Flet aktivistja e “Lëvizjes për Universitetin”/ Studentja Bora Mema: Qëllimi final është rrëzimi i këtij ligji të mbrapshtë

0
373

“Tarifa e ciklit të parë BACHELOR për degën e Historisë,  ka qene 24000 lekë kurse tani është 30000 lekë, cikli Master Shkencor Histori nga 130000 lekë, kushton 150000 lekë”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Shumë studentë të cilët janë pjesë e Lëvizjes për Universitetin dhe jo vetëm, kanë kundërshtuar reformën në Arsimin e Lartë. Arsyet ishin të shumta, ku me kryesorja ishte rritja e tarifave për degët ku ata studionin. Një prej studenteve e cila është dhe aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, Bora Mema, e cila ka qëlluar edhe kryeministrin me vezë në shenjë revolte, në intervistën e saj për gazetën ka shpjeguar se pse kundërshtohet ky ligj. Po ashtu ajo rrëfen edhe se si ka lindur kjo lëvizje, duke folur gjtihashtu  për protestat që kanë organizuar.

Keni protestuar kohët e fundit kundër ligjit të arsimit të lartë, dhe format kanë qenë nga më të ndryshme. Mendoni se këto protesta do të kenë një rezultat?

Si fillim do doja të sqaroja që nuk kemi protestuar vetëm kohët e fundit, por që kur një ligj i ngjashëm propozohej nga qeveria e shkuar, nën emrin “Universiteti në rrezik”. Bërthama e atij grupi me shtimin e radhëve formoi Lëvizjen Për Universitetin në shkurt të vitit 2014 kur kryeministri Edi Rama formoi komisionin e hartimit të reformës në arsimin e lartë. Që prej asaj kohe kemi organizuar tryeza në fakultete, asamble, peticione, marshime, protesta, zaptime, aksione simbolike si hedhja e letrave higjienike drejt kryeministrisë, borxhi studentor që tërhiqet zvarrë si barrë ë rënde, gjuajtja me vezë ndaj Edi Ramës ose spërkatja e flokëve të ministres Nikolla me salcë. Nëse nuk do mendonim që protestat nuk do të kishin rezultat nuk do t’i ndërmerrnim hiç. Sigurisht që qëllimi final është rrëzimi i këtij ligji të mbrapshtë, po ndërkohë kemi arritur si fillim të delegjitimojmë në opinionin publik atë që po na shitej si reformë historike, si dhe të ngremë frymën e rezistencës në universitete qoftë dhe me fitore më të vogla për çështje brenda universiteteve.

Sa i parashikon tarifat ligji i ri për nivelin Bachelor dhe Master, përkatësisht për profilin që ju studioni? A mund te na thoni sa ishin këto tarifa një vit me pare dhe sa janë rritur për këtë vit?

Ligji nuk parashikon tarifat e studimit, ato pas një propozimi nga universitete miratohen në Këshillin e Ministrave. Por, duke qenë se me ligjin e ri financimet për universitetet publike do vijnë duke u ulur prej konkurrencës me diplomoret private ose do të ketë kuota bosh si në rastin e skemës së pranimit të maturantëve në universitet, do rritet nevoja për më shumë financim ligji nuk e përjashton që universitetet të rrisin tarifat e studimit për të nxjerrë paratë e nevojshmë për kostot e ndryshme, në të kundërt rrezikojnë falimentimin dhe mbylljen e degëve si rasti i shumë degëve për këtë vit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave që pranonte rritjen e tarifave ka qenë për vitin akademik 2014-2015 një rritje prej nga 11.5% deri në 39.5 % , përqindje e cila varion nga numri i kredieteve, dega, programi, fakulteti ose universiteti. Duke marrë në konsideratë që pas presionit të madh e të vazhdueshëm prej protestave të rregullta nga Lëvizja Për Universitetin dhe mbështetësit e saj, ky është viti i dytë që qeveria nuk i rriti më tarifat për programet e studimit ndryshe nga më parë, ndaj kemi arsye të besojmë që ky presion i ka stepur dy vjet rresht. Unë studioj në Departamentin e Historisë. Tarifa e ciklit të parë BACHELOR ka qene 24000 lekë kurse tani është 30000 lekë. Kurse cikli i dytë Master Shkencor Histori nga 130000 lekë, kushton 150000 lekë.

Ju jeni studente dhe si gjithë keni kosto për të përballuar shkollën. A mund të na tregoni se sa është rritur kostoja e jetesës, për ju këtë vit pasi flitet që ligji i Arsimit të Lartë shton koston për studentët?

Duke qenë se kostoja e jetesës studentore nuk është veç imja, do doja ta përgjithësoja si rast. Përpos tarifës së rritur së studimit, provimeve me pagesa shtesë,  provimeve të gjuhës së huaj,  studentët përballen me kosto të ndryshme siç janë pagesat e librave që jo rrallë detyrohen t’i blejnë të detyruar nga pedagogë matrapazë, pagesa e konvikteve me çmim aspak të justifikueshëm për mizerjen që ofrojnë, mensa me çmime restorantesh, çmimi i rritur i biletës dhe aboneve të transportit publik. Shumë studentë që nuk janë banues në Tiranë duke qenë se nuk kanë mjek familjeje për rekomandime detyrohen që për kosto mjekësore të paguajnë ose t’i drejtohen spitaleve private. Për të përballuar gjithë këto kosto, shumë studentë detyrohen të punojnë duke u keq paguar, pa kontrata ose sigurime me orë të tej zgjatura pune dhe gjithë kjo për te marrë pas shumë mundimesh një karton dhe të jenë në statusin e të papunit të diplomuar.

Ju jeni një nga vajzat qe keni qëlluar kryeministrin me veze para disa muajsh dhe jeni në një proces gjyqësor. A keni pasur kërcënime për te pranuar akuzat qe janë ngritur për ju? Keni shkuar ne gjykate për tu ballafaquar apo keni bojkotuar në shenjë proteste për një akuze te padrejte?

Në 2 nëntor u bë një vit nga aksioni i gjuajtjes me vezë ndaj Kryeministrit Rama. Pas këtij aksioni proteste, tetë aktivistë përballen me akuzën për mosbindje ndaj forcave të rendit, tre prej të cilëve dhe me akuzën e goditjes për shkak të detyrës, akuza të cilat na rrezikojnë gjoba të majme ose vite burgimi. Prej shumë muajsh jemi në një proces gjyqësor të cilin e konsiderojmë një gjyq politik. Në bankën e të akuzuarve do duhej të qëndronin në fakt ata që na dhunuan duke na nxjerrë zvarrë prej fakultetit e duke na dhunuar në ambientet e komisariatit Nr. 2. Do duhej që prokuroria dhe policia e shtetit të mos nisnin një proces për t’i ruajtur nderin kryeministrit, por të nisnin një hetim ndaj ministres Nikolla me shpurën e saj për atë çfarë bënë me skemën e pranimit në universitete. Hetimi dhe ndjekja nuk ka pse të bëhet për Mirelën se fundja t’i prishësh flokët dikujt nuk përbën vepër penale. Do duhej që ne atë bankë të ishte kryeministri Rama si shkaktar kryesor i kësaj palo-reforme klienteliste dhe kushdo që ka qenë pjesë e lobimit të saj për përfitime personale. Por, situata është kokëposhtë. Të akuzuar janë studentët aktivistë pasi ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese të protestës. Dëshmitarë nga akuza që na akuzojnë për dhunë e mosbindje janë heronjtë që i shpëtuan jetën Ramës nga dy kokrra vezë. Nuk na ngelet veçse të jemi në pritje të dëshmitarit të fundit të miratuar nga gjykata, kryeministrit Rama jo vetëm si dëshmitar kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë, por edhe si viktimë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here