Intervista/ Roza Lati: Kam një person që e pëlqej, por ai ende nuk e di

0

rozaaa

Loading...

Komentet për lidhjen time me Stinen do më ndjekin deri kur të dal në pension

Të gjithë e njohim dhe e simpatizojnë atë vajzën çapkëne, të zgjuar, pozitive, të qeshur, me shumë energji dhe “të çmendur”. E kemi fjalën për Roza Latin. Roza Lati, emër shumë i njohur në mediat tona, një shou girl aq e dashur për publikun dhe e thjeshtë në komunikim.Në këtë intervistë për gazetën “Standard” ajo vjen duke na treguar më shumë rreth eksperiencës së saj më të re, e cila po moderon emisionin “Hangover” tek MCN radio dhe Tema Tv. Gjithashtu Roza na tregon një histori shumë interesante dhe frymëzuese që përcjell plot mesazhe, e cila nuk duhet lënë pa u lexuar. Roza Lati iu ka dhënë përgjigje zërave që ndodhet në një lidhje me Oenin dhe pohon që është një djalë në vëmëndjen e saj, por ai nuk e di akoma.

Intervistoi: Irini Meçe

Keni pak kohë që keni filluar të moderoni emisionin tek radio MCN “Hangover”. Si ka lindur ideja për këtë emision dhe si ka qenë kontakti i parë më këtë radio?

Ideja ka qenë e Big Bastës, i cili më ka kontaktuar që para 2 vjetësh për të bashkëpunuar. Big Basta e di që unë jam një simpatizante e madhe e muzikës hip-pop. Eksperienca ime televizive ka filluar me Fun Page para 5 vjetësh, i cili ka qenë emision hip pop-i dhe unë që në fillim sa dola kam përkrahur muzikën e hip popit dhe le të themi që audienca e parë që unë kam tërhequr nga vetja kanë qenë fansat e hip popit. Dhe Big Basta kur ishte në marrëveshje që para 2 viteve për të hapur një radio hip popi, mua më kisht të parën në listën e vet. Përpos Big Bastës, më donin edhe drejtuesit e televizionit për tipin tim dhe nga të gjitha opsionet që kisha kur më thanë radio hip pop-i, reagimi im ishte sigurisht pozitiv dhe iu thash “normale, që çke me të, me shumë kënaqësi”, pastaj është edhe në qendër e kam edhe afër. (qesh)

Në emisionin tuaj keni ftuar dhe keni intervistuar shumë personazhe publikë. Deri më tani mund të veçoni ndonjë intervistë si një ndër më të preferuarat që ju ka pëlqyer shumë, apo edhe ndonjë intervistë “bezdisëse”?

Të them të drejtën nuk di kë të veçoj. Më kanë pëlqyer që të gjitha intervistat, duke filluar që nga Niko Komani që ka qenë i ftuari im i parë, intervista me Dj Sardin ku u përfol shumë nëpër portale, intervista me Elgit Dodën ishte shumë mirë, Enxhi Kamenica që më ka dhënë shumë super intervistë, Nard Ndoka perlë, Evi Reci, Sara Kapo etj. Por asnjë intervistë nuk mund ta them të bezdisshme apo që mund të më ketë mërzitur pasi të ftuarit i përzgjedh unë. Dhe shyqyr nuk kam arritur deri në atë gradë sa të ftoj njerëz që më bezdisin që si duroj dot vetëm sepse s’kam kë të marr tjetër.

Ju po bëni tashmë disa vite eksperiencë në gazetari ku keni patur edhe emisione të tjera që keni moderuar. Si e përshkruani gjithë këtë rrugëtim tani në fushën e gazetarisë dhe në cilin emision e keni ndjerë veten më mirë?

Unë e quaj veten kameleon të kamerave, unë përshatem në çdo lloj terreni. Unë kam eksperiencë në rreth 6 programe të ndryshme. I gjashti është Dance with Me , nuk e kam drejtuar, por kam qenë pjesë e tij. Pesë të tjerë janë emisione që unë i kam bërë vetë. Mund të veçoj pak emisionin “Fun Page” pasi aty isha shumë e lirshme dhe shumë vetvetja dhe më vjen shumë mirë që karrierën time të televizionit e kam nisur duke qenë vetvetja, duke mos ju nënshtruar kornizave të normalitetit të televizionit. Do doja ta veçoja emisionin “Antilope” ku mua më paguanin për të tallur njerëzit and I love that, është sporti im i preferuar që t’i ngacmoj njerëzit. (qesh) Do veçoja edhe emisionin “Heart Attack”, ku se mbaj mend sa e sa herë kam qarë në atë emision. Kam kujtime që nuk do t’i harroj kurrë. Do veçoja edhe “Hangover” që është një eksperiencë e re që vij pas disa kohësh, që e nis herët dh e përfundoj herët. Kë të të veçojë Roza më parë, I love all of them. E dua punën time. (buzëqesh)

E keni menduar ndonjëherë që të ndiqnit rrugën e  mamasë suaj Ritës, pra fushën e aktrimit?

Unë kam studiuar për shkenca politike dhe atëherë kur kam mbyllur maturën kam qenë në një fazë që të vazhdoj  një shkollë, të bëj një punë ça të jetë që të fitja të ardhura, të isha e pavarur dhe t’i dilja krahë mamit, pasi jam një karakter që e dua shumë pavarësinë time, me shpirt. Por edhe mami nuk e kishte me shumë dëshirë që unë të studioja tek Akademia e Arteve, pasi kinematografia shqiptare mund të themi që vetëm këto 2 vitet e fundit ka ecur pak, pasi para këto 2 viteve ka qënë e vështirë dhe mami më thoshte shpesh që është humbje kohe të studioja aty pasi Akademinë e Arteve e ke në shtëpi, më ke mua, ta bëj unë shkollën. Fakultetin e kam mbaruar tek Albania University, ku kishte televizionin e vet dhe ata më ofruan një hapësirë të bëja diçka dhe nuk ma merrte mendja që do spikasja dhe të korrja sukses.

A bezdiseni ndonjëherë nga komentet që ju identifikojnë si “Roza, vajza e Ritës” apo shpesh edhe “Roza që ka qenë e lidhur me Stinen” edhe pse ka shumë kohë që është mbyllur si muhabet, akoma vazhdon e përflitet?

Kur më identifikojnë si vajza e Ritës nuk është aspak bezdisëse, por përkundrazi e kam për krenari. Ndërsa komentet me Stinen besoj se do më përndjekin edhe kur të dal në pension, por të paktën të lenë rehat atë djalë që është edhe baba tani. Unë me Nestin kam patur një histori që para 10 vjetëve dhe ju them njerëzve që të ecin përpara dhe boll u morët me gjëra që para 10 vjetëve sepse i bie që nuk keni me çfarë të merreni tjetër dhe të them të drejtën më bezdisin pak.

Por do na e pranoni që jeni e dashuruar dhe në një lidhje, pasi edhe disa ditë më parë kemi lexuar diçka në lidhje me një djalë që quhet Oen?

Jo nuk është Oeni. Unë me Oenin kam njohje familjare, e njoh që 9 vjeç, e kam mik shumë të afërt dhe shumë mik të mirë që më qëndron shumë afër. Ne thjesht bëmë një foto dhe shkruam “Të dua”, pasi kjo fjala është shprehja jonë që ne e përdorim shpesh dhe vërtet thamë që “imagjino nesër do shkruajnë portalet për foton tonë” dhe ashtu ndodhi, na bën të lidhur, mirë që s’shkruajtën që më la shtatëzanë. Dhe nga ana tjetër Oenit i prishën punë me mikeshat e veta që mund të kishte. (qesh) A jam unë e dashuruar? Por unë nuk kam kohë. (qesh) Është një person në vëmëndjen time që mua më pëlqen, por ai nuk e di që unë e pëlqej.

Do t’ja thuash publikisht sot atëherë?

Sa i mirë ishe bërë sot. (qesh) Jo realisht, unë mendoj që ai nuk ka për ta marr vesh që unë e pëlqej pavarësisht tipit çakpën që kam, pasi jam me mendimin që hapin e parë duhet ta bëj mashkulli sidoqoftë muhabeti. Por këto 2 vite nuk kam ndërmend që të krijoj një lidhje serioze, pasi i jam përkushtuar shumë punës dhe të krijosh një lidhje serioze normalisht që do shumë përkushtim.

Kohët e fundit ju kemi parë gjithashtu shumë të angazhuar rreth një personi, rreth Fatmirit që rrinte dhe flinte në rrugë, i cili ishte dhe i verbër. Ç’mund të na tregoni më shumë rreth atij rasti?

Fatmiri rrinte gjithmonë tek ato shkallët këtu përballë lokalit (Serendipity) ku ne jemi ulur tani e po flasim, ai rrinte dhe gjithmonë shikonte drejt lokalit. Dhe një miku im shkoi që t’i fliste, me një pjatë në dorë për t’i ofruar pak ushqim. Por Fatmiri nuk shihte, nuk e shihte as pjatën që i drejtonte miku im. Miku im mendoi që ta ndihmonim, t’i bënim operacionin e syve, t’i ofronim një shtëpi me qera,ta futim në punë dhe më kërkoi mua ndihmë që të shkonim në ndonjë televizion që të na ndihmonin më shumë dhe ta ndiqnin gjithë procesin. Por mendova se asnjë televizion do të mund të kishte interes që të ndiqte gjithë procesin e Fatmirit deri në fund dhe mendova të shfyrtëzoja imazhin tim e te realizonim videot livestream në facebook për të kërkuar edhe ndihmën e të tjerëve. Videot patën shumë interaktivitet dhe u bë shumë zhurmë. Një video e imja që çuam Fatmirin në një berber dhe e transformuan pati rreth 800 komente dhe aty e kuptova që më ndjekin njerëz nga e gjithë bota. Por realisht nga gjithë ato komente që shprehën interes për të na ndihmuar, vetëm 3 persona na kanë ndihmuar. Ama e kishte një gjë të mirë kjo e bëra publike në facebook. Ne nuk patëm ndihma materiale dhe financiare për Fatmirin, ama kudo që trokisnim na i hapën dyert. Shkuam në spital, Fatmirit iu bë operacioni i syve falas. Gjithashtu nëpërmjet videove në facebook, doli në mnëyrë vullnetare edhe një klinkë dentare për të marr përsipër për të bërë gojën e Fatmirit. Pra, me të vërtetë ne nuk patëm një feedback të fortë, por nuk harxhuam asnjë lek për Fatmirin, pasi operacioni për rikthimin e shikimit na u ofrua falas, në mënyrë vullnetare. Dhe e gjitha kjo se unë përdora imazhin tim dhe nuk e bëra këtë për famë, unë famën e kam. Përdora famën për të bërë një gjë të mirë, për të ndihmuar Fatmirin. Tani ai ka një shtëpi pasi ia siguroi miku im Zoti E., ai po ia siguron ushqimin, veshmbathjet, të gjitha me pak fjalë.

Si është Fatmiri tani?

Fatmiri që kur ka filluar të shohi nuk i pëlqejnë kamerat, televizioni. Nga reagimi i njerëvze në videot që postoja në facebook, Fatmiri u kompleksua shumë dhe nuk do që njerëzit ta marrin vesh se ku ka përfunduar tani. Unë Fatmirin do e kujtoj gjithnjë, pasi ishte ai person që nuk kishte asgjë, por kishte më shumë shpresa për veten nga të gjithë ne. Ne kot qahemi dhe ankohemi. Kur atij i erdhi shikimi dhe pa lagjen se ku jetonte, u zhgënjye shumë nga realiteti.Thotë gjatë gjithë kohës “Ç’janë këto rrugë? Ç’është ky trafik? Gjithë këta njerëz me nerva, gjithë këta njerëz që nxitojnë, ku po ikin me kaq nxitim? Ej qetësohuni, jeta është e bukur.” Fatmiri ishte shumë i lumtur i verbër.

Jemi në prag të festave të fundvitit dhe ky vit tashmë po mbaron. Si ka qenë viti 2016 për ju?

Faktikisht nisi shumë keq, nisi me premtime të lëna përgjysëm, me shpresa të thyera, me ëndrra të braktisura, por po përfundon shumë mirë.(buzëqesh)

Ndonjë projekt që do të vijë së shpejti nga ju mund të na zbuloni?

Në janar i pretendoj vetes më shumë progres, pretendoj një emision ekstra. Ndërkohë që pretendoj gjithashtu dhe shumë gjëra jashtë televizionit. Ndonjë punë ekstra ndoshta për të fituar më shumë para që t’ja siguroj vetes të gjitha gjërat që më nevojiten.

 

Loading...

Lini nje pergjigje