Gjiknuri sulmon “akuzat politike”, por shqiptarët kanë çmimet më të larta të energjisë…

0
202

–  Në një kohë kur ndërprerjet e energjisë janë bërë një rutinë bezdisëse dhe tensioni nuk arrin gati kurrë në 220V të parashikuar në kontratë, ministri e ka të vështirë të shpjegojë se pse çmimi për shqiptarët është më i shtrenjtë se për vendet e tjera. Madje, kur tek ne energjia prodhohet nga uji!

Ervin Kaduku

Duke folur dje në prezantimin e aplikimit në telefoni celulare të pagesave dhe informacioneve ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE, ministri Gjiknuri deklaroi se “ka patur shumë akuza politike ku thonë se paratë harxhohen kot. Investimet që po bën OSHEE në fakt janë një kursim si për qytetarët edhe për kompaninë. U akuzua OSHEE se po bën zyra të reja por shikojini këto ambiente tani, janë njësoj si një qytet evropian. A nuk e meritojnë qytetarët shqiptarë të kenë një sistem modern komunikimi me ndërmarrjen e tyre pasi OSHEE është e gjithë qytetarëve? Akuzat janë bërë me synimin e vetëm dëmtimin e reformës më të suksesshme të qeverisë e cila është e kuantifikuar me shifra konkrete”.

Por ndërkohë që po paguhen detyrime të prapambetura, si dhe gjoba marramendëse nga konsumatorët familjarë dhe biznese, në një kohë kur ndërprerjet e energjisë janë bërë një rutinë bezdisëse dhe tensioni nuk arrin gati kurrë në 220V të parashikuar në kontratë, ministri e ka të vështirë të shpjegojë se pse çmimi për shqiptarët është më i shtrenjtë se për vendet e tjera. Madje, kur tek ne energjia prodhohet nga uji!

Shqipëria gjatë këtij viti ka pasur çmimet më të larta të energjisë për konsumatorët familjarë në raport me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Eurostat në publikim të statistikave për çmimet e energjisë në Europë, identifikoi se Shqipëria për nga çmimet e larta të energjisë la pas Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe ofron çmime të ngjashme me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Krahasimi i çmimit është bërë nga Eurostat në euro për kilovatorë.

Për konsumatorët familjarë çmimet e energjisë elektrike gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 kanë qenë më të larta në Danimarkë (0,309 euro për kwh), Gjermani (0,297 euro për kwh) dhe Belgjikë (0,254 euro për kWh). Ndërsa çmimet më të ulta të energjisë elektrike i  përfituan konsumatorët familjarë  në vendet anëtarë të BE si Bullgaria me (0,096 euro për kwh), Hungaria (0.111 euro për kwh) dhe Estonia me (0,121 euro për kwh). Çmimi i energjisë elektrike për familjet në Danimarkë ishte 3 herë më e lartë se çmimi në Bullgari.

Në përgjithësi çmimet e energjisë elektrike për familjet në Europë janë rritur në vitin 2008, kanë mbetur e qëndrueshme apo me pak ulje në vitin 2009, u ngjiten përsëri më  2010 dhe kanë pësuar një rënie të lehtë në vitin 2016.

Për konsumatorët familjarë, taksat më të ulëta që paguhen për energjinë janë ne Mbretërinë e Bashkuar (4.7%) dhe Maltë (4.8%), ku për çmimin bazë është aplikuar një normë e ulët e TVSH-së. Taksat më të larta aplikohen në Danimarkë, ku gati 70% të çmimit final përbëhet nga taksat dhe tatimet.

Ndërmjet gjysmës së parë të vitit 2015 dhe të njëjtës periudhë të vitit 2016, rritja më e madhe e çmimeve në mesin e shteteve anëtare të BE-së është vërejtur në Belgjikë (+20%), ndërsa çmimet ulen ndjeshëm në Qipro (-22%) dhe Holandë (-18%) .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here