Sindikatat: Rritja e pagave minimale bëhet për qëllime elektorale

0
241

Sindikatat kryesore shqiptare mëndojnë se lëvizja e qeverisë drejt rritjes së pagës minimale bëhet me qëllime të dukshme për të ndikuar në votën popullore të vitit të ardhshëm, që do të përcaktojë mazhorancën e re qeverisëse. Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet për një rritje pagash reale dhe jo rritje pagash elektorale, prandaj ne jemi kundër propozimit të ofruar nga kryeministri, për një rritje page minimale vetëm në sektorin publik, apo në një rritje pagash në tërësi për të gjithë administratën dhe shërbimet publike, thonë sindikalistët.

Sipas tyre, që prej tre vjetësh, nuk është bërë as indeksimi vjetor e as rritja e pagave. Këshillat sindikale të ndërmarrjeve, veçanërisht ato që paguhen me pagë minimale si fasoneritë, shërbimet hoteliere, agropërpunimi bujqësor, rojet e sigurisë private etj., e kanë ngritur këtë shqetësim. Madje edhe që pagën minimale 22.000 lekë punonjësit shpesh nuk e përfitojnë, pasi punëdhënësit nga kjo vlerë u ndalojnë në total të gjitha siguracionet dhe sigurimet ose akoma më keq, disa punëdhënës i paguajnë poshtë kësaj vlere duke abuzuar edhe me kartat e tyre në banka.

Sindikatat mendojnë se nuk mund të ketë dy paga minimale, pasi kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, por të ketë një pagë minimale në shkallë kombëtare, si në sektorin publik, ashtu dhe privat. Sektori publik ka më pak se 2.000 punonjës që paguhen me pagë minimale dhe çdo tentativë për ta rritur atë vetëm në sektorin publik është thjesht një propagandë, pasi në sektorin privat janë mbi 200.000 punonjës që paguhen me pagë minimale. Kërkesa në këtë rast duhet të jetë për një rritje pagash reale dhe jo rritje pagash elektorale, prandaj sindikatat shprehen kundër propozimit të ofruar nga kryeministri, për një rritje page minimale vetëm në sektorin publik, apo në një rritje pagash në tërësi për të gjithë administratën dhe shërbimet publike, duke filluar nga 1 marsi 2017.

 

Paga minimale

Paga minimale është një nga elementet më të rëndësishme në politikat ekonomike të një shteti. Ndaj duhet të mbahen parasysh edhe efektet që janë të shumta, si te punonjësit, nga pikëpamja psikologjike dhe ekonomike e motivimit për punë, por edhe te punëdhënësit, për rritjen e produktivitetit të punës, si dhe në ekonominë e vendit, e cila jep një frymëmarrje, me një trend rritje dhe sigurimi të vendeve të reja të punës të qëndrueshme. Tregu i punës në Shqipëri nuk është i mirëstrukturuar, pasi shumica e të punësuarve janë në bujqësi apo në shërbimet e tregut e fasoneri, të cilët paguhen me pagë minimale. Ekonomia shqiptare vuan ende ndjeshëm nga informaliteti dhe kjo reflektohet dhe në skemën e pagesave. Nga të gjitha studimet e kryera tashmë është vërtetuar se paga minimale jep efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit. Ndryshimet në pagën minimale ndikojnë në punësim, shpërndarjen e të ardhurave dhe nivelin e çmimeve. Rritja e pagës minimale sigurisht që jep efekte në zbutjen e varfërisë. Rritja e pagës minimale jep ndikim në punësim dhe për orët që kryhet dhe në shpenzimin e firmave, në stabilizimin e çmimeve, njëkohësisht ajo jep ndikim edhe në skemën e re të pensionit, duke e mbështetur atë me sigurime të mjaftueshme shëndetësore dhe shoqërore. Punëtorët duke u paguar më shumë, detyrimisht ndryshojnë performancën e tyre të punës, rrisin produktivitetin në punë, krijojnë një treg pune të qëndrueshëm, duke rritur aftësitë për një punë mës cilësore brenda së njëjtës kohë. Tregjet e punës me paga të ulëta kanë nivele të larta të punës së nivelit masiv. Nivelet e qarkullimit janë të larta, pasi punëtorët lënë punën për të kërkuar punë me paga më të mira, ose për shkak të varfërisë, ata e kanë të pamundur të realizojnë produktivitetin e duhur. Për të mos folur më tej për vështirësitë, për t’u ushqyer, transportin, kujdesin dhe shkollimin e fëmijëve, shëndetin e familjeve të tyre etj.

Një pagë e ulët minimale sjell shanse negative që qytetarët të bien në grackën e papunësisë dhe të kërkojnë vetëm përfitime sociale. Pra, rritja e pagës minimale automatikisht redukton privimin social dhe krimin. Paga minimale mbron dhe kapitalin human nga shfrytëzimi i padrejtë. Rritja e pagës minimale sjell efekte pozitive edhe për qeverinë, pasi ulen pagesat e ndihmave sociale. Nëse punëtorët paguhen më shumë për një orë pune, atëherë ata do të jenë në gjendje për të përmbushur nevojat e tyre themelore – ndihmë sociale apo asistenca./Ervin Kaduku/ standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here