Llojet e drogave që përdoren nga europianët dhe shqiptarët

0

Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogës dhe Varësinë nga Droga ka publikuar raportin vjetor të vitit 2016 me shifrat kryesore për drogat e paligjshme në Evropë. Sipas këtij raporti mësohet se të paktën 95 milionë evropianë kanë konsumuar një drogë të paligjshme në një moment të jetës së tyre. Më poshtë renditen drogërat më kryesore që përdoren nga europianët, përfshirë edhe shqiptarët.

Kanabisi është droga e paligjshme më e konsumuara në Evropë, rreth 83.2 milionë persona e kanë provuar. Të paktën 3 milionë evropianë deklarojnë për një përdorim të përditshëm ose pothuajse të kanabisit. Më tepër se dy të tretat janë të moshave nga 15 deri në 34 vjeç.

Kokaina është droga e dytë e paligjshme më e përdorur në Evropë edhe pse nivele të larta të konsumit janë vërejtur vetëm në disa vende të Evropës Perëndimore.Rreth 17,1 milionë persona e kanë konsumuar një herë në jetë dhe 2,5 milionë evropianë të rinj e kanë përdorur atë gjatë 12 muajve të fundit.

EKSTAZIA DHE AMFETAMINAT

Rreth 12,6 milionë evropianë e kanë konsumuar ekstazinë në jetë dhe rreth 3,6 milionë, gjatë vitit.

Rreth 12,7 milionë evropianë i kanë provuar amfetaminat dhe 1,7 milionë të rinj i kanë përdorur gjatë vitit.

OPIAC (PËRFSHIRË HEROINËN)

Heroina është droga më problematike dhe përbën numrin më të lartë të vdekjeve dhe sëmundjeve.

– Më tepër se 1,4 milionë evropianë janë konsideruar si përdorues me probleme të opiaceve, që do të thotë konsumi i drogës me anë të injektimit ose me konsum të rregullt.

AMFETAMINAT

Image

Amfetaminat janë droga sintetike që përgatiten në një shumëllojshmëri formash si pluhur i bardhë, i gjelbër ose i verdhë, tableta, si dhe lëng i futur në kapsula. Përdorimi në rrugë i amfetaminave përfshinë më shpesh trajtën në formë pluhuri.

Amfetaminat u prodhuan fillimisht (vitet 1920) për qëllime mjekësore. Ato jepeshin gjerësisht në vitet 1950 dhe 1960 për të trajtuar depresionet dhe jepen akoma si medikamente për të ulur oreksin në trajtimin e mbipeshës trupore. Ato gjithashtu u jepeshin ushtarëve për të mposhtur lodhjen në betejat ushtarake. Përdorimi aktual për qëllime mjekësore përmbledh mjekimin e narkolepsisë (një tendencë për të rënë në gjumë të zgjatur), si dhe në hyperkinezi (hiperaktivitet) në fëmijët. Amfetaminat mund të thithen në trajtë pluhuri nga hunda. Në trajtën e pluhurit, tabletave dhe kapsulave ato mund të merren edhe si cigare (pirje apo tymosje e cigares), dhe në ndonjë rast edhe përmes injektimit në organizëm.

Amfetaminat janë drogë stimulante që rrit ritmin e frymëmarrjes, ritmin e pulsit, energjinë dhe vigjilencën. Efekti i një doze të vetme mund të zgjasë tre-katër orë. Dozat e larta apo përdorimi i zgjatur mund të çojnë në ndjesi të tilla si rritje e energjisë fizike dhe kapacitetit mendor. Në ndonjë rast pas përdorimit të amfetaminës, përdoruesi mund të ndihet anksioz dhe tepër i shqetësuar, i përfshirë nga ndjenja e panikut apo e persekucionit. Këto ndjesi shuhen menjëherë sapo përdoruesi të lerë drogën. Oreksi tenton të jetë i frenuar dhe shtohet pagjumësia. Kjo shpjegon përdorimin e amfetaminave nga individët që duan të bien në peshë dhe nga ata që duan të rrinë zgjuar për arsye të ndryshme. Menjëherë sapo efektet shuhen, përdoruesit ndihen shumë të lodhur dhe për këtë kërkohet disa kohë që të normalizohen dhe të shërohen. Vet emri më i njohur ndër përdoruesit – “speed” (nxitësi), ve në dukje efektin kryesor të amfetaminave. Është si një lloj energjie e huazuar, çka nënkupton atë që përdoruesi i lypset një periudhë kohe që të shërohet mbas një sesioni të gjatë të përdorimit. Ai mund të ketë vështirësi të ambientohet me ritmin e punës normale. Kjo gjithashtu mund të çojë përdoruesin në sforcim të aktivitetit fizik, duke e bërë atë të humbasë shumë djersë, rrjedhimisht në rritje të nxehtësisë trupore të tij (psh në vallëzim në disko për gjatë gjithë natës).

Efekti i fuqishëm stimulant mundet gjithashtu të jetë i rrezikshëm për individët me probleme të zemrës apo të tensionit të gjakut. Përdorimi për një kohë të gjatë i amfetaminave mund të çojë në zhvillimin e tolerancës (që do të thotë kërkesa për doza më të larta për të përfituar të njëjtin efekt) si dhe mungesën e oreksit dhe të gjumit. Kjo gjendje shpie në ulje të rezistencës së organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Megjithëse vartësia fizike nuk përbën ndonjë problem, lënia e menjëhershme mbas një përdorimi të zgjatur mund të jetë tepër e vështirë, sepse përdoruesit do të ndihen mjaft të deprimuar dhe letargjikë në kohën që nuk e përdorin drogën. Ata mund të kenë ardhur në një pikë që kanë nevojë për marrjen e drogës, pra për stimulim që u jep ajo.

KANABISI

Image

Kanabisi sigurohet nga bima e Cannabis sativa, e cila rritet kudo në botë.

Gjethet e bimës (bari) mund të pihen si duhan ose edhe të përtypen dhe të gëlltiten. Bima mund të koncentrohet edhe në formë të rrëshirës (rezinës) të përgatitur në trajta kallëpesh ose në trajtë vaji. Përdoruesit e quajnë atë me emra të ndryshëm në vartësi të krahinës apo vendit dhe mjedisit social. Kanabisi mund të përdoret në trajtimin e glaukomës (një sëmundje e syrit), artritit, AIDS, sklerozës multiple, si dhe për të mposhtur efektet anësore të kimioterapisë të përdorur në trajtimin e kancerit.

Gjethet e kanabisit mund të pihen si duhan, vetëm ose të përziera me duhan në llullën e duhanit. Rezina mund të pihet si cigare dhe ndonjëherë edhe mund të hahet. Që të dyja, si gjethet, ashtu edhe rezina apo dylli, gatuhen ndonjëherë me gjellët. Vaji i kanabisit zakonisht përdoret për të lyer cigaret që më pas pihen (tymosen). Efektet e kanabisit shpesh varen nga gjendja shpirtërore e përdoruesit, pra e humorit dhe e mendimit paraprak për efektet e pritshme të drogës.

Përdoruesit shpesh referojnë se ndihen më të relaksuar, me humor të shtuar dhe të qeshura pa vend. Ata flasin shumë, e kanë të shtuar ndjesinë e vlerësimit të ngjyrave dhe të zhurmave. Nganjëherë përdoruesit janë anksiozë dhe nevrikë, veçanërisht nëse ata nuk kanë mndësi për të siguruar drogën. Përdorimi i kanabisit cenon përqendrimin, të menduarit, dhe mjeshtëritë manuale (të punës me duar). Ndjesitë e urisë dhe të harresës janë të zakonshme. Efektet nisin menjëherë dhe mund të zgjasin disa orë.

Nuk ka rrezik për mbidozë fatale apo mundësi për t’u kthyer në drogë-vartësi. Por, sikurse me droga të tjera mund të zhvillohet vartësia psikologjike. Nëse përdoruesi bëhet i varur nga droga për të përfituar relaksion, ai do ta ketë të vështirë që të bëjë pa të (vartësi psikologjike). Përdorimi për një kohë të gjatë përmes pirjes me duhan mund të çojë në probleme të mushkërive. Ka gjithashtu risqe për aksidente ndërkohë që përdoruesi është nën efektin e drogës, (psh kur ai nget automjet). Përdorimi i kanabisit mund ta bëjë të vështirë seksin e sigurt pasi droga tenton që të ulë nivelin e ndjeshmërisë. Kur droga merret në situata ku përdoruesi ndihet i deprimuar apo anksioz, ajo mund të çojë në gjendje paranojake.

KOKAINA DHE KRAKU

Image

Kokaina nxirret prej bimës Coca, një shkurre që rritet në Amerikën e Jugut. Fillimisht ajo përgatitet në formën e pastës së kokas dhe më tej përpunohet për të prodhuar kokainën që zakonisht ka trajtën e pluhurit të bardhë kristalin. Kraku është një formë e kokainës, e cila është e mundur që të pihet në trajtën e tymosjes përmes djegies, dhe ka trajtën e kristaleve pa forma ose trajtën të “shkëmbit”. Kokaina sot përdoret rrallë në mjekësi.

Në të kaluarën ajo është përdorur si anestetik lokal.

Deri në vitin 1904 Coca-Cola përmbante sasi të vogla të ekstraktit të kokas dhe tregtohej si tonik. Zigmund Frojd, psikanalisti i famshëm, ishte një prej përdoruesve entuziastë dhe mbrojtës i kokainës. Kokaina pluhur zakonisht thithet përmes hundës, shpesh përmes një bankënote të përdredhur si kaush apo të një pipe ose kërcelli kashte. Por ndonjëherë ajo përgatitet për t’u injektuar në formë solucioni. Kraku pihet me llulle, në një tub xhami, qese plastike ose në fletë alumini. Tymi që krijohet nga djegia e trajtës “shkëmbore” të krakut thithet (inhalohet) në mushkëri. Kokaina dhe kraku janë droga stimulante që e bëjnë përdoruesin të ndihet vigjilentë, me vetëbesim dhe i fuqishëm. Një nivel më i lartë i dozave e bënë përdoruesin të ndihet anksioz dhe me gjendje paniku. Efektet fillojnë fuqimisht mbas 5-10 minutash, por shuhen me shpejtësi. Doza ka nevojë të përsëritet për rreth çdo 20 minuta për të ruajtur efektin e dëshiruar. Dozat e larta mund të bëjnë përdoruesin të ndihet shumë anksioz. Efekti stimulant mund të pasohet nga ndjenja e depresionit dhe e lodhjes. Megjithëse kokaina nuk është drogë që normalisht të çojë në vartësi fizike, përdoruesit mund të joshen për përdorimin e rregullt në përpjekje për të mbajtur ndjesitë e energjisë dhe të fuqisë dhe për të shmangur depresionin dhe mungesën e “gjendjes së lartë shpirtërore”.

Kjo është sidomos arsyeja e kësaj gjendjeje të lartë shpirtërore, e cila shpie në një gërryerje psikologjike për doza gjithnjë e më të larta. Përdorimi në doza rregullisht të larta mund të çojë në shqetësim, nauze, pagjumësi dhe paranojë. Thithja e përsëritur e kokainës mund të çojë në vështirësi të frymëmarrjes dhe mund të dëmtojë kalueshmërinë e ajrit përmes hundës.

Tymosja e përsëritur e kokainës në formë të djegies çon në dëmtime të mushkërive dhe humbje të zërit. Injektimi i kokainës mbart me vete riskun e infektimit prej sëmundjeve që transmetohen përmes gjakut (sikurse HIV/AIDS, hepatite virale B e C, etj), pikërisht atëherë kur pajisjet injektuese ndahen me njëri tjetrin me një grup përdoruesish.

EKSTAZIA

Image

Ekstazia është një drogë e prodhuar ilegalisht, e përgatitur në formë të kapsulave ose të tabletave. Emri kimik është MDMA-3,4 methylenë-dioxymetamphetaminë. Droga të ngjashme me te, si MDA ose MDEA tregohen ndonjëherë si ekstazi.

Ekstazia është përdorur për herë të parë në Gjermani në fillim të shekullit njëzet si një mjet për të frenuar oreksin, megjithëse disa mjekë në vende të ndryshme kanë sugjeruar përdorimin e saj në individët që kanë probleme mendore kronike.

Ekstazia përdoret zakonisht në formë tabletash apo të kapsulave që merren nga goja. Kjo drogë është bërë mjaft popullore në shumë vende perëndimore qysh prej fundit të viteve tetëdhjetë. Ajo vazhdon të jetë një drogë që përdoret nga të rinjtë në rrethana të ndryshme sociale. Ekstazia është një drogë stimulante me veti të lehta halucinatore. Ajo ka tendencë t’i bëjë përdoruesit të ndihen më energjikë. Shumë përdorues raportojnë një ndjenjë qetësie, humbjen e ndjenjës së armiqësisë dhe të inatit, rritjen e sensit të komunikimit dhe të simpatisë për të tjerët. Mundet gjithashtu të vërehet një sens i rritur i vlerësimit të ngjyrave dhe të ambientit rrethues.

Ndonjëherë përdoruesit mund të ndiejnë të përziera de çorientim. Kontrakturat e nofullës dhe humbja e oreksit janë të zakonshme. Efektet fillojnë mbas 20-60 minutash dhe mund të zgjatin për disa orë. Me përdorimin e dozave të larta mund të instalohet një gjendje e konfuzionit, sidomos kur përdoruesit janë në gjendje paniku. Përdoruesit e rregullt mund të vuajnë prej problemeve të gjakut, mungesës së energjisë dhe depresionit. Ndërsa vartësia fizike nuk përbën ndonjë problem, mund të zhvillohet vartësia psikologjike, sidomos përsa i përket ndjesisë të qetësisë dhe të euforisë të shoqëruara me përdorimin e drogës. Ka një rrezik të madh për aksidente ndërkohë që individi mund të jetë ende nën efektet e drogës. Seksi i sigurt mund të jetë tepër i vështirë që të realizohet nën efektet e ekstazisë, që njihet edhe si “drogë e dashurisë”. Përdorimi i ekstazisë mundet gjithashtu të jetë me rrezik veçanërisht për individët që kanë probleme të tensionit të lartë dhe të zemrës. Vdekjet nga kjo drogë janë të zakonshme. Ato ndeshen sidomos në rastet kur individi, ndërsa është nën efektet dhe influencën e drogës, bën aktivitet fizik papushim. Një aktivitet i tillë shpie në shtimin e harxhimit të energjisë, rritjen e temperaturës së trupit, si pasojë e humbjes së shtuar të lëngjeve (dehidratim) dhe të kriprave të organizmit. Një situatë e tillë është tipike për ekstazinë, që është tipikja e “drogave të dancit”, me përdorim të gjerë në mjedise të mbyllura si disko, klube nate, etj. Rrjedhimisht është e domosdoshme pirja e ujit në sasi deri në 500 mililitra në orë. Për të zëvendësuar humbjen e kripërave duhen ngrënë ushqime të kripura gjatë aktiviteteve fizike. Problem është gjithashtu identifikimi. Ekstazia mund të jetë e vështirë të dallohet prej drogave të tjera. Përdoruesit janë ndonjëherë jo të sigurt rreth asaj se çfarë droge janë duke përdorur dhe çfarë efekti mund të ketë ajo. LSD dhe amfetaminat janë shitur shpesh në vend të ekstazisë. Nën emrin e ekstazisë mund të shiten edhe tableta të tjera, të ashtuquajturat “tabletat E”, të cilat përgatiten në ambiente shtëpie prej një sërë drogash të tjera apo përzierjesh fallco.

HEROINA (dhe drogat e tjera opioide)

Image

Heroina është një pluhur që nxirret prej bohçes së bimës Papaverum somniferum (popi). Ka gjithashtu shumë opiate të tjerë (droga sikurse heroina) që prodhohen në mënyrë sintetike prej kimikateve të ndryshme apo prej përpunimit të mëtejshëm të heroinës sikurse janë morfina, petidina, kodeina, dikonali, temgesiku, palfiuni, metadoni, etj. Në vende të ndryshme përdoren emra të ndryshëm dhe sinonime të ndryshme.

Në Shqipëri termat që përdoren më shpesh për heroinën janë “malli”, “pluhuri”, “e kuqja” etj. Ka një përdorim të shtrirë të opiateve për qëllime mjekësore.

Heroina dhe morfina janë medikamente që jepen për qetësimin e dhimbjeve të forta të padurueshme. Petidina shpesh i aplikohet grave gjatë lindjes. Opiate të tjerë përdoren gjerësisht për qetësimin e dhimbjeve, për qetësimin e kollës etj. Methadoni përdoret sot gjerësisht në botë për trajtimin e vartësisë nga heroina. Synimi është që të jepet një drogë me efekte të ngadalta, e ngjashme me heroinën, e cila mposht kërkesat e përdoruesit për heroinë apo droga që trafikohen në rrugë. Në raste të veçanta vetë heroina është përdorur për trajtimin e përdoruesve të drogës, përdorim ky tepër i rrallë sot. Heroina mund të pihet në formë të cigareve, të thithet si pluhur ose të injektohet. Shumë opoide të tjerë merren përmes gojës në formë të tabletave dhe të tretësirave. Tabletat mund të shtypen dhe të treten për t’u injektuar intravenoz. Opioidet janë droga sedative. Ato ngadalësojnë funksionet trupore dhe japin një ndjenjë të ngrohtësisë. Përdorimi pasohet nga ndjesitë e një shkëputjeje prej ambientit të jashtëm, ndjesi relaksuese (çlodhëse).

Shmangen ndjesitë e ankthit dhe bllokohen ndjesitë e dhimbjes fizike dhe vuajtjes emocionale. Doza më të larta mund të çojnë në qetësim dhe përgjumësi. Efektet fillojnë me shpejtësi dhe zgjasin disa orë, por kjo varion sipas rrugës së marrjes. Gjatë përdorimit të rregullt zhvillohet toleranca (kërkesa për doza më të larta për të fituar të njëjtin efekt) si dhe vartësia fizike. Tërheqja nga përdorimi apo abstinenca mund të çojë në simptoma klinike tepër distresuesë për përdoruesin: përdoruesi i heroinës, tek i cili është zhvilluar tashmë vartësia totale psikologjike dhe fizike ndaj saj, dhe ende më keq edhe toleranca, e ka tepër të vështirë ndërprerjen e marrjes së heroinës, sepse ai do të ndodhet përpara një simptomatologjie klinike shumë stresante për te, me simptoma që do ta shtyjnë të përdorë përsëri drogën. Është për këtë arsye që ai duhet domosdoshmërisht të ndodhet nën mbështetjen e vazhdueshme terapeutike mjekësore, të ndërthurur me mbështetjen psikologjike dhe sociale, fillimisht në qendrat e specializuara të detoksifikimit (mjekimi afat-shkurtër), dhe më pas në qendrat e specializuara rezidenciale (mjekimi afat-gjatë). Dhe është pikërisht në këtë drejtim që merr rëndësi mjekimi zëvendësues me metadon (pacienti merr metadon në vend të heroinës, gjithmonë duke qenë i trajtuar në qendrat e specializuar, dmth nën kujdesin e mjekut specialist. Vështirësia psikologjike dhe fizike për ndërprerjen e përdorimit të heroinës mbart në vetvete rrezikun e drejtimit në sjellje kriminale: përdoruesi e kërkon domosdoshmërisht heroinën, për blerjen e së cilës ai shtyhet në vjedhje fillimisht në shtëpinë e vet e më pas jashtë saj., në grabitje, e deri edhe në dhunim e vrasje, duke u bërë kështu subjekt i ndjekjes penale. Dozat e mëdha të heroinës (mbidozat) çojnë në gjendje të humbjes së plotë të vetëdijës (koma), që shpesh përfundon në vdekje. Ky është risku më i madh i përdorimit të saj.

Marrja e heroinës me rrugë injektimi intervenozo mbart veç rrezikut të mbidozës edhe rrezikun e infektimit me sëmundjet të transmetueshme në rrugën e gjakut, konkretisht infeksioni vdekjeprurës HIV/AIDS (SIDA) apo infeksionet po ashtu fatale të hepatiteve virale B e C, etj. pikërisht atëherë kur përdoren pajisje injektuese (shiringa, age, etj) që kanë qenë të përdorura nga përdorues të tjerë.

LSD (Dietamidi i Acidit Lisegjik)

Image

LSD është një drogë e përdorur ilegalisht, e quajtur Dietamidi i Acidit Lisegjik (Lysegic Acid Diethyamide). Vetëm sasira shumë të vogla të saj nevojitën për të dhënë efektin. Paraqitet në trajtë të lëngshme (copa letre të ngopura me tretësirën e drogës), apo në trajte të kuadrateve të vegjël, apo në formë tabletash dhe kapsulash. Më parë ka pasur disa përshkrime përdorimi për qëllime mjekësore, sidomos për pacientët me probleme kronike të sëmundjeve mendore, por ky përdorim u eliminua plotësisht për arsye sepse efektet ishin krejtësisht të paparashikueshme e të pamatshme. Pra, aktualisht nuk ka asnjë lloj përdorimi të LSD për qëllime mjekësore.

LSD merret zakonisht përmes gojës në formë kapsulash, tabletash dhe copëzash letre të ngopur me tretësirën e drogës. LSD është një drogë halucinogjenike. Efektet fillojnë mbas 30 minutash deri në një orë dhe mund të zgjasin deri në 12 orë. Efektet variojnë nga personi në person. dhe tek i njëjti person nga gjendja emocionale në momentin e përdorimit. Mund të ketë deformime të imazheve vizive (imazheve të pamjes) dhe atyre auditive (imazhet e dëgjimit), pra halucinacione, si dhe intensifikimi të ngjyrave, ndryshime në sensin e kohës dhe të hapësirës, etj. Disa përdorues raportojnë një rritje të vigjilencës për veprimet e tyre. Ndjesitë e të qenit jashtë trupit janë të zakonshme.

Ndërsa një efekt i LSD mund të jetë eksitues dhe i pëlqyeshëm, një efekt tjetër i saj mund të jetë i frikshëm (si psh ndjenja e panikut apo ndjenja e persekutimit). Reaksionet e papëlqyeshme mund të përfshijnë ankthin, depresionin, paranojën dhe ndjesitë e persekutimit dhe të marrëzisë së nxitur. Kjo mund të jetë e rrezikshme nëse përdoruesit janë me depresion apo me ide suicidale (ide të vetëvrasjes).

Mund të ndodhin aksidente me automjete apo me makineritë e ndryshme ndërkohë që individi është nën efektin e drogës. Nuk ka të dhëna për vartësi fizike apo për rrezik për doza fatale. Karakteristike është shfaqja e efekteve të drogës dhe mbas ndërprerjes së përdorimit të saj: një eksperiencë e tillë quhet “rikthim i efektit” (flashback), dhe mund të jetë shqetësuese veçanërisht kur përdoruesi nuk di përse ajo ndodh.

Lini nje pergjigje