Këmbana e parë e tifozëve kuqezinj

0
246

Nën rrebeshin e rrallë të shiut të shtatorit, që ndërpreu ndeshjen e parë eleminatore të kombëtares së Shqipërisë për Rusi 2018, kundër Maqedonisë, të vetmet thirrje që vazhdoheshin të dëgjoheshin, duke mbytur edhe zhurmën e furtunës, ishin ato të Tifozave Kuqezi, “Ku janë tifozët!” Stadiumi, përfshirë edhe tribunën, ishte boshatisur krejt, ndërsa ata vazhdonin të qëndronin duke sfiduar edhe motin e tmerrshëm. Si gjithmonë, të parët në stadium, dhe të fundit që largoheshin. Duke kompensuar kështu, me artin e mrekullueshëm të shkallëve të stadiumit, që vetëm një tifozeri plot pasion mund ta dhurojë, edhe mungesën e bukurisë së lojës në fushën e blertë.

Vetëm një pasion i çmendur mund të të bëjë të sfidosh nga të gjitha: motin e keq, çmimet e kripura të biletave, shpërfilljen nga një Federatë e krekosur që nuk e kuptoi asnjëherë se kush ishte burimi i vërtetë i bukurisë – e si pasojë edhe fitimeve të mëdha – që mbushte arkat e saj përmes ndeshjeve të kombëtares. E verbër për të parë atë që mediat e mbarë botës e panë mirë gjatë Europianit, duke e konsideruar tifozerinë kuqezi, si befasinë e vërtetë të aktivitetit. Atje ku ishin ata, edhe më përpara se futbollistët në fushën e lojës, që hodhën tutje mantelin e komplekseve, dhe u shfaqën si rivalë të denjë të të gjitha tifozerive të tjera europiane.

Por pasioni nuk mund të jetë dobësi. Sa herë kanë protestuar, me mënyrat e tyre, janë injoruar. Janë keqtrajtuar shpesh herë, sa në kufi, sa në shkallët e stadiumit, janë fyer dhe poshtëruar në emailet e presidentit të Federatës, e megjithatë kanë ardhur sërish. Kanë qenë gjithmonë aty, në ndeshjen e radhës, në mbështetje të një ekipi kombëtar që, një gjë mund ta themi me siguri sot: më shumë ka marrë prej tyre, se sa u ka dhënë. Sigurisht që e ka merituar. Por, për të gjithë sakrificat e tyre, jo vetëm në Tiranë, Shkodër e Elbasan, e meritonin edhe ata diçka në këmbim: Respektin! Nuk e kërkuan nga futbollistët. Ata i kanë duartrokitur gjithmonë, sido që të ketë qenë rezultati, të bindur se, ata në fushë, njësoj si Tifozët Kuqezinj në shkallët e stadiumit, kanë dhënë përherë zemrën.

Me thirrjet e tyre, kërkuan respekt nga autoritetet që duhej t’i shihnin si partnerë, dhe jo si burim të ardhurash. Si tifozë pasionantë, dhe jo si kriminelë. Si futbollisti i 12-të dhe jo si lojtari “mistrec” të cilit gjithmonë duhet t’i nxjerrësh “të kuqen”.

Sot kanë marrë një vendim që, për të gjithë ata që e duan futbollin, që pëlqejnë ta ndjekin kombëtaren, dhe jo vetëm në stadiume, më e pakta ngjall keqardhje. Tifozët Kuqezi, grupimi më i madh ndër tifozeritë shqiptare, i pasuar edhe nga Shvarcerat, por me siguri që do të pasohet edhe të tjerë grupime, ka vendosur që të mos jetë më në shkallët e stadiumit, në ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë brenda. Vendim trishtues, por i drejtë! Kur jep shumë dhe merr pak ose aspak, vjen një pikë kur pasioni i lë vendin racionalitetit, dashuria i lë vendin respektit për veten.

Me siguri që do t’i shpërfillin sërish. Me siguri që do të thonë se, me kaq pak vende që kanë stadiumet tona, do të mbushen prapëseprapë, biletat do të shiten, paratë do të shkojnë në arka, kombëtarja do të zbresë në fushë, të krekosurit në tribunë do të ngrihen në këmbë e do të duartrokasin. Me një fjalë, nuk është fundi i botës.Jo, nuk është fundi i botës. Eshtë thjeshtë këmbana e parë, që bie për ata që kanë veshë./E.GJ/Bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here