Dosjet për koncesionet e tenderat Ja çështjet të cilat “rrënojnë” shëndetësinë e “pastër”. Milionat që ministria i fali për “miqtë”

0
198

 

Sektori i shëndetësisë është mbërthyer prej tre vitesh nga akuza për skandalet e tenderave korruptivë. Këto akuza nuk kanë ardhur vetëm nga opozita, por edhe nga institucione hetimore si edhe organizata të ndryshme që merren me raporte investigative. Kryesisht akuzat e ngritura mbi sistemin shëndetësor në vend kanë të bëjnë me  skemat e mashtrimit me receta dhe fatura të barnave të rimbursueshme  si dhe dhënien me koncesion  të 3 shërbimeve bazë; check up-in, hemodializën dhe sterilizimin. Opozita akuzon se koncesionet janë dhënë klientëve të qeverisë Rama ,ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për to.

Sejrie Baleta

Koncesione me Partneritet Publik–Privat në  sistemin shëndetësorë janë dhënë gjithsej 4. Shërbimet për të kontrollit bazë (check-up) për periudhën 2015-2024,  shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, shërbimet e dializës për periudhën 2016-2025 dhe shërbimet laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026. Të katër këta koncesione janë akuzuar si korruptive se paratë e shtetit shkojnë tek private. Kontratat e lidhura me çdo koncesionar tek këta shërbime rezultojnë sipas raporteve të jenë abuzivë dhe që i kanë kushtuar milionat arkës së shtetit. Nga ana tjetër performanca e këtyre shërbimeve në ndihmë të pacientëve rezulton të jetë shumë e ulët. Vetëm  në marrjen e shërbimit të Check-up ka një pjesëmarrje prej 37%. Vetë ministri Beqaj ka pranuar se gjatë vitit 2015, e ka paguar konçesionarin e Check-Up-it me 1.7 miliardë lekë më shumë sesa ç’duhej paguar. Ose më saktë, siç ka zbuluar, nga rreth 244.000 pacientë që kanë përdorur check-up-in në vitin 2015, pagesa për konçesionarin është bërë për 355.000 pacientë, ose 110.000 pacientë më shumë, të gjithë fiktivë, duke falsifikuar listat e pacientëve.

Koncesionet, kosto në buxhet 500 milionë euro, shëndetësia merr 60%

Forma e re e koncesioneve me Partneritet Publik–Privat është kthyer në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime efecientë për qytetarët. Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP) të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë. Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione: Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione:

  1. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për periudhën 2015-2024, për të cilën buxheti do të shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro)
    2. Ofrimi i shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, me një shumë prej 12.3 miliardë lekësh (90 milionë euro)
    3. Ofrimi i shërbimit të dializës për periudhën 2016-2025 për 9.47 miliardë lekë (70 mln euro)
    4. Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026, për të cilin buxheti do të paguajë 10.7 miliardë lekë (78 mln euro)/ Monitor

 

Check-up, ministri pranoi se Koncesionari mori 1.7 milionë euro për 110 mijë analiza të pa bëra

Që në krye të herës, qeveria Rama u zotua për shëndetësisë falas, që u premtua gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe ishte një ndër pikat kyçe të programit elektoral të Partisë Socialiste,  gjatë asaj kohë në opozitë. Me datë një nëntor  ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishe i thirrur  në dëgjesë në komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për zgjerimin e fashës së moshës së personave që përfitojnë kontrollin mjekësor falas shkaktoi debate të forta. Fashoja e moshës do të përfshijë edhe personat nën 40 vjeç dhe ata mbi 65, duke e zgjeruar kufirin e përfituesve nga 35 deri në 70 vjeç e jo më 40 deri në 65 vjeç, siç ishte parashikuar në fillim. Kjo rritje e fashës së moshës sipas opozitës është bërë më qëllim që të shkojnë më shumë para në xhepin e koncesionarit.  Ministri Beqaj ka shpjeguar  se volumi vjetor prej 475 mijë personash ishte i domosdoshëm nga ana logjistike për të përballuar ushtrimin financiarisht. Edhe pse ka deklaruar se shifra dysheme prej 475 mijë pacientësh erdhi për arsye logjistike financiare për përballimin e projektit, duke lënë të mendohet se buxheti për shifrën dysheme është shpenzuar, ministri tha se me rritjen e fashës së moshës që përfiton nga ky shërbim, buxheti nuk do të rritet. Me fashën e re, 310 mijë vetë më shumë mund të kontrollohen ku parashikohen 550 mijë kontrolle. Ky shpjegim i dhënë nga ministri Beqaj mjaftoi që opozita, përmes kryetares së komisionit Albana Vokshi, ta akuzojë ministrin Beqaj se i bëhet zëdhënës kompanisë koncesionare. Sipas opozitës, paratë e paguara ndaj kompanisë koncesionare për 110 mijë pacientë më shumë nga taksat e shqiptarëve, duhet të ishin kthyer.  Gjithashtu ministri Beqaj pranoi në komision me datë 1 nëntor se që gjatë vitit 2015, e ka paguar konçesionarin e Check-Up-it me 1.7 miliardë lekë më shumë sesa ç’duhej paguar. Ose më saktë, siç ka zbuluar, nga rreth 244.000 pacientë që kanë përdorur check-up-in në vitin 2015, pagesa për konçesionarin është bërë për 355.000 pacientë, ose 110.000 pacientë më shumë, të gjithë fiktivë, duke falsifikuar listat e pacientëve. Vokshi tha se koncesionarit i janë dhënë 1.7 mld lekë, duke parashikuar kontrolle për 110 mijë persona, por që nuk janë bërë asnjëherë. Deputetja  Vokshi i  kërkoi ministrit Beqja të japë dorëheqjen pasi ka abuzuar me koncesionin e “check up”, duke e paguar koncesionarin edhe për 110 mijë pacientë që nuk e kanë bërë këtë kontroll.

 

Barnat e rimbursueshme

Një problem që ka shqetësuar shumë pacientët në Shqipëri është diagnostikimi i gabuar. Shpesh mjekët nga paaftësia apo nga mos kujdesi, kanë çuar në një mjekim të gabuar të pacientëve. Rastet kanë qenë të shumta me të sëmurë të cilët janë mjekuar më barna që nuk lidheshin me sëmundjen e tyre. Gjatë investigimit, por edhe më herët janw mbledhur dëshmi të cilat vërtetojnë akuzat e opozitës, por edhe të pacientëve të cilët për shumë arsye pëlqejnë që të akuzojnë. Por fillesat, skandali i barnave të rimbursushme i pati në  nëntor të vitit 2014 , rezultati i një raporti të kontrollit  të njësisë së brendshme  dhe antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave. Kjo njësi nisi hetimet pas sinjalizimeve të marra nga fondi i sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor i cili evidentoi se në dhjetëra recetat janë dhënë mjekime të gabuara. Sipas vlerësimeve të fondit, në receta mjekët i këshillonin pacientët me osterporozë të përdorin esëll në mëngjes acid ibandronik, i cili është i dëmshëm për shëndetin e personave. Recetat fiktive ishin lëshuar në 4 farmaci në periferi të Tiranës. Ato përmbanin medikamente të shtrenjta për sëmundje kronike që më pas rimburosheshin nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.  Në krye të kësaj skeme, qëndronin zyrtar të lartë të fondit të sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor Drejtori i Fondit Rajonal të Tiranës, administrator i 4 farmacive, farmacistë si dhe punonjës të tjerë të këtyre subjekteve. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në këtë fazë të parë të hetimeve u përllogarit në 1.5 miliardë lekë. Skandali i recetave të barnave të rimbursueshme u denoncua publikisht në Parlament nga ish kryeministri Sali Berisha dhe Deputetja demokrate Albana Vokshi e cila drejton edhe komisionin parlamentar të Shëndetësisë.

 

Skandali me depot farmaceutike

Skema e mashtrimit me barnat e rimbursueshme do t’i shërbente prokurorisë të niste dhe hetimet për një tjetër skandal që këtë herë përfshinte një depo farmaceutike dhe disa farmaci që bashkëpunonin me të. Prokuroria faktoi se farmacitë kishin ekzekutuar receta fiktive me furnizime të ilaçeve insulinë dhe ketosteril të “Omega Pharma Group”. Sipas prokurorisë nëse kjo depo farmaceutike ka blerë 8000 njësi ilaçe, ajo me fatura fiktive ka shitur 23.000 njësi duke kërkuar rimburisimin e këtyre medikamenteve nga fondi. 3 ditë pas arrestimit të administratorit të depos faramceutike  “Omega Pharma Grup”  për dyshime mbi abuzim me faturat fiktive, kompania e tij fiton tenderin e ministrisë së Shëndetësisë në vlerën e 50 milionë lekëve. Referuar buletinit të Prokurimeve Publike  tenderi i fituar është për “Blerje barna për nevoja spitalore shtese deri ne fund te vitit 2015.” “Fondi limit në total: 41.380.291 (dyzet e një milion e treqind e tetëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e një) Lekë pa TVSH nga buxheti i shtetit 2015” Me tvsh tenderi arrinte në shifrën e 50 milionë lekëve të reja.

 

 

Hemodializa

Një tjetër tender që është  denoncuar nga opozita dhe mediat si favorizues dhe abuzues në sektorin e shëndetësisë është dhe hemodializa.  Koncesioni i shërbimit të hemodializës është dhënë për një periudhë 10-vjeçare. Fituesi i tenderit të këtij shërbimi u shpall kompani “Evita shpk” si një bashkim operatorësh. Sipas publikimit në agjencinë e prokurimit publik, oferta është paraqitur në gusht të 2015 ndërsa kompania në fjalë është shpallur fituese në tetor të 2015. Vlera e koncensionit për shërbimin e hemodializës  është rreth 8.6 miliardë lekë dhe kompania në fjalë do të kryejë investime në 5 qendra pranë spitaleve përkatësisht në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korcë dhe Elbasan. Sipas marrëveshjes kjo kompani  duhet të bëjë investime dhe të përmirësojë  ambientet bazuar në standardet më të larta dhe ofrimin e shërbimit sa më pranë qendrave të banimit të pacientëve. Opozita akuzoi ministrin e Shëndetësisë se po koncesionon çdo shërbim të shëndetësisë dhe koncesionet po favorizoheshin për klientë të qeverisë Rama. Kërkesat për të kryer dializë janë rritur vitet e fundit por sipas ministrisë së Shëndetësisë 900 persona e kanë emergjente bërjen e dializës. Procesi i rimbursimit të shërbimit të hemodializës në Spitalin Amerikan  muaj më parë u bë objekt i një hetimi nga ana e njësisë hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës.  Abuzimet me faturat e rimbursueshme për shërbimin e hemodializës që mbërritën  në prokurorinë e Tiranës janë vetëm disa abuzime që u zbuluan. Kjo, pasi shkeljet që u paraqitën vetëm nga një kontroll sipërfaqësor për një periudhë 3-mujore të vitit 2014 dhe 3-mujore për vitin 2015, rezultonin  se gati 70 mln lekë të pajustifikuara në lidhje me transportin për dializat.
Sterilizimi

Në shkurt të vitit 2015, ministria e Shëndetësisë paralajëmroi se një tjetër shërbim ai i Sterilizimi të pajisjeve mjekësore e sallave kirugjikale do të jepej me koncesion. Fituesi i këtij tenderi u shpall kompania Servizi Italia Spa. Opozita ka thënë  se  një nga operatorët e konsorciumit nuk ka eksperiencë të nevojshme për të bërë sterilizimin e këtyre pajisjeve kirurgjikale. Ministria e Shëndetësisë më herët, ka thënë  se pjesëmarrësit në tender për koncensionin janë kompani serioze, kryesisht të huaja ndërsa theksoi arsyet përse sterilizimi duhet të jepej me koncension. Për sterilizimin ka një kredi të marrë nga spitali universitar Nënë Tereza në vlerën e 1.3 mln euro. Kjo shumë parash do ti mbetet koncesionarit ndërsa shteti do të rimarrë pas 10 viteve këtë shërbim me investimet që priten të bëhen nga konsorciumi fitues.

 

Mungesa e ilaçeve dhe infrasktruktura

Mungesa e barnave është një problem i cili ka shumë kohë që është prezent në vend. Shumë masa janë marrë nga ministria e shëndetësisë ndër vite, por përsëri,  spitalet shqiptare vuajnë nga mungesa e medikamenteve.  Pacientë të shumtë ankohen për këtë problem, por ende nuk kanë gjetur një zgjidhje. Fondet e pakëta, por edhe mungesa e furnitorëve bëjnë që Qendra Spitalore Universitare “Nënë Terezë” të përballet për një kohë të gjatë me këtë problem. Gjatë investigimit në QSUT dhe në farmaci të ndryshme në Tiranë vërejtëm se ka mungesë të theksuar të medikamenteve, duke filluar që nga ato më të përdorshmet. Pak muaj më parë problemi kryesor ishte mungesa e barit që kuronte sëmundjen e kancerit. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë, ky problem vazhdon që të jetë prezent, pasi ilaçi nuk gjendet në treg. Ilaçi që kuron kancerin është një medikament shumë i shtrenjtë dhe është në skemën e rimbursimit, por përsëri pacientë detyrohen që ta gjejnë në farmaci të ndryshme ose nga jashtë shtetit. Herceptina është një ndër ilacet që përdoret për kimioterapi, për të kuruar sëmundjen e kancerit.  Ky medikament që është shumë është i rëndësishëm është edhe shumë i shtrenjtë. Edhe pse shteti duhej ta siguronte dhe ta rimbursonte këtë medikament kjo gjë nuk ndodh. Por përveç herceptinës ka edhe barna të tjera të cilat mungojnë prej kohësh si citostatikëve, zoladeksi edhe barna të tjera të cilat është e vështirë për ti gjetur edhe në farmaci. Edhe pse në spitale vazhdon ende mungesa e këtyre ilaçeve, të sëmurët me kancer sa po vijnë dhe shtohen. Në fakt, sipas mjekëve, pritet që së shpejti kanceri të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri, duke kaluar edhe sëmundjet kardiovaskulare që tashmë janë në vend të parë. Pavarësisht këtij alarmi, të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë nga mungesat në trajtimin e tyre dhe që pothuajse gjithmonë duhet t’i blejnë vetë ilaçet. Vëzhgimet kanë treguar, se këta të sëmurë trajtohen zakonisht me ilaçe të cilat i blejnë vetë dhe që shpesh janë sjellë në Shqipëri kontrabandë. Sipas pacientëve shteti po e neglizhon vazhdimit faktin e furnizimit të spitaleve me ilaçe.  Një pacientët me inicialet E.S u shpreh: “Na mungojnë ilaçet, kemi nisur të bëjmë kimioterapinë dhe problemi fillon pikërisht tani. Që kur erdhëa për të bërë ciklet e kimioterapisë, më kanë thënë, që disa prej ilaçeve nuk gjenden në QSUT. Më thanë, se duhet t’i blejë vetë”.  Ky ishte rrëfimi i një pacienti i cili është viktimë e këtij problemi.

Spitalet ende me mure dhe tavane me lagështirë

Gjatë një vëzhgimi të kryer në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kemi konstatuar se infrastruktura është ende një problem madhor që shqetëson të gjithë. Edhe pse tre vite më parë qeveria mori disa reforma dhe nisi kryerjen e investimeve për të përmirësuar infrastrukturën ,përsëri gjendja është e njëjtë dhe në shumë raste është përkeqësuar.  Në QSUT edhe pse janë kryer investime për të përmirësuar kushtet, përsëri muret ishin të pushtuara nga lagështira. Nëpërmjet fotove do ju tregojmë gjendjen që ndodhen sot spitalet në Qendrën Spitalore Universitarë “Nënë Tereza”. Përveç spitalit Onkologjik  i cili është përfshirë në një rikonstruksion pothuajse të plotë (por përsëri edhe këtu ka probleme) të gjithë spitalet e tjerë ishin në gjendje të mjerueshme. Ministria e Shëndetësisë edhe pse duhet të plotësoj disa kritere të pastërtisë në spitale,  përsëri godinat dukeshin sikur ishin thjesht të pabanuara, por e kuptoje që brenda tyre kishte pacient kur ata dilnin në ballkon për tu qetësuar. Me mure të plasaritur dhe lagështirë në të gjithë hapësirën e jashtme janë të gjitha ndërtesat që shërbejnë për të kuruar njerëzit në QSUT.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here