Bie interesi i kredive për privatët

0
203

Rënia e interesave të kredive po ndihmon uljen e kostos të financimit të investimeve të reja nga bizneset. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare  e Bankave,  interesi  mesatar  i  kredive  të  reja në lekë, me qëllim blerjen e makinerive dhe pajisjeve,  në  muajin  gusht  të  këtij  viti  zbriti në  6.89%,  nga  7.15%  që  kishte  qenë  në fund  të  vitit  të  kaluar  dhe  7.95%  që  kishte qenë në fund të vitit 2014. Një tendencë të ngjashme kanë edhe interesat e kredive në euro, që në fund të gushtit kishin një interes mesatar prej 4.62%, ndërkohë që në fund të vitit të kaluar interesi mesatar i kredisë ishte 6.05%. Këto të dhëna tregojnë se biznesi paguan mesatarisht më pak për të kryer investime të reja me kredi bankare. Në teori, ky është një faktor që nxit investimet në ekonomi. Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, investimet kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike për vitin e kaluar dhe gjysmën e parë të këtij viti. Për  dy  tremujorët  e  parë  të  këtij  viti,  formimi  bruto  i  kapitalit  fiks,  si  komponent  i  Prodhimit  të Brendshëm Bruto, u rrit mesatarisht me 5.85%. Edhe ulja e çmimit të kredisë duket se ka qenë një faktor që e ka ndihmuar rimëkëmbjen e investimeve vitin e kaluar. Megjithatë, sistemi bankar ngelet i kujdesshëm në financimin e projekteve të reja të biznesit, çka është konfirmuar në vijimësi nga vrojtimet e kryera nga Banka Qendrore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here