Sistemi i ri arsimor, një dështim me sukses i qeverisë/ Flasin pedagogët Ervin Goci e Redi Muçi dhe aktivistja e Lëvizjes Bora Mema

0
273

maxresdefault

Profesori i gazetarisë Ervin Goci: Ministria e Arsimit ka pranuar dështimin

“Studenti do të trajtohet si klient, në një konkurrencë të ashpër të pakuptimtë, duke e çuar sistemin në tërësi tek rentabilizimi ekonomik, dhe vlerën i çdo forme dijeje tek sukseset buxhetore”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Ligji i Arsimit të Lartë në Shqipëri, ka ngjallur shumë debate në opinionin publik, edhe pse ka gati një vit që ky ligj ka hyrë në fuqi, përsëri ndihet revolta dhe protesta. Shumë pedagogë dhe studentë, janë shprehur kundërt këtij ligji. Profesor Ervin Goci, në një intervistë për gazetën ka shpjeguar së ku janë problemet e këtij ligji, dhe se çfarë do të ndodh tani me studentët dhe pedagogët. Sipas tij Ministria e Arsimit ka pranuar dështimin e kësaj reformë që në momentin kur nxorri dy udhëzime të tjera, ndryshe nga i pari për formulën e pranimeve në universitete. Për rastin e fundit të protestat kundër zonjës. Lindita Nikolla, Goci shpjegon se vëmendja e opinionit publik ishte e dirigjuar nga mediat të cilat u përqendruan të akti i studentes, dhe sipas tij sistemi arsimor në Shqipëri është i burokratizuar, i padrejtë, sabotues të së ardhmes së studentëve. Ai thotë që të gjithë përgjegjësit nga më i larti tek më i ulëti, duhet të japin dorëheqjen,  duke pranuar kështu një dështim dhe duke dhënë ndonjë rreze shprese se diçka në një të ardhme të afërt mund të ndryshohet.

Ligji për Arsimin e Lartë ka gati një vit që është miratuar dhe tani është në fazën e implementimit, por përsëri ngelet gjithmonë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Sipas jush përse ndodh kjo?

Nuk mendoj se është Ligji në vëmendje, por është gjendja e Arsimit të Lartë në gjendje aq të keqe sa nuk e fsheh dot. E vetmja mënyrë për ta fshehur, është duke e injoruar si çështje me mbivendosje artificiale axhendash, por dhe kjo mesa duket nuk ka funksionuar. Skandali plasi, dhe skandali ka lidhje vetëm me fazën e parë të zbatimit të Ligjit që ka të bëjë me rekrutimet, dhe rezultati ishte një katastrofë, që për fat të keq sapo ka filluar.

Në javën që lamë pas Ligji për Arsimin e Lartë u bë përsëri pjesë e debatit publik por u fut edhe ne agjendën e media-ve të ndryshme, a mendoni se u rikthye nga veprimi i studentes Mirela Ruko që bëri kundër ministres?

Absolutisht jo, thjesht sensorët e eksituar të mediave u përqëndruan te akti, por fakti është se ka 3 muaj, që po kritikohet rëndë sistemi i rekrutimit, i burokratizuar, i padrejtë, sabotues të së ardhmes së studentëve, dhe për më keq antikushtetues, sepse u mohon një të drejtë themelore, që ka të bëjë me edukimin.

Pas kësaj ngjarjes së fundit ku një studente hodhi keçap  mbi ministren Lindita Nikolla, a mendoni se kjo ngjarje do të ketë reaksion në publik dhe Ministria e Arsimit do të ndërhyjë për të rregulluar këtë ligj?

Ministria e ka pranuar dështimin, duke prodhuar dy udhëzime të tjera nga ai i Shkurtit 2016-të, dhe duke kaluar nga sistemi me zgjedhje të kufizuar në kohë, tek sistemi i vijës së kuqe, ku lista e të pranuarve zbret njëlloj si me sistemin e vjetër, me dallimin që nën terrorin e udhëzimit të parë shumë studentë kanë vajt dhe janë regjistruar  në privat, apo degë të padëshiruara, dhe të ç`regjistrohesh tani nga një Universitet për të vajt tek ai i dëshiruari, është njëlloj si t`i hipësh Himalajeve.

Javën e fundit ka pasur përsëri protesta.  Mendoni se mund të arrihet diçka pas shumë reagimeve nga pedagogët të shumtë dhe shoqëria civile?

Nuk ka fare nevojë për asnjë protestë për të kuptuar që kjo është një reformë e gjitha e dështuar, dhe që sipas meje brenda një logjike institucionale të një vendi normal, të gjithë përgjegjësit nga më i larti tek më i ulëti, duhet të jepnin dorëheqjen – duke pranuar kështu një dështim dhe duke dhënë ndonjë rreze shprese se diçka në një të ardhme të afërt mund të ndryshohet. Këmbëngulja për suksesin e reformës është represion i pastër, që ushtrohet ndaj një publiku që nuk ta pranon, që të ka kundërshtuar që në gjenezë, dhe që perspektiva e zbatimit të kësaj reforme, është një “Mission Impossible”, por që mesa kuptohet qeveritarët kanë vendosur me përdhunë ta çojnë përpara. Për pasojat më mirë mos të flasim.

Duke qenë se jeni çdo ditë me studentët dhe sidomos me ata që janë në vitin e parë, sa ka ndikuar ky ligj të ata? A i ka bërë që të jenë më të shushatur dhe të pasigurt për shkollën që kanë zgjedhë?

Mbi 90% të studentëve na kanë komunikuar, se gazetaria nuk ka qenë zgjedhja e tyre e parë, dhe ne tani jemi përpara misionit, që inxhinjerët  e së ardhmes, juristët, informaticienët, historianët, gjeografët, letrarët, ekonomistët e së ardhmes, do të na duhet t`i kthejmë në gazetarë. Besoj se kaq mjafton..

Së fundmi, sipas jush ky ligj do të jetë efektiv apo do të ulë akoma më shumë cilësinë në Arsimin e Lartë?

Unë mendoj se me këtë Ligj, vetë ekzistenca e Arsimit të Lartë Publik vihet në pikëpyetje të madhe. Shumë do të mbyllen; ato që nuk do të mbyllen, do të detyrohen që të sillen si Universitete Private, duke bërë llogaritë e qindarkës për çdo student të ri që hyn, i cili do të shihet si i vetmi aset që mund ta mbajë Universitetin gjallë, dhe akoma më banale: si i vetmi aset që do të garantojë rrogat tona – si meqë ra fjala dhe sot na garanton diku tek 40% të rrogës vjetore. Studenti do të trajtohet si klient, në një konkurencë të ashpër të pakuptimtë, duke e çuar sistemin në tërësi tek rentabilizimi ekonomik, dhe vlerën i çdo forme dijeje tek sukseset buxhetore.

11063961_10101558525624565_7596228802314762991_o

Aktivisti i lëvizjes “Për Universitetin”

Flet pedagogu Redi Muçi: Reforma e qeverisë  do krijojë vetëm “diplomore private” 

“Ne jemi të bindur se nëpërmjet presionit të studentëve dhe pedagogëve të organizuar rreth Lëvizjes Për Universitetin, por jo vetëm, do arrijmë ta ndalim këtë reformë”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Lëvizja “Për Universitetin”, ka qenë që në fillimet e ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri një nga kundërshtarët më të mëdhenj. Redi Muçi, pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe aktivist i Lëvizjes Për Universitetin ka shpjeguar disa nga mangësitë e këtij ligji. Sipas tij kjo reformë ka shkatërruar universitetet, ai thotë se shembulli i funksionimit të çdo fakulteti apo universiteti në vend nuk do jetë Oksfordi apo Harvardi, por universitetet private që operojnë në vend dhe për hir të funksionit që kryejnë ai quan “diplomore private”. Sipas tij Ligji i arsimit të lartë dhe procesi i regjistrimit janë të ndarë formalisht nga njëri-tjetri, dhe procesi i procesi i  regjistrimit në universitete nuk përcaktohet në ligj. Pedagogu Redi Muçi deklaroi se Lëvizja për Universitetin po tenton të shtrihet në të gjitha fakultetet e vendin dhe të përfshijnë në kauzën e tyre sa më shumë studentë dhe pedagogë. Ai tha se: “Për aq kohë sa në universitetet publike do ketë shkelje të të drejtave themelore të çdo studenti, qofshin këto për hir të ligjit të ri apo atij të vjetër, do të ekzistojë edhe Lëvizja Për Universitetin.”

Reforma e arsimit të lartë sipas lëvizjes “Për Universitetin” prek interesat e studentëve. Çfarë kërkoni të ndryshoni ju nga kjo reformë, doni anulimin e plotë të saj apo rregullim pjesor?

Ne si lëvizje studentësh dhe pedagogësh kundërshtojmë parimet e shpallura mbi të cilat bazohet reforma. Pra se shteti nuk mund të garantojë të ardhurat për institucionet e arsimit publik dhe se institucioni i dijes do të menaxhohet si një ndërmarrje komerciale me në bazë konkurrencën. Nga këto parime rrjedhin pasojat e mëposhtme: se çdo fakultet do duhet t’i sigurojë të ardhurat nga tarifat e studimit që dalin nga xhepat e klientelës studentore; se pjesë integrale e procesit do jenë kreditë ose borxhet studentore; se studentët do përjashtohen nga procesi i zgjedhjes së drejtuesve në universitet; se një pjesë e fondeve publike do t’u shkojë pronarëve të universiteteve private; se në themel të marrëdhënies mes universiteteve, fakulteteve, departamenteve dhe madje vetë studentëve nuk do qëndrojë bashkëpunimi apo agonizmi studimor, por konkurrenca ekonomike; se vendimet financiare do t’i marrë një trupë burokrato-partiake brenda universitetit; se çdo fakultet do jetë përgjegjës për mënyrën sesi i siguron të ardhurat, pra se deri në ç’shkallë do tregtarizohet, dhe se nëse nuk ia del të mbijetojë në treg atëherë mund të shpallë edhe falimentin.
Përkundrazi ne mendojmë se çdo institucion publik që kryen një funksion të caktuar social nuk mund të lejohet të falimentojë. Ai duhet të ofrojë cilësi, dhe kur kjo cilësi mungon atëherë duhet që drejtuesit e tij të mbajnë përgjegjësi, por kurrsesi të lihet të shkojë drejt falimentit. Këtu e kam veçanërisht fjalën për degë apo fakultete të cilat jo detyrimisht kanë kërkesë të lartë ndër studentë, si për shembull shkencat humane, albanologjia, gjeologjia, deri diku edhe artet, por që padyshim mirëfunksionimi i tyre është domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Mënyra sesi këto parime u shpallën ishte krejt arbitrare dhe ilegjitime, për dy arsye. Në radhë të parë sepse në komisionin që hartoi reformën merrnin pjesë përfaqësues të universiteteve fitimprurëse private, përfitimi financiar i punëdhënësve të të cilëve varet drejtpërdrejt nga ligji që u hartua, çka për ne përbën një konflikt flagrant interesi. Në radhë të dytë sepse pedagogët nga universitet publike që morën pjesë në komision përfaqësonin aty vetëm opinionine tyre personal dhe aspak opinionin e trupës së gjerë pedagogjike dhe studentore. Kjo pasi në asnjë moment nuk u ndërmor një fushatë diskutimi paraprak brenda universitetit, ku do mund të vendoseshin edhe parimet mbi të cilat do themelohej reforma, por u hartua një draft-reformë me parime të paravendosura, tek e cila më pas na u kërkua të zhvendosnim ndonjë presje. Prandaj nga ky aspekt, do thosha se reforma në tërësinë e vet është tepër problematike. Mund të gjenden aty-këtu edhe aspekte pozitive, si kalimi i vendimmarrjes në njësinë bazë të departamentit apo krijimi i Asamblesë së Pedagogëve që do zëvendësojë Këshillin e Fakultetit, por këto janë aspekte dytësore dhe të jo fort të rëndësishme, që madje fare mirë mund të inkorporoheshin në një reformë të bazuar mbi të tjera parime. Pra sipas kësaj reforme në këndvështrimin tonë, shembulli i funksionimit të çdo fakulteti apo universiteti në vend nuk do jetë Oksfordi apo Harvardi, por universitetet private që operojnë në vend dhe që ne, për hir të funksionit që kryejnë i kemi quajtur ‘diplomore private’.

Flitet shumë që ky ligj nuk duhet të miratohej dhe është kundër studentëve. A mund të na i rendisni me pika se çfarë ju kundërshtoni dhe çfarë e bën këtë ligj jo në favor të studentëve?

Këtu mund të përmenden shumë pika, por po përqendrohem te më kryesoret. Në radhë të parë ne mendojmë se pasoja më e rëndësishme do jetë rritja substanciale e tarifës së shkollimit, çka është e papërballueshme për familjet shqiptare edhe sot që s’ka hyrë tërësisht në fuqi reforma.

Së dyti, është zgjidhja që ofron reforma për këtë rritje: kreditë studentore. Borxhi i akumuluar studentor në vende si SHBA-ja dhe Anglia përbën një ndër problemet kryesore të këtyre shoqërive, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga theksi që është vënë mbi to gjatë fushatave elektorale në këto vende. Problem ka qenë jo vetëm akumulimi dhe pamundësia për ta shlyer këtë borxh nga të diplomuarit që dalin në punë – kjo gjerësisht për shkak të krizës ekonomike që prej 2008-s – por edhe fakti se nevoja për ta shlyer medoemos borxhin ka bërë që shfrytëzimi në punë i kësaj shtrese punëtorësh të rinj të jetë alarmante. Me mundësitë që ofron tregu shqiptar i punësimit, ne parashikojmë se situata do bëhet shkatërrimtare. Një tjetër pasojë e kësaj reforme, siç e përmenda më lart, është përjashtimi i studentëve nga vendimmarrja. Kjo nuk na lë të habitur kur  në ideologjinë e reformës studentët konsiderohen si klientë, jo bashkëthemelues të universitetit zëri i të cilëve duhet të dëgjohet. Një aspekt i fundit është tregtarizimi i marrëdhënieve institucion-student. Me rritjen e tarifave të studimit për shkak të konkurrencës në treg dhe për shkak të nevojës për mbijetesë, bëhet gjithmonë e më e vështirë ndërprerja e studimeve për ata studentë që nuk e meritojnë notën kaluese. Për dy arsye: e para pasi sakrifica familjare që shumica e tyre do detyrohen të bëjnë e bën të vështirë një vendim të tillë nga ana e pedagogut dhe e dyta sepse institucioni varet financiarisht nga tarifa e studentit.

Në fillim keni qeni për kundër reformës, pasi keni deklaruar se i hapet rrugë fondeve publike për të shkuar te privati. Më vonë keni qenë kundër procesit të përzgjedhjes sëstudenteve në universitete. Ku mendoni se çalon më shumë ligji për Arsimimin e lartë?

Ligji i arsimit të lartë dhe procesi i regjistrimit janë të ndarë formalisht nga njëri-tjetri. Pra ky proces regjistrimi nuk përcaktohet në ligj. Megjithatë, pika në të cilën të dyja këto nisma të qeverisë konvergojnë është avantazhimi dhe përfitimi i universiteteve private. Sa i përket procesit të regjistrimit, gara mes fakulteteve të universiteteve publike dhe atyre private ishte e padrejtë, pasi te universitetet publike ekzistonte renditja e aplikantëve në bazë të mesatares së gjimnazit, ose vija e kuqe siç u quajt, ndërsa te ato private jo. Nga bllokimi që iu bë sistemit të regjistrimit nga aplikantët me mesatare më të lartë, frika dhe ankthi i krijuar te maturantët i shtyu shumë prej tyre të regjistrohen në universitetet private te të cilët figuronin vazhdimisht si fitues (sepse s’kishte vijë të kuqe), ndërkohë që degët e publikut të shfaqeshin si të bllokuara, megjithëse në përfundim të procesit vendet nëpër fakultetet publike janë ende të lira. Nuk është për t’u çuditur, rrjedhimisht, se si reformën në arsimin e lartë, ashtu edhe procesin e regjistrimeve e kanë mbështetur fuqimisht pronarët dhe punonjësit e universiteteve private.

Protestat e “Lëvizjes për Universitetin” kanë qenë të shumta si para ashtu edhe pas miratimit të ligjit. Reforma tani ka kaluar dhe ka filluar implementimi i saj dhe ka pak gjasa (ose fare), për të ndryshuar diçka. Sa besoni që do arrini me protestat tuaja?

Ne jemi të bindur se nëpërmjet presionit të studentëve dhe pedagogëve të organizuar rreth Lëvizjes Për Universitetin, por jo vetëm, do arrijmëta ndalim këtë reformë, ose të paktën implementimin e aspekteve thelbësore të saj. Kjo bindje na buron nga qëndrimi që kanë mbajtur shumë studentë dhe pedagogë gjatë protestave të zhvilluara para miratimit të ligjit, ku na janë bashkuar me mijëra.Por sidomos nga vetëdija se ky reagim ka ardhur ende pa u ndjerë pasojat shkatërrimtare të kësaj reforme. Një sinjal i qëllimeve të qeverisë lidhur me arsimin ishte procesi i regjistrimeve. Por shumë pasoja nga ato që fola më lart pritet të ndjehen në të ardhmen e afërt. Rrjedhimisht ne mendojmë se në rrugëtimin tonë do kemi jo vetëm mbështetjen e masës studentore dhe pedagogjike, por edhe mbështetjen e opinionit publik dhe të gjithë atyre familjarëve që do t’i ndjejnë mbi vete këto pasoja. Kauza për të cilën jemi angazhuar është e drejtë dhe kjo është arsye e mjaftueshme për t’u përfshirë në të.

Ditët e fundit Reforma në Arsimin e Lartë është bërë pjesë e debateve në opinionin publik, kjo ndodhi edhe për shkak të gjestit revoltues të kryer nga një aktiviste e “Lëvizjes për Universitetin”.  Protesta ndaj ministres është bërë enkas për të rikthyer  këtë çështje në vëmendje apo është një vazhdim i protestave të mëparshme?

Akti i kryer mbi ministren Nikolla është një gjest simbolik që shpreh mllefin e paartikuluar si duhet të qindra e mijëra maturantëve që iu nënshtruan procesit të regjistrimeve. Është një akt që nxjerr në pah funksionarin e shtetit që mbart mbi vete përgjegjësinë ndaj situatës së krijuar, megjithëse procesi propagandohet si një ndër arritjete qeverisë. Ky akt sigurisht hyn në vazhdën e gjithë rezistencës së deritanishme nga Lëvizja Për Universitetin, ku mund të përmend protestat e shumta, bllokimet e hyrjeve nëpër fakultete, peticionete panumërta, ftesat për ballafaqim publik të argumenteve e të tjera si këto. Ky është një akt që i përgjigjet arrogancës dhe indiferencës me të cilën e ka trajtuar qeveria gjithë kundërshtinë studentore. Është një akt i guximshëm për vendin tonë, që hap rrugën për shembjen e murit të shurdhët të propagandës që ka ngritur qeveria edhe në fusha të tjera të vendimmarrjes dhekomunikimit me publikun. Padyshim që ai e rikthen në vëmendjen e publikut dëmin e vazhdueshëm që po i bëhet arsimit shqiptar, por jo vetëm kaq. Ai është edhe një zotim me anë të të cilit në shprehim vullnetin tonë për t’i shkuar deri në fund rezistencës që kemi ngritur, me të gjitha mjetet që përcakton ligji.

Lëvizja në të cilën ju bëni pjesë ka deklaruar se protestat do të përshkallëzohen. Çfarë duhet të presim në ditët në vijim?

Ne po tentojmë të shtrihemi në të gjitha fakultetet e vendin dhe të përfshijmë në kauzën tonë sa më shumë studentë dhe pedagogë. Nga vizitat nëpër fakultete të ndryshme të vendit kemi kuptuar se problematikat që nxjerr ligji i ri në arsimin e lartë janë specifike për çdo fakultet dhe lokalitet. Për shembull, problemet e Fakultetit të Mjekësisë nuk janë të njëjta me ato të Bujqësorit, apo problemet e universiteteve publike në Tiranë me ato të rretheve. Për rrjedhojë ne kemi për qëllim që angazhimin dhe format e rezistencës t’ua lëmë në dorë ideve krijuese të gjithsecilit që identifikohet me kauzën tonë dhe me parimet që ne kemi shprehur në Manifestin e Lëvizjes Për Universitetin. Dhe jo vetëm sa i përket kundërshtimit të ligjit në arsim, por edhe gjithë parregullsive dhe padrejtësive që ndodhin brenda institucioneve publike të arsimit të lartë. Sigurisht që ne do t’i përkrahim dhe mbështesim në organizim e në logjistikë me sa të kemi mundësi, por iniciativa do jetë e tyre. Synojmë gjithashtu ndërgjegjësimin dhe aktivizimin e sa më shumë studentëve që simpatizojnë Lëvizjen, por që hezitojnë të na afrohen për t’u bërë pjesë aktive e saj. Për aq kohë sa në universitetet publike do ketë shkelje të të drejtave themelore të çdo studenti, qofshin këto për hir të ligjit të ri apo atij të vjetër, do të ekzistojë edhe Lëvizja Për Universitetin.

15289296_1298041356901956_1855343619171721617_o

Flet aktivistja e “Lëvizjes për Universitetin”

Studentja Bora Mema: Qëllimi final është rrëzimi i këtij ligji të mbrapshtë

“Tarifa e ciklit të parë BACHELOR për degën e Historisë,  ka qene 24000 lekë kurse tani është 30000 lekë, cikli Master Shkencor Histori nga 130000 lekë, kushton 150000 lekë”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Shumë studentë të cilët janë pjesë e Lëvizjes për Universitetin dhe jo vetëm, kanë kundërshtuar reformën në Arsimin e Lartë. Arsyet ishin të shumta, ku me kryesorja ishte rritja e tarifave për degët ku ata studionin. Një prej studenteve e cila është dhe aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, Bora Mema, e cila ka qëlluar edhe kryeministrin me vezë në shenjë revolte, në intervistën e saj për gazetën ka shpjeguar se pse kundërshtohet ky ligj. Po ashtu ajo rrëfen edhe se si ka lindur kjo lëvizje, duke folur gjtihashtu  për protestat që kanë organizuar.

Keni protestuar kohët e fundit kundër ligjit të arsimit të lartë, dhe format kanë qenë nga më të ndryshme. Mendoni se këto protesta do të kenë një rezultat?

Si fillim do doja të sqaroja që nuk kemi protestuar vetëm kohët e fundit, por që kur një ligj i ngjashëm propozohej nga qeveria e shkuar, nën emrin “Universiteti në rrezik”. Bërthama e atij grupi me shtimin e radhëve formoi Lëvizjen Për Universitetin në shkurt të vitit 2014 kur kryeministri Edi Rama formoi komisionin e hartimit të reformës në arsimin e lartë. Që prej asaj kohe kemi organizuar tryeza në fakultete, asamble, peticione, marshime, protesta, zaptime, aksione simbolike si hedhja e letrave higjienike drejt kryeministrisë, borxhi studentor që tërhiqet zvarrë si barrë ë rënde, gjuajtja me vezë ndaj Edi Ramës ose spërkatja e flokëve të ministres Nikolla me salcë. Nëse nuk do mendonim që protestat nuk do të kishin rezultat nuk do t’i ndërmerrnim hiç. Sigurisht që qëllimi final është rrëzimi i këtij ligji të mbrapshtë, po ndërkohë kemi arritur si fillim të delegjitimojmë në opinionin publik atë që po na shitej si reformë historike, si dhe të ngremë frymën e rezistencës në universitete qoftë dhe me fitore më të vogla për çështje brenda universiteteve.

Sa i parashikon tarifat ligji i ri për nivelin Bachelor dhe Master, përkatësisht për profilin që ju studioni? A mund te na thoni sa ishin këto tarifa një vit me pare dhe sa janë rritur për këtë vit?

Ligji nuk parashikon tarifat e studimit, ato pas një propozimi nga universitete miratohen në Këshillin e Ministrave. Por, duke qenë se me ligjin e ri financimet për universitetet publike do vijnë duke u ulur prej konkurrencës me diplomoret private ose do të ketë kuota bosh si në rastin e skemës së pranimit të maturantëve në universitet, do rritet nevoja për më shumë financim ligji nuk e përjashton që universitetet të rrisin tarifat e studimit për të nxjerrë paratë e nevojshmë për kostot e ndryshme, në të kundërt rrezikojnë falimentimin dhe mbylljen e degëve si rasti i shumë degëve për këtë vit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave që pranonte rritjen e tarifave ka qenë për vitin akademik 2014-2015 një rritje prej nga 11.5% deri në 39.5 % , përqindje e cila varion nga numri i kredieteve, dega, programi, fakulteti ose universiteti. Duke marrë në konsideratë që pas presionit të madh e të vazhdueshëm prej protestave të rregullta nga Lëvizja Për Universitetin dhe mbështetësit e saj, ky është viti i dytë që qeveria nuk i rriti më tarifat për programet e studimit ndryshe nga më parë, ndaj kemi arsye të besojmë që ky presion i ka stepur dy vjet rresht. Unë studioj në Departamentin e Historisë. Tarifa e ciklit të parë BACHELOR ka qene 24000 lekë kurse tani është 30000 lekë. Kurse cikli i dytë Master Shkencor Histori nga 130000 lekë, kushton 150000 lekë.

Ju jeni studente dhe si gjithë keni kosto për të përballuar shkollën. A mund të na tregoni se sa është rritur kostoja e jetesës, për ju këtë vit pasi flitet që ligji i Arsimit të Lartë shton koston për studentët?

Duke qenë se kostoja e jetesës studentore nuk është veç imja, do doja ta përgjithësoja si rast. Përpos tarifës së rritur së studimit, provimeve me pagesa shtesë,  provimeve të gjuhës së huaj,  studentët përballen me kosto të ndryshme siç janë pagesat e librave që jo rrallë detyrohen t’i blejnë të detyruar nga pedagogë matrapazë, pagesa e konvikteve me çmim aspak të justifikueshëm për mizerjen që ofrojnë, mensa me çmime restorantesh, çmimi i rritur i biletës dhe aboneve të transportit publik. Shumë studentë që nuk janë banues në Tiranë duke qenë se nuk kanë mjek familjeje për rekomandime detyrohen që për kosto mjekësore të paguajnë ose t’i drejtohen spitaleve private. Për të përballuar gjithë këto kosto, shumë studentë detyrohen të punojnë duke u keq paguar, pa kontrata ose sigurime me orë të tej zgjatura pune dhe gjithë kjo për te marrë pas shumë mundimesh një karton dhe të jenë në statusin e të papunit të diplomuar.

Ju jeni një nga vajzat qe keni qëlluar kryeministrin me veze para disa muajsh dhe jeni në një proces gjyqësor. A keni pasur kërcënime për te pranuar akuzat qe janë ngritur për ju? Keni shkuar ne gjykate për tu ballafaquar apo keni bojkotuar në shenjë proteste për një akuze te padrejte?

Në 2 nëntor u bë një vit nga aksioni i gjuajtjes me vezë ndaj Kryeministrit Rama. Pas këtij aksioni proteste, tetë aktivistë përballen me akuzën për mosbindje ndaj forcave të rendit, tre prej të cilëve dhe me akuzën e goditjes për shkak të detyrës, akuza të cilat na rrezikojnë gjoba të majme ose vite burgimi. Prej shumë muajsh jemi në një proces gjyqësor të cilin e konsiderojmë një gjyq politik. Në bankën e të akuzuarve do duhej të qëndronin në fakt ata që na dhunuan duke na nxjerrë zvarrë prej fakultetit e duke na dhunuar në ambientet e komisariatit Nr. 2. Do duhej që prokuroria dhe policia e shtetit të mos nisnin një proces për t’i ruajtur nderin kryeministrit, por të nisnin një hetim ndaj ministres Nikolla me shpurën e saj për atë çfarë bënë me skemën e pranimit në universitete. Hetimi dhe ndjekja nuk ka pse të bëhet për Mirelën se fundja t’i prishësh flokët dikujt nuk përbën vepër penale. Do duhej që ne atë bankë të ishte kryeministri Rama si shkaktar kryesor i kësaj palo-reforme klienteliste dhe kushdo që ka qenë pjesë e lobimit të saj për përfitime personale. Por, situata është kokëposhtë. Të akuzuar janë studentët aktivistë pasi ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese të protestës. Dëshmitarë nga akuza që na akuzojnë për dhunë e mosbindje janë heronjtë që i shpëtuan jetën Ramës nga dy kokrra vezë. Nuk na ngelet veçse të jemi në pritje të dëshmitarit të fundit të miratuar nga gjykata, kryeministrit Rama jo vetëm si dëshmitar kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë, por edhe si viktimë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here