Si mund të shmanget influenca ruse në Europën Lindore?

0
167

Robert Schwartz

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe në Republikën e Moldavisë nuk është një ogur i mirë për Perëndimin. Megjithatë këto zhvillime të reja politike nuk duhet të jenë suprizuese as për vendimarrësit në BE dhe as për ata të aleancës mbrojtëse të Atlantikut të Veriut. Një çerek shekulli pas rënies së Perdes së Hekurt gjithnjë e më shumë njerëz nga ish-blloku lindor janë zhgënjyer prej Perëndimit. Shumë e shohin veten si të varur si europianë të kategorisë së dytë, vlerat e shumëpërfolura të përbashkëta si mirëqenie, demokraci e të drejtat e njeriut janë zbehur prej korrupsionit, pabarazisë dhe tarafeve të vjetra. Entuziazmi fillestar për Europën është pasuar prej zhgënjimit, që janë kthyer në një tokë perfekte pjellore për tendencat populiste e nacionaliste.

Rafinesa e Putinit

Një kthesë totalitare në drejtim të Moskës – përveçse në Republikën e Moldavisë – nuk shtrohet për diskutim, megjithatë në Europën Qendrore dhe Juglindore prej kohësh gjërat po lëvizin. Çekia, Sllovakia dhe Hungaria ka disa kohë që koketojnë me Rusinë dhe me presidentin autoritar të saj Putin. Nisur nga kritikat e vazhdueshme ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe luftës në lindje të Ukrainës, qeveritarët në këto vende, qofshin socialistë apo liberalë, e kanë mbajtur të hapur opcionin e afërsisë me Moskën, pa vrarë mendjen për konsensusin në Bruksel.

Edhe vendet sllavo-ortodokse të Ballkanit Perëndimor pavarësisht përpjekjeve për integrim në BE nuk duan të prishen me vëllain e madh në Moskë. Putin me rafinesë ka ditur që t’i shfrytëzojë këto varësi ekonomike e kryesisht ato në fushën e energjetikës për qëllime politike. Suksesi është i dukshëm: zgjedhjet fitohen gjithnjë e më shumë prej politikanëve miqësore ndaj Rusisë. Brukseli ka qenë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve. Çarja, që po përshkon BE-në, do të jetë e vështirë të riparohet. Nën këto kushte të reja shpejt do të shuhet zelli  për integrimin europian edhe në shtete kandidate.

Edhe në NATO gjendja nuk duket të jetë e qëndrueshme. Turqia po zhvendoset në drejtim të autoritarizmit dhe kërkon afërsinë me Rusinë. Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar ndryshime vendimtare. Europa gjithnjë e më shumë do të duhet të mbështetet tek forcat e veta dhe duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi vete. Se si do të jetë kjo, askush nuk e di saktë. Ndonëse ka konsensus në aleancë për forcimin e krahut lindor, jo të gjitha shtetet duan të bashkëveprojnë në të njëjtën masë. Vendet e Balltikut, Polonia dhe Rumania janë të vetmet shtete në lindje të Europës, që janë të lidhura ngushtë me SHBA-në dhe përgatiten në mënyrë aktive ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm ushtarak prej Rusisë. Në Ballkanin Perëndimor janë vetëm Shqipëria dhe Kroacia, që nuk i përkasin sferës së influencës së Moskës.

Një çtensionim në raportet mes Perëndimit dhe Rusisë tani për tani nuk duket, për aq kohë sa nuk ka shenja për një kthesë në qëndrimet imperiale të Moskës. BE-ja dhe NATO-ja duhet të mësojnë një mënyrë të re të menduari dhe t’u ofrojnë njerëzve në Rusi zgjidhje në mënyrë që pa e humbur prestigjin ato të shpëtojnë prej logjikës së vetëizolimit që ndjek Putini. Propaganda e medieve ruse duhet të çmitizohet përmes informacioneve dhe analizave objektive. Popullsia më në fund duhet ta kuptojë, që nuk janë sanksionet kundër Moskës, por demonstrimi agresiv i Putinit zanafilla e së keqes në rajon. Vetëm për të ruajtur pushtetin e tij, Putinit i duhet ta kuptojë, që është më e mençur që ai të kthehet në tryezën e bisedimeve. BE-ja dhe NATO-ja duhet të forcojnë gatishmërinë e tyre për kompromis dhe ta përçojnë atë në mënyrë bindëse në Rusi, në mënyrë që njerëzve atje t’ju sinjalizohet, që demokracia dhe bashkëjetesa paqësore mbeten qëllimi i përbashkët. Ky mesazh duhet të prezantohet bindshëm edhe “nga brenda”, për të shmangur polarizimin në Europë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here