Rrëfehet autori: Si e vrava shokun për 150 mijë lekë

0
170
Autori i arrestuar mesnatën e së premtes, Mario Ribaj, e ka pranuar dje krimin e rëndë ndaj shokut të tij, ndërsa ka deponuar të plotë se si ka nisur sherri mes tyre që përfundoi deri në vrasje.

I riu, po nga fshati Vranisht, ka mohuar të ketë pasur si qëllim të vrasë shokun e tij, raporton “Panorama”. Ai ka pohuar para grupit të hetimit se kishte dashur vetëm sa ta trembte atë, por arma i kishte dalë jashtë kontrollit.

Sipas dëshmisë së dhënë nga 23-vjeçari në Policinë e Vlorës, sherri mes dy shokëve ka nisur nëpërmjet telefonit. Kjo pasi Mario Ribaj i kishte shitur një automjet tip “Opel Frontera” Fabjon Veizajt në muajin gusht.

Veizaj nuk kishte pasur mundësi ta paguante njëherazi të gjithë shumën e parave, ndaj kishte rënë dakord me shokun e tij, me të cilin ishin edhe bashkëfshatarë që këstin tjetër të parave prej 150 mijë lekësh të rinj t’ia jepte më vonë.

Pasi kanë kaluar disa muaj, Mario Ribaj e ka telefonuar Veizajn dhe i ka kërkuar pjesën e mbetur nga shitja e makinës, duke i thënë se i duheshin paratë. 23-vjeçari i ka thënë nëpërmjet telefonit se nuk kishte ende mundësi për t’ia shlyer, por Ribaj ia ka kërkuar atij me ngulm duke i thënë “gjej ku të duash, unë po vij t’i marr”.

Biseda mes tyre ka qenë mjaft e ashpër, deri në fyerje ndaj njëri-tjetrit. Sipas të dhënave, 23- vjeçari Ribaj ka qenë në qytetin e Vlorës bashkë me shokun e tij. Pasi kanë debatuar dhe janë ofenduar në telefon, Mario Ribaj ka marrë shokun e tij me vete dhe janë nisur nga Vlora për në fshatin Vranisht.

Në automjet ata kanë marrë edhe një armë automatike tip kallashnikov. Kur kanë mbërritur afër shtëpisë së Fabjonit në Vranisht, ai e ka telefonuar duke i kërkuar që të dilte që të sqaroheshin. Bashkë me 23- vjeçarin ka dalë nga shtëpia edhe vëllai i tij. Ndërsa dy të rinjtë e armatosur kanë qëndruar në makinë, debatet mes tyre kanë nisur sapo dy vëllezërit janë afruar.

Sipas dëshmisë së autorit, i trembur nga një sulm i mundshëm i dy vëllezërve, ai ka nxjerrë armën tip kallashnikov duke shtënë për t’i trembur ata. Por arma i ka dalë jashtë kontrollit dhe një nga plumbat e ka zënë të riun në pjesën e poshtme të trupit (në ije), duke i marrë jetën pas pak çastesh. Sapo ka parë armën vëllai i viktimës është shtrirë në tokë, duke u shpëtuar plumbave.

Pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi, ndërsa tentativa e familjarëve për t’i dhënë ndihmën e parë të plagosurit ka qenë e kotë, pasi ai pas pak minutash ka gjetur vdekjen.

“Kam qëlluar jo për t’i marrë jetën shokut, por për ta trembur. Debati ka nisur për 1.5 milionë lekë të vjetër, që m’i kishte borxh për makinën që i kisha shitur”, është shprehur para hetimorëve autori i arrestuar për krimin në Vranisht.

Sipas burimeve të Policisë, edhe vëllai i viktimës është marrë në pyetje dhe deklarata e tij ka përputhje me atë të autorit. Ngjarja e rëndë në fshatin Vranisht, ku mbeti i vrarë 23- vjeçari Fabjon Veizaj, ka ndodhur pas konfliktit të nisur midis viktimës e autorit për 150 mijë lekë./Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here