EMRAT/ Ndryshime në organin e akuzës, ja prokurorët që lëvizin

0
249

Një varg ndryshimesh të reja kanë përfshirë prokurorinë shqiptare së fundi. Me propozim të Këshillit të Prokurorisë, i janë dërguar për dekret kreut të shtetit Bujar Nishani, ndryshime të drejtuesve të një numër të madh funksionesh në Prokurori.

Gazeta “Panorama” mëson në rrugë jozyrtare se tashmë është dekretuar dhe pritet të shpallet emërimi në Prokurorinë e Përgjithshme i prokurorëve Petrit Fusha dhe Ramadan Troci. Me shumicë votash Këshilli i Prokurorisë, duke vlerësuar edhe kriteret, ka propozuar që Petrit Fusha të emërohet në Prokurorinë e Përgjithshme pas një karriere të gjatë në organin e akuzës ndërsa mësohet se do të vazhdojë të jetë drejtuesi i komanduar në prokurorinë e Tiranës.

Ndërkohë drejtuesi i deritanishëm i prokurorisë së Vlorës, Ramadan Troci, i cili publikisht mbahet mend si prokurori që arrestoi ishguvernatorin Ardian Fullani, është propozuar të emërohet në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, duke mbetur si drejtues i komanduar në Vlorë. Sipas burimeve jo zyrtare njoftohet se këta dy emra janë dekretuar tashmë nga presidenti dhe pritet shpallja e tyre.

Ndërkohë në prokurorinë e Tiranës kanë ndodhur ndryshime të tjera. Duket se nga drejtimi i Njësisë Task Force do të largohet prokurori Ndini Tavani i cili ka qenë deri tani titullar i kësaj njësie. Ai mori drejtimin e Task Forcës pas një periudhe të gjatë të ushtrimit të detyrës së prokurorit të thjeshtë të kësaj njësie, duke hetuar disa nga dosjet e bujshme të saj. Prokurori Ndini Tavani njëherësh është edhe kryetar i Unionit të Prokurorëve.

Ndërkohë mësohet se Këshilli i prokurorisë ka propozuar emërimin e prokurores Deniona Katro në drejtimin e njësisë Task Force Antikorrupsion në Tiranë. Prokurorja Katro e ka drejtuar më parë si e komanduar këtë njësi për një periudhë gati njëvjeçare, duke shënuar rezultate në goditjen e krimit ekonomik dhe dhjetëra rasteve të korrupsionit vitin që shkoi. Ajo është propozuar për të marrë detyrën e re pasi së fundi ka drejtuar njësinë Task Force në prokurorinë e Durrësit ku ka qenë e emëruar si prokurore deri më tani.

Emra të tjerë të propozuar për dekretim por që ende nuk kanë marrë firmën e kreut të shtetit mësohet se janë: prokurori Dritan Gina, propozohet për emërim në Tiranë duke u transferuar nga prokuroria e Durrësit. Këshilli ka propozuar tek Presidenti dekretimin e emërimit të prokurorëve Urim Buci dhe Elidon Hysenaj në prokurorinë e Vlorës. Ndryshime të tjera me transferim prokurorësh apo ngritje në detyrë, kanë prekur edhe disa prokurori të rretheve si në Berat, Vlorë, Tiranë.T.S/panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here