Rrëfimi/ Flet 21-vjeçarja që ka abortuar: Presioni më detyroi që të merrja një vendim të tillë

0

abortion_49

Loading...

“Fatkeqësisht duke qenë se bëra abort në një moshë delikate për zhvillimin tim, rrezikoj të mos bëj më fëmijë dhe kjo gjë më dhëmb më shumë së çdo gjë tjetër”

“Po bëhen më shumë se një vit që nga aborti dhe ende kam shqetësime dhe jam akoma duke u kuruar. Jam akoma në periudhë trajtime me ilaçe, për të arritur që të lind përsëri”

“Pas abortit kam nisur një jetë te re dhe nuk dua më të kem të bëj më të atillë persona. Ai nuk më mbështeti kur unë kisha nevojë, më bërë që të jem vrasëse e një jete”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Aborti është një problem që shumë pak njerëz kanë guximin të flasim, dhe për më tepër ata njerëz që e kanë kaluar këtë problem. Edhe pse shifrat janë të larta, askush nuk ka guximin që të dalë dhe të flas hapur, për këtë gjë. Një 21 vjeçare e cila ka abortuar ka vendosur që të rrëfej jetën e saj, në periudhën e saj më të vështirë, në atë të abortit. Ajo ka vendosur që të qëndroj anonime, për shumë arsye dhe në vendosëm që të respektojmë vendimin e saj. Në kohën që ka kryer abortin ajo ishte vetëm 17 vjeçe, një moshë shumë e vogël për të marrë të tilla përgjegjësi. Vajza me iniciale S.I. na ka treguar arsyet se pse vendosi që të abortoj, dhe pasojat që i erdhën më pas. E detyruar ta përballonte e vetme, sepse familja nuk do të pranonte një linde të saj në atë moshë të re, ajo u braktis edhe nga i dashuri i saj. Babai i fëmijës e detyroi që të abortonte dhe që nga ai moment ai e la në baltë. Vajza S.I. na tregon se ajo ka pasur probleme shëndetësore, pas abortit dhe vazhdon që ti këtë. Nga një veprim i nxituar në një moshë të vogël dhe nga pakujdesia ajo rrezikon që të mos bëhet më nënë, fal një gabimi që ka bërë në adoleshencën e  saj.

Si u ndjetë në momentin e parë që e kuptuat që ishe shtatzënë?

Në momentin e parë as vet nuk e kuptoja çfarë po ndodhte. Unë prej ditësh kisha disa simptoma por mendoja se ishin nga lodhja  derisa një ditë më ra të fikët dhe më dërguan në spital në spital. Pas vizitave mjekësore rezultova se isha shtatzënë, gjë që ishte shumë e papritur për mua. Në atë kohë isha vetëm 17 vjeçe dhe shtatzënia më erdhi si një bombë, sepse nuk isha e përgatitur për një gjë të tillë.

Cili ishte mendimi juaj i  parë pasi e morët vesh që ishit shtatzënë?

Nuk mund të mendoja për momentin sepse nuk dija si të reagoja. Gjëja e parë që më erdhi ndërmend ishte mami, sepse me atë kam më shumë lidhje,  mendova si do t’ia them këtë lajm.  Mendoja më shumë për atë sesa për vetë. Në momentet e para më kalonin shumë gjëra në kokë, as vet nuk e dija se çfarë kam menduar.

Cili ishte personi i parë, të cilit i treguat problemin tuaj?

Fillimisht për shtatëzaninë time i tregova të dashurit tim. Ishte normale që do i thoja atij si një njeri i cili ishte pjesë e gjësë, madje isha shumë e zemëruar me atë sepse unë isha 17 vjeç, pa eksperiencë dhe gjërat morën një drejtim që as vet nuk e kuptoja. Po atë ditë iu drejtova shoqes sime të ngushtë sepse e dija që  ishte vetmja mbështetje që mund të kisha atë moment pa më gjykuar. Asaj i kam treguar të gjithë  ngjarjen, ajo ishte personi i dytë pas të dashurit që mund ti besoja për këtë çështje.

U ndjetë e emocionuar kur morët  vesh që do bëheshit nënë?

E emocionuar?  Isha shumë e emocionuar, sa nuk po më dilte zemra vendit. Në ato momente ishin shumë emocione bashkë, gëzim, frikë, lumturi. Ideja që brenda meje kishte një jetë tjetër,  ishte e jashtëzakonshme por isha shumë e vogël, isha ende një fëmijë vet si mund të jepja një jetë tjetër. Këto mendoja për një kohë të gjatë, por në mendje me vinte dhe opinioni i njerëzve, kjo gjë më vriste me shumë.

I dashuri juaj kur e mori këtë lajm, si reagoi? Të mbështeti për të vazhduar apo kërkoi që të abortonit?

Normalisht ai u gëzua në fillim, pasi do të bëhej baba. Po nga ana tjetër, ne e dinim që prindërit e mi nuk e aprovonin kurrë lidhjen tonë dhe aty lindën problemet. Ai hoqi dorë dhe më çoi të abortoja fëmijën. Unë isha në shok, nuk dija se çfarë të bëja. E dija që ajo që po  bëja ishte krim. Ai fëmijë nuk kishte faj për asgjë. Fillova ta doja, kur shikoja fëmijët në rrugë apo shikoja në internet rroba fëmijësh. Po pastaj mendoja për veten edhe familjen time. Edhe i dashuri im nuk donte probleme, e shihte si pengesë. Isha e vetme,i dashuri edhe ishte me mua, por edhe kërkonte që ta abortonim fëmijën.

Po me personat e tjerë të familjes, keni komunikuar për këtë shtatëzani ?

Jo. As nuk guxoja që t’u tregoja për këtë gjë, sepse e dija që nuk do ta pranonin shtatëzaninë time. Nuk mund të thoja gjë , ata do të shkatërroheshin. Duke e ditur mentalitetin e familjes sime, e dija se kjo gjë do shkonte në ndonjë tragjedi. As mamit nuk mund t’i thoja gjë dhe ndihesha shumë keq me veten time. Për shumë ditë vetëm qaja ne dhomën time. Familjes i justifikohesha se kisha shkollën dhe isha duke mësuar, pasi nuk dilja fare nga dhoma ime.

Sa kohe iu desh te vendosnit që do të abortonit ?

Që nga momenti që e morra vesh mu deshën gati një javë për të marrë vendimin. Nuk kisha shume kohë të mendohesha sepse edhe aborti rrezikonte, pasi isha 3 muajshe dhe sipas mjekëve nuk mund të bëja abort nëse do të vazhdoja të prisja. Gjithçka duhej vendosur shpejt, por nga ana tjetër kisha dhe presion nga i dashuri që duhet ta hiqja mos të hapja probleme. Unë asnjëherë nuk doja ta abortoja atë fëmijë, por duhet të bëja ndryshe pasi as i dashuri  as unë nuk do të ishim të sigurt për jetën.

Kur vendosët që të abortonit, çfarë menduat më pas?

Atë ditë vetëm kam qarë. Isha e tmerruar se e dija që po vrisja një të pafajshëm, do të humbisja një jetë. Asnjëherë  nuk kam dashur që të abortoja, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Doja vetëm të ikja sa më shpejt nga andej Doja  të harroja mos të kujtoja më asgjë nga ai moment.

Me kë u konsultuat për të arrit te ai vendim?

Me të dashurin tim i cili ishte me mendim të prerë, për të duhej vetëm që unë të abortoja. Por kam folur edhe me shoqen time. Ajo nuk ishte dakord me mua, por më mbështeti për këtë gjë edhe më dha shumë forcë ta përballoja. Këta janë dy njerëzit e vetëm që e din për abortin që unë kam bërë.

Ku ndodhi aborti, në ndonjë klinik në Shqipëri apo jashtë vendit?

Abortin e fëmijës e  kam bërë në një klinik në qytetin e Fierit. Në fakt i dashuri im kishte disa të njohur atje dhe vendosëm që të shkonim aty kështu edhe nuk do kishte njerëz që do na njihnin që mund të flisnin për këtë ngjarje. Në jetonim në Vlorë dhe menduam që do të ishte më mirë nëse nuk do ta merrni vesh shumë persona, prandaj shkuam në Fier.

Në klinikë kur shkuat për të abortuar, ishit vetëm apo e shoqëruar me një person të rritur i cili është i aftë të marrë një vendim të tillë?

Në klinikë kam shkuar vetëm me të dashurin, sepse ai ishte personi i vetëm që e dinte nuk mund të shkoja me një familjar.  Ai ishte me mua atë moment dhe mori përgjegjësi. Por nuk mbaj mend shumë nga ajo ditë sepse isha komplet e mpirë, fizikisht dhe mendërisht. Atë ditë më është dukur sikur kam qenë e vdekur.

Pas abortit keni pasur probleme shëndetësore, apo ky abortim kaloi pa pasoja?

Pas abortit mund të them që ka qenë periudha më e vështirë. Përveç se e vuaja çdo ditë vetë, me të dashurin marrëdhëniet u prishën, dhe vetë fillova të kisha shqetësime. Përveç problemit më fëmijën mu desh që të përballoja një krisje të marrëdhënies me të dashurin. Pas disa ditësh  shkova të bëja analizat dhe me doli që kisha marrë një infeksion shumë të rëndë, nga mos kujdesi i mire i mjekëve në klinikën që bëra abortin, por edhe nga mos kujdesi im. Pas vizitës mjekësore kam marrë shumë mjekime, ilaçe të kushtueshme. Fatkeqësisht duke qenë se bëra abort në një moshë delikate për zhvillimin tim, rrezikoj të mos bëj më fëmijë dhe kjo gjë më dhëmb më shumë së çdo gjë tjetër. Një gabim i momentit më kushtoi shumë shtrenjtë, pasi përvoja e pakët dhe mosha ishin dy gjëra që gjërat përfunduan kështu. Por  ende nuk i kam humbur  shpresat, vazhdoj akoma me kurën dhe besoj që do të bëhem mirë por doktorët më kanë thënë se do zgjasë shumë në kohë.

Sa kohe kanë zgjatur problemet tuaja pas abortimit ?

Po bëhen më shumë se një vit që nga aborti dhe ende kam shqetësime dhe jam akoma duke u kuruar. Jam akoma në periudhë trajtime me ilaçe, për të arritur që të lind përsëri. Po trajtohem edhe emocionalisht sepse rashë në një periudhë depresioni edhe e kisha humbur fare sensin e jetës e gjithçkaje. Më bëri shumë mirë ndërrimi i ambientit sepse momentalisht jetoj në Itali. Nuk dua të kthehem më sepse çdo gjë ka një kujtim shumë të keq për mua. Edhe pse në Shqipëri kam familjen përsëri, ky vend më sjell kujtimet e këqija.

Po mjekët çfarë thonë për këtë, a ka ndonjë shprese në të ardhmen?

Kur kam ardhur në Itali kam bërë sërish një kontroll, dhe aty më kanë dhënë shpresë se me trajtimet ka mundësi që të përmirësohem dhe mund të jem sërish nënë një ditë.  Në Shqipëri nuk mu dha kjo mundësi dhe as un nuk u trajtova si duhet sepse normalisht do kuptohej për çfarë po merrja ilaçet.

Nëse do të ktheheshit edhe një herë në kohë do të bënit një zgjedhje, do të abortonit fëmijën apo sot do të ishit nënë?

Nuk do ta bëja kurrë abortin. Me gjithçka që kalova si fizikisht edhe mendërisht nuk do e abortoja kurrë. Do i kisha dal përpara çdo përgjegjësie sesa ta vrisja, një jetë . Më del çdo natë në ëndërr ai moment dhe në qoftë se do kthehesha në kohë do i kisha bërë gjërat shumë ndryshe. Por ndonjëherë edhe gabojmë , gabojmë rënde. Rëndësi ka të mësojmë dhe shpresoj që asnjë vajzë mos të kaloj atë që unë kalova. Sot ndoshta do të isha nënë e një djali, por që rrethanat nuk më lanë që të sillja në jetë fëmijën.

Me babain e fëmijës keni më kontakte apo pas abortit u mbyll çdo gjë?

Pas abortit të fëmijës kam shkëputur çfarë do lloj kontakti. Kam nisur një jetë te re dhe nuk dua më të kem të bëj më të atillë persona. Ai nuk më mbështeti kur unë kisha nevojë, më bërë që të jem vrasëse e një jete, nuk ka kuptim që unë të jem më me atë.

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje