim. Por ka patur dy rezultate në formë indirekte. Konkretisht ndërkohë që në po demaskonin  retorikën e qeverisë dhe kryebashkiakut, ai paralelisht  rriti intensitetin e punimeve në zona të tjera të Tiranës duke shtruar rrugë, për të luftuar imazhin negativ, në një farë mënyre në e shtymë që të punonte më shumë. Ne po ashtu  demaskuam vetë atë që pretendon të jetë  shoqëri civile. Që do të thotë shoqëri formale civile dhe këtu kemi parasysh OJF-të.  Vetë këto organizata jo fitimprurëse kishin frikë që të bashkoheshin në këto lloj protestash, për arsye nga më të ndryshmet. Disa prej tyre nuk kishin forcën për tu bashkuar edhe fizikisht ndaj filluan që të bënin projekte të tjera si për shembull ai aksioni në Lurë ku u mbollën pemë. Dyshoj se kjo gj  u bë për të justifikuar aktivizimin tek parku. Pastaj ajo që bëmë  paralelisht me protestat ne bëmë edhe qasjen institucionale. Ishim të parët që kërkuam informacion tek autoritet përgjegjëse. Kur kërkuam informacion nga Ministria e Mjedisit  neve na u kthye përgjigja nga vetë ky institucion, që konfirmonte  se aty nuk kishte leje mjedisore. Në gjithë këtë amulli, ne arritëm që të kishim të paktën këtë lloj dokumenti që ishte i vlefshëm, pasi na ndihmoi në hapim tjetër që morëm që ishte padia në Gjykatën Administrative.

Për sa i përket projektit të tanishëm, çfarë informacionesh keni ju si grupim, ku konsiston ky projekt?

Është e njëjta, situatë në rastin konkret kemi të bëjmë me projekte të cilat janë menduar që në kohën kur zoti Rama ishte në krye të bashkisë, janë ideuar që atëherë. Ju do habiteni me këtë që do ju them, pjesë e asaj administrate ka qenë dhe zoti Eduart Shalsi, dhe ky projekt flinte gjumë që atëherë. Unë e kam takuar zotin Shalsi në një event ku isha e ftuar, dhe kur i bëra pyetjen në lidhje me dëgjesat publike për projektin që bo bëhet tani më. Përgjigja e tij ishte: “I kemi bërë dëgjesat publike në vitin 2003”. Imagjinoni që një zyrtar i lartë pranon kryerjen e një projekti te këtij profili në 2016 dhe merr si të mirëqenë, si anë të rregullt të dokumentacioneve dëgjesat publike që janë bërë të kryera në 2003. Këtu kemi një gjeneratë tjetër, pasi nuk janë pyetur njerëzit që aktualisht banojnë në këtë qytet. Por le të fokusohemi tek vetë termi i dëgjesave publike. Fatkeqësisht, në Shqipëri ata që na përfaqësojnë në vendimmarrje nuk e kanë idenë e dëgjesave publike.  Për ta dëgjesë publike është kur publiku dëgjon çfarë thonë ata dhe jo e kundërta. Një dëgjesë publike është e tillë kur ka informacion,  i cili duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Duhet që qeveria të gjejë mjetet e duhura për të informuar  publikun. Informacioni mund të jetë online në faqet zyrtare, por edhe me takime nëpër lagje.  Më vonë  bëhet konkursi për ofertat, dhe paralelisht bëhen dëgjesat publike. A duhet bërë ky projekt? A  duhet në këtë vend apo jo? Në këto dëgjesa marrin pjesë të gjitha palët e interesuara. Njëkohësisht  këto të  duhen bërë të aksesueshme për të gjithë, që të kenë mundësi të informohen dhe të marrin pjesë.  Po ashtu  të gjithë palët e interesuara duhet që të kenë mundësi të flasin, duke kërkuar fjalën paraprakisht. Agjenda e atyre që duan të shprehen publikohet paraprakisht dhe vetë procesi   duhet bërë publik me anë të medieve me anë të lidhjeve direkte. Kësisoj ndërtohet transparenca aktive, jo vetëm me disa dokumente shterpë por me përfshirje të vetë publikut. Publiku në këtë mënyrë informohet dhe jep dhe komentet përkatëse, dhe kështu krijohet edhe një besim ndaj institucioneve tek vetë shoqëria. Kjo gjë bëhet për ta marrë mendimin e publikut dhe më pas  administrata jep fjalën e saj në fund. Disa komente mund ti marrë parasysh dhe disa të tjera jo, duke dhënë argumentet e saj për çdo vendim.

Pra ju po thoni që projekti i cili po bëhet nuk ka asnjë lloj transparence?

Këtu në Shqipëri nuk e njohin fjalën transparencë. Fatkeqësisht këtu nuk e kanë idenë e fjalës transparencë. Kemi arritur në një analfabetizëm funksional, që prek vetë institucionet më të larta. Unë dyshoj se ekziston edhe dëshira për të mos bërë transparencë, por ekziston edhe injoranca funksionale. Pra në rastin konkret në pseudo dëgjesën për buxhetin në Njësisë 9, ajo nuk ishte dëgjesë por u shit si e tillë. Jam e sigurt që mbase zoti Veliaj ka dashur që të bënte dëgjesë, por mungesa e delegimit në mënyrë të duhur apo mbushja e administratës me militantë partiak ,redukton atë që quhet kapital njerëzor në një administratë të caktuar. Kemi një situatë paradoksale, unë besoj se ata i bëjnë këto farsa me “dëgjesa publike”,është sepse duan që të plotësojnë formalisht kriteret për integrimin në BE.

Projekti i “Rikualifikimit të fushave” është në fazat e para. Në qoftë se ai vazhdon zbatimin dhe do të ketë përsëri hedhje betoni si në rastin e parë,  do të priten protesta nga grupi i aktivistëve për mbrojtjen e parkut?

Unë mendoj se për fat të keq, kam frikë se nuk do të kemi atë dinamikë reaguese për shumë  faktorë. Faktori numër një është se ne u përpoqëm jashtë mase me atë projekt dhe shumë prej aktivistëve janë edhe të denoncuar nga vet qeveria, dhe aktualisht janë duke kaluar në faza të ndryshme në gjykatë. Kjo gjë ka dekurajuar aktivistët. E dyta është infesifikimi i punimeve tani që është dimër. Shumë vendime në administratë merrem  kur popullsia është përgjumur duke zgjedhur verën apo ditët e festave. Besoj se në periudhën më të ftohtë aty do të gëlojnë betonierët  sërish. Dhe besoj se reagimi nuk do të jetë ai që ishte, por them se do të ketë një pjesë që do të protestojnë sërish dhe unë do të bashkohem me ta.

Mund të jetë një faktorë mosbesimi te institucionet shtetërore, pasi qeveria nuk ka reaguar dhe ka injoruar disa nga protestat? Shumë njerëz thonë që nuk na dëgjon kush, dhe për këtë gjë refuzojnë që të dalin në protestë…

Është e vërtetë që shumë nga ne, që protestojmë presim rezultate të prekshme . Për fat të keq në shoqërinë tonë na mungon durimi për të parë gjërat në një panoramë më të gjerë.  Mendoj se protestat që u bënë kishin shumë suksese në vetvete, pavarësisht se nuk arritëm të ndalonim atë projekt. Por ka shumë që me një reagim presin rezultat. Sigurisht që ndikon edhe mosbesimi, pasi kemi një qeveri e cila reklamonte gjitha arritjet e saj. Denigron protestuesit, për të protestuesit janë ose militant, ose dështakë, ose sharlatanë etj. Qeverisa vijon të jetë edhe  më shumë arbitrare. Parë në këtë sens mendoj që keni të drejtë. Por kemi edhe një mungesë organizimi në shoqërinë tonë. Kemi shumë fraksione aktivistësh që nuk bashkëpunojmë me njëri tjetrin, pasi kemi një mosbesim edhe ndaj  njëri tjetrit. Paralelisht për shembull është krijuar një ide se këtu asgjë nuk bëhet pa lekë, kanë vdekur vlerat dhe ka vdekur reagimi për një interes të përgjithshëm.

Të kthehemi edhe njëherë te projekti i tanishëm. Mendoni se ky projekt do të ketë përsëri dëmtime në park?

Unë nuk e mendoj, por jam e sigurt që do ketë dëmtime, ai nuk është më park por është një fushë rekreacionale. Pra park nuk do të jetë, por kemi një mega premtim nga zoti Veliaj i cili tha se ne do ja kthejmë gjelbërimin Tiranës, duke mbjellë 2 milion pemë. Ndërkohë që ata po dëmtojnë pjesën e mbetur të gjelbër që i  ka mbetur qytetit. Unë do të doja shumë që Veliaj të thoshte që ne do ti bëjmë këto projekte, pasi të kemi mbjellë 2milion pemët. Këtu për fat keq kemi edhe një përshpejtim të dinamikës së ngjarjeve. Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet dhe po shpejtohen projektet abuzive, sepse klientela e partisë sigurisht që kërkon haraçin..

Ju po thoni që jeni kundër këtij projekti dhe mendoni se do të dëmtohet parku. Në projekt thuhet që do të jetë vetëm rikualifikimi i fushave. Mendoni se do të ketë një zgjerim të këtij projekti i cili do të dëmtoj pemët përreth.

Projekti thotë që është për rikualifikim fushash, por kjo ndodh si proces  në momentin që aty ka fusha dhe rikualifikohen. Pra projekti kështu titullohet, por kështu thanë edhe për projektin të këndi, por më pas pati edhe dëmtime. Unë nuk e mendoj që do të ketë dëmtime sepse kanë filluar dëmtimet. Aty janë prerë përsëri pemë dhe janë hapur kanale. Pra ka filluar dëmtimi parkut, pasi dëmtim quhet edhe një ndërhyrje e vogël, pasi është prish biodiversiteti. Unë jam e sigurt që  tani e kanë dëmtuar atë park, niveli i dëmtimit do filloj të jetë më makro pasi do të jenë disa projekte njëherësh.

Mund të ketë edhe projekte të tjera, që mund të nisin së shpejti që do ta dëmtonin më shumë parkun?

Ndonëse këtu mungon transparenca, dhe rëndom ndodh që një dokument i bërë publik zhduket online pas reagimeve të para, deklarata publike të bëra nga vetë kryebashkiaku flasin për të paktën 9 projekte të tjera. . Sa hapësirë mund të marrin këto nëntë projekte, ndërkohë që vetëm këndi i lojërave morri disa mijë metra katror? Por sa mund të jenë këto projekte të tjera. Parku me këto projekte mund të rrezikojë edhe zhdukjen e tij, por jo në mënyrë të menjëhershme. Në terma afatgjatë, kur prish ekosistemet me këto lloj ndërhyrjesh patjetër që nuk do të quhet më park. Në qoftë se deri tani kishim një park që shkonim dhe thithnim pak oksigjen, tani edhe këtë nuk do e kemi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here