Standard.al

Arsimi i Lartë në Shqipëri, larg Kartës së Bolonjës e larg Evropës

0

Nga Dr. Albano Zhapaj

Arsimi i lartë ka qenë dhe mbetet një nga çështjet më kryesore të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe të vetë familjes së madhe të Bashkimit Evropian, ku vendi ynë prosperon të jetë pjesë.  Periodikisht, ekspertët më të mirë të BE për arsimin duke bërë  analizën e tre niveleve të  arsimimit dhe formulimin e propozimeve të zhvillimit për të ardhmen, marrin parasysh se sistemi i transferimit të krediteve formativë dhe diplomat më të suksesshme e të njohura  në Evropë  bazohen mbi atë që quhet Procesi i Bolonjës, i cili është sistemi i famshëm “3+2”.

Një pyetje që duhej, urgjentisht, shtruar sot në rrethet akademike shqiptare  është se në ç`pikë është zbatimi i procesit të Bolonjës dhe cilat janë propozimet për të ardhmen e arsimit tonë të lartë?. 

Problemi nuk ngrihet  vetëm në  përkufizimet e ndryshme që mund apo duam t`i bëjmë sistemit, por mbi perceptimet e ndryshme që po i japin sistemit shkollat tona të larta, të cilat me sa duhet kanë mbetur ende peng të “horizontit” kombëtar të formimit universitar, kjo tashmë e shtuar falë një ligji të arsimit të lartë që distancon hapësirën evropiane të arsimit të lartë nga hapësira jonë e formimit universitar. Kujtoj se arsimi i lartë shqiptar vjen nga një traditë e fortë lindore, si në përmbajtje ashtu edhe në procese dhe burime njerëzore. Mjaft nga katedrat tona universitare janë me titullarë të formuar në shkollat lindore. Ka universitete që mëshojnë mbi rëndësinë e kthimit të sistemit 4 vjeçar dhe në mos arritje të kësaj, kërkojnë të shtohen diplomat unike me cikël 5 vjeçar. Të tjerë universitete shtetërorë apo privatë aplikojnë modelin e notave dhe kreditëve amerikanë apo anglezë, duke krijuar jo pak amulli në interpretimin e tyre kur studentët për efekt të vazhdimësisë së studimeve i drejtohen një institucioni të arsimit të lartë të ndryshëm nga ai i origjinës.  Ndërkohë që duhet të ishte koha për të kapërcyer horizontin kombëtar në formimin e studentëve dhe vlefshmërinë e diplomave që lëshojnë universitetet tona.  Arkitektura e  përbashkët e formimit universitar, që na ofron Karta e Bolonjës,  adreson nevojën për të përcaktuar një vlerë të njëjtë për diplomat tona apo edhe për kualifikimet, edhe në rastet kur shkohet për studime jashtë vendit, por edhe në rastet kur diploma apo kualifikimi  merret jashtë vendit tonë.  E thënë ndryshe,  ata studentë që kanë përfunduar një cikël studimesh në Shqipëri dhe që regjistrohen në një universitet në Evropë, a do të kenë të drejtë të quhen të diplomuar në Evropë, dhe a është diploma e tyre një diplomë që është e vlefshme në Evropë. Por, sa janë pedagogët apo akademikët që mendojnë se me ligjin aktual jemi  në këto kushte?

Cila është oferta e tonë universitar dhe a është ajo afër atij  evropian? Dhe më tej: çfarë vlere ka diploma jonë në vendin tonë dhe çfarë vlere ka ajo jashtë tij?

Garantimi i lëvizshmërisë së lirë të studentëve dhe njohja e kualifikimeve reciproke të një vendi pjesë e Sistemit të Bolonjës, përbëjnë  kushtet thelbësore për suksesin e arsimit të lartë të një vendi evropian në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.  Situata e arsimit të lartë shqiptar e parë në planin kombëtar shfaqet e lavdërueshme në rrethet shtetaro-intitucionale, por kjo s’do të kishte asnjë vlerë në qoftë se nuk bëjmë një analizë të sistemit e parë kjo nga sytë e vendeve të tjera evropiane, dmth që diploma jonë rezulton më pak  sfiduese se të tjerat, ku hulumtimi, risitë dhe cilësia nuk janë pjesë e  konkurrencës së hapësirës evropiane të arsimit të lartë, por janë pjesë e gjykimit dhe vlerësimit të sistemit tonë burokratik arsimor, pra të ekzekutivit.  Duket qartë se pothuaj gjithë sistemi i arsimit të lartë punon për të kënaqur më tepër humorin e ekzekutivit, në vend që të punojë për të përmirësuar vetveten dhe për tu bërë pjesë të denjë të konkurrencës me arsimin e lartë në hapësirën evropiane.

Për të mundësuar një arsim të lartë cilësor dhe konkurrues është tejet e nevojshme që universiteti të gëzojë një  autonomi substanciale, e cila duhet të jetë e lidhur ngushtësisht, nga njëra anë  me  misionin e universitetit, atë të formimit personal e profesional të njeriut , dhe nga ana tjetër me  autonominë procedurale,  dmth strategjitë me të cilat duhet realizuar misioni i universitetit . Të dyja këto autonomi duhet të jenë anët e ndryshme të së njëjtës medalje, pra të jenë në dorë të institucionit të arsimit të lartë dhe jo të diktohen me procedura burokratike të një institucioni burokratik të ekzekutivit. Procesi i harmonizimit të sistemeve të arsimit të lartë në Evropë, e nisur me Marrëveshjen e Bolonjës në vitin 1999,  ka ecur në disa vende më shpejt e në disa të tjera ngadalë, duke përshtatur programe e procedura të vendeve të ndryshme të Evropës,  për të arritur në vitin 2003, vit në të cilin edhe Shqipëria u bë firmëtare e Kartës së Bolonjës, duke filluar edhe ajo ngadalë përshtatjen e sistemit dhe legalizuar implementimin e tij me ligjin e vitit 2007 për arsimin e lartë. Është e evidentuar që diplomat e studentëve tanë nuk njihen absolutisht në tregun e punës së Evropës, me ndonjë përjashtim të rrallë, që nuk përbën asnjë peshë në analizën e përgjithshme të sistemit.

Natyrshëm, pyetja që shtrohet është, përse nuk ka funksionuar siç duhet sistemi i Bolonjës tek ne?

Procesi i përshtatjes së programeve dhe profileve filloi mirë, por duket se  humbi  gjatë rrugës. Zbatimi i plotë i Procesit të Bolonjës që duhet të sillte fleksibilitet më të madh të sistemit të arsimit të lartë, në të kundërt u shndërrua në një model të ngurtë, tashmë edhe më të ngurtë se më parë, në një farë mënyre  i komanduar nga pushteti ekzekutiv,  gjë e cila vështirësoi punën e universiteteve duke e lënë Shqipërinë larg nga procesi i afrimit me hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe logjikisht me  Evropën.

Megjithatë duhet pranuar se për një vend si ky i yni,  nuk është aq e lehtë për të krijuar një sistem efektiv të vlerësimit dhe tashmë në Shqipëri ne jemi shumë vonë për ta bërë këtë.  Ka qenë më herët e nevojshme për të futur një sistem të sigurimit të cilësisë të kalibrit evropian,  për të vlerësuar objektivat dhe arritjet e universiteteve, por mbi të gjitha duheshin ndërgjegjësuar dhe shturë universitetet të punonin  përmes parimit se vlerësimi i tyre nuk është për të ndëshkuar ose për të bërë renditjen, por për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të ofruar. Kjo pjesë deri diku u bë pjesërisht, por më tej u kthye në një formalitet procedural e burokratik, e cila bëri që qëllimi final i universiteteve të mos ishte rritja e cilësisë, por rritja e atyre parametrave të cilësisë, në të shumtën e rasteve artificiale, për të kënaqur shijet dhe kriteret e vëna nga ekzekutivi burokratik.

A u përgjigjet universiteti shqiptar nevojave të sotme të dijes perëndimore?

Shndërrimi i misionit fisnik të universiteteve, kjo me hapjen e shumë universiteteve private, nga “mision formues” në “mision/biznes përfitues”, ka bërë sot të mundur që pushteti ekzekutiv dhe bota universitare shqiptare, studentët përfshirë si viktima,  të gënjejë veten në raport me Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, duke menduar se me “letrat e kopsitura” nga Agjencia jonë Kombëtare e Akreditimit, po ja hedhim Evropës, dhe “pretendojmë” të jemi po aq cilësorë sa ata.

Do ishte bukur në qoftë se do ishte e vërtetë që “jemi cilësorë”, por vëmë re se studentët tanë, edhe kur nëpërmjet rrjeteve të informimit miqësor, arrijnë të gjejnë një okupim në ndonjë shtet të Evropës, u duhet me patjetër të bëjnë ndonjë vit studime shtesë për të rikuperuar/plotësuar njohuri të munguara për faj të sistemit, apo për mosnjohjen/moskonsiderimin e Institucionit të Arsimit të Lartë që atij i ka lëshuar diplomën.  Universiteti shqiptar, jo vetëm që nuk u përgjigjet nevojave të sotme të dijes perëndimore, por nuk arrin që studentit t`i mësojë se si të mësojnë, në mënyrë që edhe në qoftë se njohuritë e studentit mund të mos jenë në përputhje me njohuritë dhe teknologjitë e së ardhmes që ende nuk e dimë se si do jetë: por të paktën ta mësojë që dijen e marrë të dijë ta përdorë dhe  të marrë parasysh se arsimimin ta konsiderojë si investim dhe jo si një proces të domosdoshëm diplomimi për të përfituar shpejt e shpejt një karton, e mandej një vend pune në shtet apo privat.

Ku jemi me transparencën e implementimit të Kartës së Bolonjës?

Të mos harrojmë se për ekspertët e Bashkimit Evropian dhe Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë transparenca e sistemeve për sa i përket implementimit të Procesit të Bolonjës,  është gjithmonë në rendin e ditës. Pak vite më parë Parlamenti Europian miratoi Rezolutën për Arsimin e Lartë 2011/2180 mbi kontributin e institucioneve evropiane për  konsolidimin dhe përparimin e Procesit të Bolonjës, në të cilin mori pjesë edhe Shqipëria.

Në  këtë rezolutë, Parlamenti Evropian  theksoi  rëndësinë e zhvillimit të arsimit të lartë  si një element kyç për bashkëpunim midis shteteve anëtare të Kartës së Bolonjës , për të arritur objektivat kryesore të “Strategjisë BE 2020” në drejtim të rritjes dhe punësimit dhe rimëkëmbjen e nevojshme ekonomike. Në këtë linjë  Komisioni Parlamentar i BE për Zhvillimin e Kulturës Shkencore dhe Teknologjik përcaktoi orientime të qarta për një zhvillim të ri të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë përsa i përket: institucioneve evropiane dhe hapësirës së  arsimit të lartë; aftësive dhe kompetencave të studentëve dhe të diplomuarve; njohjes reciproke të kualifikimeve; si dhe PhD-ve  dhe kërkimit shkencor.

Pa transparencë, larg Bolonjës, larg Evropës

Hapësira Evropiane të Arsimit të Lartë kërkon transparencë, një parim i cili lejon që sisteme shumë të ndryshme nga njëri-tjetri të njohin njëri-tjetrin, për ta kuptuar njëri-tjetrin dhe për të punuar me njëri tjetrin,  pra të punojnë së bashku duke respektuar edhe specifikat apo  rrethanat kombëtare, institucionale dhe personale nëpërmjet përdorimit të një skeme të përbashkët.

Njohja reciproke e kualifikimeve është rezultat i rritjes së bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe përkrahja e studentëve dhe kërkuesve,  është thelbësore për motivimin e  lëvizshmërisë akademike dhe profesionale. Sot, një kuadër i përshtatshëm rregullator i njohjes së diplomave dhe titujve, sipas logjikës së Bolonjës dhe direktivave të BE, ka mbetur në vend numëro, ose është shndërruar në një proces puro burokratik të ekzekutivit të arsimit, ndërkohë që  është i nevojshëm kalimi i kompetencave të njohjes së diplomave dhe titujve nga vetë universiteti dhe  modernizimi i tij informativ, por kjo nuk është e mjaftueshme, në qoftë se nuk motivohet  vetëdija  se të mësuarit dhe aftësinë për të përtëritur dijet  dhe për të rritur aftësitë e tyre duhet të vazhdojë gjatë gjithë procesit njerëzor  të  jetës. Jemi ende larg këtij vizioni.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.