Buxheti 2017, qeveria e ka mendjen të blejë makina

0
187

–   3.2 milionë euro të parashikuara për automjete në buxhet dhe 25 milionë euro për zyra e mobilje!

Ervin Kaduku

Komisioni i Ekonomisë nisi dje diskutimin e projektbuxhetit të vitit 2017. Në emër të opozitës, deputeti Ridvan Bode shprehu votën kundër buxhetit dhe tha se ky mandat po mbyllet me dështimin e qeverisë për të siguruar mirëqenie më të lartë të qytetarëve. Sipas tij, të vetmit elementë pozitivë janë rritja e rrogave dhe pensioneve dhe ulja e borxhit publik. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, vuri edhe njëherë në dukje se buxheti do të mbështesë rritjen e pagave dhe pensioneve dhe vijimësinëe reformave, duke arritur njëkohësisht të ulë deficitin dhe borxhin publik. Megjithatë,  opozita shprehu dyshime lidhur me rreziqet mbi projektbuxhetin, që lidhen me mosrealizmin e të ardhurave dhe me vlerën e ulët të fondit të kontigjencës së parashikuar. Sipas opozitës, planifikimi nuk merr parasysh mosrealizimin e të ardhurave për këtë vit nga Tatimet dhe Doganat, që mund të thellohet nga  kthimi i tatimit mbi të ardhurat për kompaninë Bankers Petroleum, pasi kompanisë koncesionare ju dha e drejtë në gjykimin e bërë nga një ekspert i pavarur.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se qeveria i qëndron idesë që segmenti më i vështirë i Rrugës së Arbërit duhet të ndërtohet me koncesion dhe po vlerëson ofertat e ardhura nga investitorë privatë. Duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve për mosparashikimin e fondeve publike për këtë rrugë në buxhetin e vitit të ardhshëm, Ahmetaj u shpreh optimist se nuk do të ketë një dështim të dytë, si ai që ndodhi pas refuzimit të ofertës së një kompanie kineze. Sipas tij, pritet që marrëveshja të arrihet brenda mesit të vitit 2017. Ministri i Financave tha gjithashtu se qeveria nuk do të shlyejë borxhet e prapambetura të njësive vendore, që vlerësohen në 150 milionë dollarë. Sipas tij, borxhet duhet të paguhen nga vetë bashkitë dhe shlyerja e tyre do të jetë kusht për përfitimin e grantit vjetor nga buxheti i shtetit. Sipas Ministrisë së Financave, debitori më i madh vendor është Bashkia Tiranë, me rreth 60 milionë dollarë detyrime të papaguara.

Rrush e kumbulla

Megjithëse qeveria vijon të jetë e shtrënguar në shpenzimet publike edhe për vitin e ardhshëm, nuk e ka kursyer dorën për të pajisur me automjete të reja 11 institucione. Sipas të dhënave të ministrisë së Financave, për buxhetin afatmesëm janë parashikuar të shpenzohen nga fondet buxhetore … 3.2 milionë euro për blerje makinash, ku pjesa më e madhe e këtij fondi do të shpenzohet vetëm për 2017-ën.

Institucioni që zë pjesën më të madhe të fondit të parashikuar për automjete në projektbuxhetin afatmesëm është Prokuroria e Përgjithshme me 46 milionë lekë. Fonde publike për automjete të reja kanë kaluar për këtë periudhë edhe për Presidencën dhe disa ministri, si ajo e Transporteve, e Mirëqenies Sociale dhe Energjisë. Ndërkohë që është e kuptueshme pajisja e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma na Drejtësi me makina, nuk shpjegohet dot se pse një gjë e tillë duhet të përfshijë edhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale (30.000.000 lekë) apo ILDKP (10.000.000 lekë).

Arsimi

Nga viti në vit buxheti për arsimin dhe sportin po pëson ulje. Për vitin 2017 ky buxhet do të jetë 34.7 miliardë lekë. Duke pësuar kështu një ulje të konsiderueshme me rreth 2 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë që ishte 36.3 miliardë lekë dhe një ulje me rreth 5 miliardë lekë krahasuar me 2015, vit në të cilin buxheti ishte 39 miliardë lekë. Gjatë vitit 2017 fondi për arsimin bazë do të ulet me një miliardë lekë duke shkuar në 20 miliardë nga 21 miliardë që ishte në 2016. Nëse ju referohemi fondeve për shkencën do të jenë i vetmi zë në buxhet që do të ketë një rritje me rreth 75 milionë. Në vitin 2016 fondi për shkencën ishte në vlerën e 290 milionë lekë dhe për 2017 ky fond do të shkojë në vlerën e 365 milionë lekë.  Një ulje të konsiderueshme të buxhetit për 2017 ka pësuar edhe zhvillimi i sportit, i cili do të jetë vetëm 186 milionë lekë, nga 658 milionë lekë që ishte një vit më parë. Nuk dihet se cilat janë shkaqet që e kanë shtyrë qeverinë shqiptare qetë bëjë një ulje të tillë të buxhetit për arsimin gjatë vitit 2017. Fakt mbetet ai që, nëse duhet të kemi një arsim të shëndetshëm, nuk duhet të bazohemi vetëm në reforma, por edhe në investime konkrete.

Mbrojtja e mjedisit

Buxheti prej 3.1 miliardë lekësh i parashikuar për Ministrinë e Mjedisit për vitin 2017 është i pamjaftueshëm për të përmbushur prioritetet që ka ky institucion. Por nga ana tjetër, konkretisht do të prekë sektorët që lidhen me monitorimet dhe inspektimet.  Buxheti ka ardhur në ulje në krahasim më këtë vit, i cili ka qenë në vlerën e 3.5 miliardë lekëve. Ulje të buxhetit për Ministrinë e Mjedisit ka pasur në të tre zërat kryesore të tij, konkretisht: planifikimi, menaxhimi dhe administrimi; programe për mbrojtjen e mjedisit dhe administrimi i pyjeve.

Paketa fiskale

Nga ana tjetër, qeveria ka miratuar paketën fiskale të vitit 2017, gjithnjë në mënyrë të papritur për bizneset, që nuk janë konsultuar më parë për ndryshimet fiskale, ndryshe nga sa ishte premtuar nga Ministri i Financave në muajt e parë të këtij viti. Burime nga Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe Dhoma Amerikane pohuan dje se ata as janë njohur zyrtarisht me ndryshimet dhe as janë konsultuar me to, madje kanë arritur të sigurojnë paketën vetëm në mënyrë informale. Lorenc Gjoni, drejtor i Dhomës Amerikane tha se ata janë konsultuar vetëm për ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, për të cilin bashkëpunimi ka qenë i kënaqshëm, por jo për paketën e fundvitit.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në datën 11 nëntor janë miratuar disa projektligje, si ai për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare, për akcizat, për nivelin e nivelit të taksave doganore, për tatimin mbi të ardhurat. Projektligjet sapo janë marrë në dorë nga bizneset dhe pasi t’i shqyrtojnë ata do të japin mendimin për to.

Opozita

Përdorimi i fondeve publike shpesh herë është bërë objekt debati mes qeverisë dhe opozitës. Në një kohë kur po diskutohet p/buxheti i vitit të ardhshëm, kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se po i shpërdoron fondet publike. Sipas tij, nuk po plotësohen nevojat emergjente që ka vendi, por po harxhohen miliona dollarë për mobilime zyrash. “Edi Rama ka ndarë 25 milionë dollarë për zyra dhe mobilim zyrash në buxhetin e vitit 2017. Kjo shumë marramendëse për një vend si Shqipëria i shtohet qindra milionë dollarëve të tjerë të harxhuar këtotre vjet për fasada, zyra dhe kolltuqe nga Edi Rama. Por kjo emergjencë nuk është prioritet i Edi Ramës. Prioriteti i tij i vetëm janë fasadat dhe kolltuqet. Ky që justifikohet  kudo se nuk ka para për shëndetësinë dhe arsimin ndaj po ja u jep privatëve, ka përherë para pa fund për zyrat e tij dhe të shërbëtorëve të  tij”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here