ARMO filloi punë, po kush e vuri në punë?

0
418

–   A fshihen pas futjes në lojë të një kompanie fantazmë nga Ishujt Virxhin Britanikë interesat e vetë kryeministrit shqiptar? Angazhimi i “alter ego”-s së tij kryefinancierit Ahmetaj të thotë se duhet menduar se kjo është e vërtetë…

Ervin Kaduku

Para pak ditësh, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, që ka shkuar në Ballsh për të njoftuar se rafineria e naftës filloi sërish nga puna. Një lajm i mirë të paktën për ato familje, që ishin mashtruar nga “manjati” Rezart Taçi, ikur tashmë në drejtim të paditur. Por ajo që të shqetëson është fakti se, pa dhënë asnjë sqarim se çfarë po ndodh në të vërtetë me rafinerinë e vetme të përpunimit të naftës në Shqipëri, qeveria shqiptare prezantoi investitorët e saj të rinj në një terr të plotë informativ. Nuk u shpjegua se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me pronësinë e saj, si do të shlyhen detyrimet e kompanisë dhe çfarë zgjidhjeje do t’u jepet borxheve tatimore. Por ajo që është më se e qartë, mbetet fakti që nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në marrjen e aseteve nga përdoruesit e saj, ata vetëm po shfrytëzojnë këtë pasuri pa pasur asnjë kontratë të nënshkruar mbi vlerën e investimit dhe dhënien e borxheve, por vetëm premtime mediatike. Harry Seargent, i cili u prezantua si përfaqësues i grupit investitor, rezulton si një person, i cili ka mashtruar në marrëveshje tregtare në çështjet e naftës vetë ushtrinë amerikane. Në çdo artikull, në krah të tij del si bashkëpunëtor i afërt Mustafa Abu Nabaá, i cili është kreu i Këshillit Drejtues të kompanisë që po shfrytëzon ARMO-n.

Askush nuk e njoftoi pronësinë e re të së vetmes kompani që përpunon naftën në Shqipëri. Një ndërmarrje e cila la pa punë 1200 njerëz, rifilloi veprimtarinë e saj, por këtë e zbuloi një njoftim i kompanisë Bankers Petroleum. Ionian Refining and Trading CO është konsorciumi që ka marrë në dorë ARMO-n, por askush nuk e di origjinën e pronarëve të saj. Qeveria nuk vonoi të tregonte menaxhimin e ri prej një firme amerikane, por dokumentet e kompanisë rezultojnë se ajo është themeluar në ishujt Virgin. Një bastion i palëkundur i mbretërive të fshehta financiare, ku fshehin paratë e pista qindra pushtetarë nga mbarë bota. Në datën 8 qershor, regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania Ionian Refining and Trading CO. Disa ditë më pas, dy degë të kësaj kompanie, me të njëjtin emër, hapin dy NIPT-e të tjerë për të bërë aktive kompaninë dhe në fusha të tjera. Fusha e zgjerimit të saj është shitblerja e pasurive të patundshme, përpunimi i lëndëve hidrokarbure dhe gazit dhe tregtimi i karburanteve. Askush në këtë muaj nuk mendoi se kjo ishte një zgjidhje për disa qindra protestues në kryeqytet që vinin për t’u bërë thirrje qeverisë të rivinte në punë rafinerinë ARMO dhe për të marrë pagat e prapambetura…

Lajmin për ndryshimin e pronësisë së ndërmarrjes së vetme të përpunimit të naftës e dha përmes një njoftimi për shtyp kompania koncesionare e prodhimit të naftës në Patoz-Marinëz, Bankers Petrolium. Në mënyrë të tërthortë, Bankers njoftonte një marrëveshje të nënshkruar me firmën IRTC sh.a., ku do t’i jepte një pjesë të prodhimit për rafinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në uzinën e Fierit dhe Ballshit, rrjedhimisht ARMO-s. “Bankers Petroleum Ltd ka kënaqësinë të deklarojë nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC). Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga qeveria shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol”, thuhej në njoftimin e kanadezëve. Të frikësuar nga detyrimet që kjo kompani mund të krijonte karshi saj, Bankers u kujdes që të marrë garanci për lëndën që do t’u shesë menaxherëve të rinj të ARMO-s, e cila nuk është pak, por 65% e prodhimit të saj. “Sapo të bëhet efektive, Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kompania do të marrë garanci pagese në avancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016 – 31 dhjetor 2017”, njofton ajo.

Por ka qenë një këmbëngulje e qeverisë për të mundësuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të vijonin punën punëtorët dhe rafineria të mos amortizohej tërësisht. Kanadezët nuk do t’ia shesin më shtrenjtë naftën konsorciumit të ri, por çmimi do të jetë i njëjtë me atë të eksportit duke zbritur kostot e transportit. “Çmimi i naftës, sipas kësaj marrëveshjeje, bazohet në atë të eksportit, duke zbritur kostot e transportit dhe tarifat portuale. IRTC do të përpunojë naftën bruto në rafineritë vendase të Fierit dhe Ballshit. Pjesa tjetër e naftës së prodhuar nga Bankers do të vijojë të shitet në tregun e eksportit”, thotë njoftimi i saj.

Megjithatë askush nga qeveria nuk dha asnjë informacion lidhur me ndryshimin e shfrytëzuesve të rinj të ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit është pronare e rafinerisë me 15% të aksioneve, po ashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë është përgjegjësja për ecurinë e rafinerisë, dhe e vetmja që dha një informacion të paplotë ishte ajo e Financave. Ministri i Financave nuk vonoi të shkonte në këtë rafineri dhe të jepte lajmin e mirë për ata që do të rinisnin punën. “‎Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati-gati në skllevër të papunë për disa vite. Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falënderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”. tha Ahmetaj.

Një kompani me një kapital aksioner prej 35 mijë dollarësh ka tashmë në përdorim rafinerinë e ARMO-s, madje përfaqësuesi i saj është zotuar se firma do të zgjidhë edhe problemet me palët e treta, të cilat nuk janë të pakta… “Jemi shumë entuziastë për rifillimin e punës së rafinerisë së madhe dhe që rikthyem të gjithë këta njerëz në punë në këtë industri. Doja të thoja që kjo ka qenë një çështje shumë e komplikuar, por pas operacioneve me bankat ne blemë kreditë dhe me disa investitorë të tjerë amerikanë. Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në një deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n.

Me një këshill drejtues të përfaqësuar nga tre persona, Kompania IRTC ka zgjedhur në krye të saj një shtetas dominikan të lindur në Jordani për të qenë kryetar i Këshillit Drejtues të saj. Në statut, kompania kujdeset të shpjegojë se në aktivitetin e saj nuk e përjashton mundësinë e dhënies dhe marrjes me qira të pasurive të paluajtshme, edhe pse qëllimi kryesor është rafinimi i lëndëve hidrokarbure. Kjo pikë e rëndësishme e statutit, vendos një pikëpyetje të madhe për qëllimin e vërtetë të investitorëve të rinj, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies në përdorim të aseteve që kanë në palë të tjera. Po ashtu, vetë Bankers Petrolium nënvizonte që marrëveshja për të shitur lëndën që nxjerr nga nëntoka shqiptare zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.

Fondet

Askush nuk e di se cila është vlera e parave që administratorët e rinj paguan për të marrë në përdorim asetet e ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit si pronare e 15% të aksioneve të kompanisë nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjes se a është në dijeni për zhvillimin e një transaksioni shitjeje apo dhënie në përdorim të rafinerisë ARMO sh.a., si pronare e saj me 15% të aksioneve.

Dy personat të cilët u morën drejtpërdrejt me vënien në punë të rafinerisë, ishin ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe zv.kryeministri Niko Peleshi. I pyetur gjatë vizitës në uzinën e Ballshit se si u bë shitja e këtij aseti, Ahmetaj u shpreh kështu: “Dua ta kuptoni ju dhe ta kuptojnë qytetarët që dhënia me qira nuk është bërë nga ne. Ky aset, kjo rafineri që shikoni, ka qenë, për shkak të atij privatizimi korruptiv, me taksa të papaguara, me furnitorë të papaguar, me punëtorë rrugëve dhe e morën në dorë bankat. Pra bankat e morën këtë aset në dorë për shkak të dështimit të asaj qeverie që i gënjeu të gjithë këta punëtorë këtu dhe kompania amerikane, pra investitori, e ka blerë nga bankat dhe ky aset, pra rafineria, është konceptuar si një operacion më vete, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive. Pronari i ri i rafinerisë është grupi amerikan, pra investitori”. Por, sipas ligjit, përsa kohë që ARMO konsiderohet një sektor strategjik, ndryshimi i pronësisë nuk mund të bëhet dot me vënie sekuestro nga përmbarimi (i cili ka siguruar një vendim gjykate për vënien e sekuestros nga ana e bankave). Dy nga bankat që operojnë në Shqipëri, Credins dhe Raiffeisen, kanë kërkuar të marrin uzinën e Fierit dhe Ballshit me qëllim ekzekutimin e kredisë respektivisht prej 18 dhe 27 milionë dollarësh që ARMO mori në vitet e para të privatizimit, por edhe pse e kanë këtë të drejtë, askush nuk është interesuar për të blerë këto rafineri. Arsyeja është thjeshtë: ato nuk mund të jenë pronare të një sektori strategjik pa vendosur më parë Këshilli i Aksionerëve.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Shoqëria përmbarimore EPSA ka depozituar urdhrat e sekuestros së rafinerisë dhe po ashtu ka tentuar të zhvillojë ankande për shitjen e aseteve të kompanisë, por askush nuk ka dhënë një ofertë për të blerë në asnjë prej ankandeve të zhvilluara. Bankat në fakt nuk kanë shitur asnjë aset të ARMO-s. “Dosja është pezull me kërkesë të bankës”, thanë burimet e EPSA. Kjo e fundit në 19 shkurt dhe 23 mars zhvilloi dy ankande për llogari të Bankës Raiffeisen ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh ose 20 milionë eurosh. Të dy ankandet dështuan. Me anë të dakordësisë së qeveritarëve, kompania offshore ka marrë miratimin e administratorit të shoqërisë për të përdorur asetet dhe për të rivënë në punë rafinerinë kundrejt shlyerjes së pagave të punonjësve dhe kryerjes së një investimi për përmirësimin e gjendjes së saj jo më të madh se 15 milionë dollarë. Pra, ARMO nuk është shitur por vetëm po shfrytëzohet nga një kompani e huaj, por se çfarë vlere po paguan si qira, askush nuk di ta thotë. Ministri Ahmetaj tha se vlera e investimit për 18 muaj do të arrinte në 150 milionë dollarë. “Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me Trans Atlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjera që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers, sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri”, ka thënë Ahmetaj gjatë vizitës në Ballsh.

Detyrimet

Kompania audituese Deloitte ka audituar bilancin e ARMO-s të vitit 2013. Audituesi pa të gjitha bilancet në vite dhe gjeti mosrakordime shifrash në vlera të konsiderueshme. Rezultoi që kompania në katër vite kishte falsifikuar inventarët duke shmangur pagesën e taksave, por këtë aksionerët e rinj që blenë rafinerinë në gusht të 2013-s e konstatuan shumë vonë. “Shoqëria zbuloi se detyrimi për tatimet e shtyra nuk ishin njohur në pasqyrat financiare për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2012 dhe 31 dhjetor 2011”, thotë raporti i Deloitte. Në bazë të rivlerësimit që u bë në bilancet e ARMO-s, detyrimet tatimore të shtyra arritën në 73 milionë dollarë. Sot kompania numëron këto detyrime në administratën shtetërore: 54 milionë dollarë janë tatim i shtyrë në vite, i cili është krijuar përpara vitit 2012, çka bën që të përfitojë nga amnistia fiskale. Ky detyrim është ulur për shkak të pagesës që kanë bërë pronarët në këtë periudhë. Por pavarësisht shlyerjes së tyre, kompania ka krijuar detyrim të ri prej 25 milionë dollarësh ndaj Drejtorisë së Doganave dhe 5 milionë dollarë ndaj tatimeve. Në total shuma e borxhit të saj ndaj buxhetit shkon në 85 milionë dollarë. Detyrimet më të larta janë gjoba që autoritetet kanë vënë për llogaritjen e gabuar të akcizës, taksës së karbonit dhe taksave kombëtare. Të gjitha këto penalitete përfitojnë nga falja, në bazë të nismës së ndërmarrë për amnistinë fiskale. Edhe pse nuk ka depozituar në Drejtoritë Tatimore pasqyrat financiare, ARMO ka bërë depozitim të deklaratave të cilat automatikisht e bëjnë subjekt përfitues.

Por historia e borxheve nuk ndalet me kaq! Mbi ARMO-n janë depozituar deri më sot 33 urdhër sekuestro, të cilat e bëjnë të pashmangshëm ekzekutimin e tyre. G&O Trading sh.a, Energy Trading sh.a., A&V Oil, Liona sh.a., Standart Oil sh.a., Eroil sh.a., Deveron sh.a., Tea Construction and Petrol sh.a., Fit-Mek-Oil sh.a. dhe United Colors janë kompanitë të cilat kanë kryer shërbime për llogari të saj por nuk kanë marrë asnjë lloj pagese. Gjithsej, detyrimi ndaj tyre shkon në 100 milionë dollarë.

Një tjetër “pre” e rafinerisë është edhe shoqëria shtetërore Albpetrol, që ka një histori të gjatë konfliktesh gjyqësore për naftën e papaguar, që datojnë që nga viti 2012. Në fund të marsit 2016, Albpetrol mori në ruajtje një nga rafinerinë ARMO-s, atë të Ballshit. Lëvizja erdhi pasi Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro dhe më pas fitoi procesin edhe për 20 milionë euro të tjera.

Albpetrol ka depozituar njësoj si bankat një urdhër sekuestroje, nëse Raiffeisen ka në sekuestro rafinerinë e Fierit, Credins dhe Albpetrol kanë atë të Ballshit.

Ndërsa të gjithë janë vënë në radhë për të mbledhur borxhet e ARMO, sipas burimeve nga Albpetrol, projekti i ndarjes së shumave hartohet bazuar në Nenin 605 të Kodit Civil.

Duke qenë se përveç Albpetrol ka dhe një numër të konsiderueshëm kreditorësh të tjerë që kanë tashmë tituj ekzekutiv për shuma që e kalojnë disa herë vlerën e pasurive të Armo pritet që projekti i ndarjes së shumave që do përfitohen nëpër ankande të krijojë një sërë konfliktesh gjyqësore mes këtyre kreditorëve.

Ndikimi

Një tjetër çështje me interes për publikun është edhe se sa do ta rrezikojë prodhimi i naftës vendase cilësinë e karburanteve në Shqipëri. Debati për cilësinë e naftës që blejnë konsumatorët shqiptarë ka qenë gjithmonë një çështje e kontestuar, ku edhe vetë qeveritarët e kanë pranuar si një shqetësim kryesor gjatë aksionit kundër informalitetit. Por mesa duket çdo gjë në këtë diskutim bëhet në kontekstin politik dhe jo në atë të shërbimit me cilësi të qytetarit. Edhe pse gjatë shpalljes së aksionit kundër informalitetit në sektorin e naftës u deklarua nga qeveria se ka abuzime me cilësinë dhe përzierjen e naftës, disa muaj më vonë, Inspektorati Qendror Teknik deklaroi se vetëm 3% të mostrave të marra në karburantet shqiptare kishin shkelur këto standarde. Një raport i Ministrisë së Financave lidhur me karburantet e përziera dhe evazionin në këtë treg, jep rezultate të ndryshme nga ato të IQT-së. “Faza e dytë e monitorimit të plotë të të gjitha pikave të karburanteve në territorin e vendit filloi më 24 nëntor 2014 deri në mars 2015. Kështu, gjatë kësaj periudhe numri i pikave të tregtimit të karburanteve të verifikuara me përzierje është rreth 9.6% e totalit të kontrolluar, kurse rastet e refuzimeve u reduktuan në 2.1%. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka aplikuar gjoba dhe penalitete ndaj shkelësve në masën prej 177,181,034 lekësh të reja (ose 1.3 milionë USD).” thotë ky raport.

Numri prej 190 pikash të cilat rezultojnë me përzierje të karburanteve është shqetësues, po t’i shtosh këtu edhe faktin që 74 prej tyre kishin refuzuar kontrollin. “Ka pasur raste kur përqindja e përzierjes shkon deri në 100%(!)” thotë raporti.

Raporti shkon më tej, duke bërë përgjegjëse për këtë situatë rafinerinë ARMO. “ARMO ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe mund të ketë bërë evazion me naftën bruto, (penalitetet e marra kanë qenë me miliona euro). Ndërkohë që ka pasur disa rafineri të vogla jashtë kontrollit të cilat mund të përpunonin naftë bruto dhe të shisnin produkt të gatshëm në tregun fundor, i cili ishte i pakontrolluar”, shprehet në analizën e grupit të punës së Ministrisë së Financave.

Këtë shqetësim e ngrenë edhe ekspertët. Vladimir Puka, doktor në çështjet e hidrokarbureve, thotë se deri më sot në rafinerinë e Fierit dhe Ballshit nuk është bërë investim që të përpunohet një naftë cilësore. “Nuk ka asnjë investim për ARMO-n, prandaj edhe nafta që përpunohet aty nuk është për konsum, ajo mund të blihet më shumë për lëndë në përdorim të industrisë. Ne jemi të specializuar më shumë në prodhimin e mazutit, solarit dhe bitumit.” thotë Puka.

Në vitin 2014, ARMO realizoi një volum përpunimi të naftës bruto në rreth 300 000 tonë (nga 60 000 tonë në vitin 2013). Blerjet brenda vendit u realizuan nga Bankers, ku për 8 muajt e fundit të 2014-s u blenë 181.3 mijë tonë naftë e papërpunuar dhe për 4 muajt e parë 2015, janë blerë 185.2 mijë tonë.

Ekspertët mendojnë se nëse llogariten kapacitetet e përpunimit të rafinerisë pas rivënies së saj në punë dhe blerjes së më shumë se gjysmës së prodhimit të Bankers Petroleum, tregu vendas mund të furnizohet në vit me mbi 300 mijë tonë naftë nga ajo e Bankers. “Nëse marrim një koeficient humbje të lartë 15%, për shkak të amortizimit që ka rafineria, i takon që rreth 300 mijë tonë të jetë naftë që do të shitet ose në tregun tonë, ose mund të çohet për eksport jashtë. Deri tani, tregu ynë gjithnjë ka vuajtur për cilësi. Nafta që prodhon Bankers është e një lloji specifik dhe kërkon përpunim të rëndë, të cilin nuk mund ta bëjë dot as uzina e Fierit dhe as uzina e Ballshit”, tha Vladimir Puka.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here