Aulon Bej Kalaja

0

Nga Edison Ypi

Loading...

Të majtët qarkullojnë një rrenë trashanike dhe qesharake sipas të cilës të gjithë të rinjtë janë progresistë. Të djathtët nuk japin receta me mosha për të definuar diçka që nuk është sasi por cilësi.

Njeriu nuk lind i majtë apo i djathtë. Njeriu është i tillë ose i atillë në vartësi të qasjes ndaj problematikave njerëzore. I riu majtist ndaj atyre problematikave ka qasje materiale, të leverdisë, të interesit, të llogarive për mbijetesë. Si i tillë, progresisti është një materialist i sëmurë, një sociopat, një skllav i rrethanave përfituese. Progresisti flet papushim për puntorët, fukarenjtë, fatkeqët, të cilëve u qan hallin hipokrizisht. Pogresisti, në gjurmët e inspiruesit të tij megakriminelit Marks që nuk shkeli kurrë në derën  e ndonjë fabrike, puntorët nuk i sheh kurrë me sy. Për progresistin puntorët e fabrikave janë ca dele të urta me lesh të bardhë që presin këshillat mëshiruese moralistike të çobanit progresist, kur duhet të dalin nga vatha për të kullotur, sa qumësht dhe sa lesh duhet të prodhojnë, si duhet të bashkohen që të mos i hajë ujku.

Fshatarët janë të trashë dhe të pisët të cilëve nuk u afrohet se i vjen ndoht, injorantë që nuk kanë haber nga restorantat dhe diskotekat, turmë që duhet gënjyer me premtime për tu marrë votat. Progresisti nuk udhëton sepse vendin e tij e do, por vetëm për qef. Shkon, për shembull, në Skrapar, jo për të njohur Skraparin dhe skraparllinjtë, por për të bërë rafting në kanionet e Osumit. Ose shkon në majë të Tomorrit, jo për të parë Teqenë dhe për të kujtuar Naimin, Rilindjen, patriotizmin, por për të ngrënë mish të pjekur dhe për ta parë Shqipërinë nga lart. I riu progresist si referim ka ideologjinë, llafet, dhe bën zhurmë, ka ngut të çfaqet, të shpallet, të duket. Kjo rendje drejt dukjes e bën dhe e mban për gjithë jetën të cekët, të sipërfaqshëm. S’ka faj. I ngjizur nga mami shefe kuadri dhe babi oficer, është rritur me fotografinë e xhaxhait sigurims mbi mur, librat e kurvit nëpër rafte, muhabete të pafundme për miqësinë me rusët dhe Rusinë, heroizmat e sigurimit kundër diversantave, dhe të tjera të tilla. Qefi i progresistit të ri është të punojë në një zyrë me vetrata dhe mermera, me laptop përpara, me rrogë me euro,konferenca, uorkshopa, takime të panumurta me të ngjajshmit e vet në rajon dhe në botë nëpër restoranta për të thënë e stërthënë të njëjtat rrena.

I riu konservativ është krejt ndryshe. I riu konservativ është idealist. I riu konservativ nuk është produkt i rrethanave, rrethanat janë produkt i tij. Nuk bën zhurmë rreth identitetit të vet sociopolitik, brendinë konservative nuk e shpall as nuk e hesht, e mban përbrenda si një fakt individual. Është serioz, reflektiv, i thellë, i kënduar, i ditur. Në qëndër të vëmendjes ka familjen, Atdheun, vatrën, shqiptarët e shquar të së kaluarës dhe të tashmes. Shqipërinë nuk e njeh nga shetitjet gazmore, por nga udhëtimet e vështira nëpër fshatra të thella, bisedat, komunikimet e drejtpërdrejta. Konservativi i ri nuk ka as frikë as turp nga katundi dhe katundarët. Përkundrazi shtrohet pa teklif me ta, ha byrek, pi dhallë, del për gjah. Ka bindjen se puntorët dhe fukarenjtë duhen ndihmuar me ligje të mira si njerëz të cilët ditën dëgjojnë rrenat e progresistave, natën mbajnë nën jastëk Marksin, ëndërrat i shohin sikur janë rehatuar duke u bërë kapitalista. I riu konservativ ruhet nga kurvi dhe kurvizmi si nga kanceri dhe nga sida.

E kaluara kriminale kurviste duhej ti korespondonte një konservatizmi rinor më të gjallë, më të fuqishëm, më prezent, më influent, numerikisht më të madh. Të jesh konservativ i ri me rendimentin e duhur pas më tepër se gjysëm shekulli genocid mbi shqiptarët e ditur, të pasur, të shkolluar, është e vështirë. Megjithatë nuk është për tu dëshpëruar. Ndoshta ka dhe të tjerë, por të ri konservativ si më lart unë njoh vetëm 1. Respektuesi i institucioneve, vazhduesi i traditës, adhuruesi i Historisë, dashuronjësi i Gjuhës, i pasionuari i thellësisë së mendimit, kocka dhe palca e konservativave të rinj shqiptarë, Ai që e ka të qartë se të majtët e mbajnë pushtetin për aq kohë sa u duhet të djathtëve për tu çlodhur pak, qiriu që s’fiket, ylli që ndrin, cunami që s’ndalet, është Aulon Bej Kalaja.

Loading...

Lini nje pergjigje