Flet Kryetarja e LRI/ Pranimet në Universitet, Floida Kërpaçi: Duhej të kishte transparencë dhe gjithëpërfshirje

0

Zgjedhjet në LSI. “ 30% e të rinjëve do të zgjidhen për të qenë pjesë e strukturave drejtuese të LSI”

Loading...

“Rinia ka nevojë për punësim dinjitoz, paga më të larta,të shohin më shumë shpresë dhe mundësi në Shqipëri. Jemi të vendosur të ndërmarrim hapa të fortë në këtë aspekt”

Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, në një intervistë për gazetën “Standard”  flet për organizimin e strukturave, përpara zgjedhjeve të 6 nëntorit dhe Konventës së dhjetorit. Kërpaçi shprehet për rritjen e përfaqësimit të rinjëve në parlament,reformat e ndërmarra për të lehtësuar problemet më të cilat ndeshet kjo grupmoshë dhe sfidave në prag të zgjedhjeve të 2017  – tës. Kryetarja e LRI –së  tregohet kritike ndaj reformës në arsimin e lartë, duke theksuar se procesi duhet të ishte më transparent dhe gjithëpërfshirës ndërsa tregon projektet e forumit rinor, që është konsideruar energjia kryesore e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Intervistoi: Ambrozia META

LSI do të zhvillojë më 6 nëntor zgjedhjet për kryetar. Cili ka qenë kontributi i LRI –së, në kuadër të garës së brendshme në parti?

Rinia ka energji, ide të reja, arsimim që i përgjigjet nevojave të kohës, dhe ne të lindurit pas ’90 shikojmë gjithmonë drejt të ardhmes tonë e të vendit. LRI madje ka mes saj jo vetëm të lindurit e 90, por edhe shumë të rinj të lindur në mijëvjeçarin e ri, pas 2000. Kohezioni shoqëror që krijohet brenda strukturave të LRI-së, ky mentalitet i ri, kjo mënyrë e re e të bërit politikë është një kontribut shumë i madh që rinia i jep LSI-së përdite. LSI quhet partia e të rinjve sepse mosha mesatare e anëtarësisë është e re, të shumtit e anëtarëve por edhe të votuesve të LSI-së vijnë nga radhët e profesionistëve të rinj, njerëzve të suksesshem nga bota e biznesit, studentë, pedagogë, mësuese, gjimnazistë, dhe ata që më shumë dashuri i mirëpresim në familjen tonë, 16-17 vjeçarët që me dëshirën për të bërë diçka të mirë për veten e vendin, i bashkohen LSI-së për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie më pozitive e që ofron më shumë mundësi. Ne si LRI, gëzojmë një kuotë përfaqësimi prej të paktën 30% në të gjitha forumet drejtuese të LSI. Gjithashtu, ne zhvillojmë angazhimin tonë politik dhe programor të pavarur nga partia, ku në momentin e zgjedhjeve brenda partisë, rinia ka mundësinë të lobojë fort brenda LSI-së që të gjitha kauzat e rinisë që ne kemi evidentuar, të përqafohen nga partia, të përfshihen në programin e saj e sëbashku të marrim hapa për të zgjidhur problemet e të rinjve e për t’ju siguruar një të nesërme më të mirë. Këtë gjë ka bërë LSI ndër vite, për problemet e maturës shtetërore, punësimit të të rinjve, përfshirjes së rinisë në vendimarrje, etj. Në këtë aspekt, ne jemi të fokusuar që të përzgjedhim të rinjtë më të mirë nga radhët tona, ata më të mirë arsimuarit e që më së miri përfaqësojnë rininë, për të qenë delegate në Konventën Kombëtare të LSI, në organet drejtuese të partisë, si dhe njëkohësisht jemi duke punuar me ekspertë e partnerët tanë ndërkombëtare, për një program politik cilësor për rininë Shqiptare.

Kandidatët për liderin e LSI – së por edhe përfaqësues të lartë të kësaj force poltike e kanë cilësuar këtë garë si një formë për hapjen e partisë. Në këtë drejtim, a po shërbejnë këto zgjedhje për afrimin e mëtejshëm me strukturat dhe me qytetarët? 

Që një parti të jetë e fortë duhet të organizohet përdite, t’u qëndrojë pranë qytetarëve, të hapë rrethin, të mos i mungojne asnjëherë gadishmëria për të përfshirë në strukturat drejtuese njerëz me enegji të reja, mentalitet të ri, apo profesionistë të ndryshëm të cilët kanë vizionin, potencialin dhe idetë për të bërë më mirë një punë që pa eksperiencën e tyre nuk do të behej dot. LSI këtë gjë e ka bërë prej 2004, ndaj dhe rritja e vlerësimit të qytetarëve për të ka ardhur në rritje, mirëpo që të vazhdojmë të jemi në pararojë të sfidave që kalon vendi, përmiresimi duhet të jetë i vazhdueshëm. Këto zgjedhje brenda LSI janë pikërisht mundësia më e mirë për njerëzit e rinj, në moshë apo të rinj në aktivizimin e tyre politik, për të garuar brenda LSI-së me ide dhe mendime, për të qenë pjesë e të gjitha strukturave drejtuese të partisë, ku ata mund të përformojnë më mirë. Kjo garë mendimesh dhe idesh, do të na ndihmojë të përmirësohemi e pas votimeve në 6 Nentor e 3-4 Dhjetor, LSI të jetë një parti me një strukturë drejtuese që garanton përfaqësim sa më cilësor për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Duke qenë në një proces organizimi që do të përfundojë me Konventën Kombëtare të LSI si po shkojnë anëtarësimet në rradhët e të rinjëve, përfshirë këtu edhe situatën në rrethe?

Ka një rritje të madhe të besimit të rinise te LSI. Te mundësitë që LSI krijon e ofron për qytetarët e thjeshtë, te politika që kemi ndjekur, konstruktive, larg konfliktualitetit e në mbrojtje të interesit të qytetareve. Anëtarësimet në LRI janë të vazhdueshme, madje të shumtë janë ata qe nuk presin të shkojmë ne për t’i kontaktuar, por shpesh përdorin rrjetet sociale për të kontaktuar me drejtuesit e LRI për t’i kërkuar formularët e anëtarësimeve. Në kuadër të procesit të organizimit, anëtaret tanë do kenë të gjithë të drejtën të votojnë e të kandidojnë për t’u zgjedhur, ndaj dhe më e rëndesishmja është ajo që përmenda më sipër, të promovohen e të zgjidhen të rinjtë me cilësi më të mira, që krahas rritjes politike të tyre, të rritet dhe aftësia e LSI për të prodhuar politika më të mira për rininë e vendit.

Si një parti që ka në fokus rininë, a pritet që në listat e ardhshme për deputetë, të shtohet numri i kanididatëve nga rradhët e LRI –së, duke rritur në këtë mënyrë edhe përfaqësimin e rinisë ne parlament?

Në mesin e LRI ka të rinj shumë të talentuar, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilët janë studentë ekselentë, të rinj profesionistë, të talentuar në profesionet e tyre, apo të rinj të devotshëm për të kontribuar e për t’i qëndruar pranë komunitetit të tyre. Mes tyre pa dyshim ka shumë të rinj që mund të bëjnë një punë shumë të mirë në Parlamentin e Shqipërisë, duke i shërbyer vendit si deputet në legjislaturën e ardhshme. Mendoj se ka ardhur koha të largohemi nga stili i politikanëve të vjeter, ku të qenurit deputet quhet profesion apo është e lidhur ngushtësisht me interesa personale për përfitime vetjake. Personalisht unë e shoh të qënurit deputet si një mision, një shërbim që një njeri i bën vendit, ku gjatë një periudhe të caktuar t’i vendos në dispozicion potencialin e vetes për të dhënë kontribut në ndërtimin e një politike më të mirë, që i përgjigjet nevojave të njerëzve dhe vendit. Ne të gjithë jemi krenar që këtë gjë e ka bërë më së miri mikja jonë, tashmë nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj që është dhe deputetja më e re e parlamentit. Vetëm tani që ju më pyesni më vijnë ndërmend 6-7 të rinj që nese do t’u jepej mundësia e besimi, do të bënin një punë po aq të mirë për t’i shërbyer vendit, rinisë e qytetarëve në parlament. E sigurtë është që rradhët e LRI shtohen dita- ditës me të rinj nga çdo qytet i Shqipërisë. Kjo vjen nga shumë faktorë, por cilësia e lartë e Kejdit në Parlament, e të rinjve te LRI në Këshilla bashkiakë e në pozicione drejtuese në kabinetin qeveritar ka ndikuar në këtë rritje të besimit të rinisë te forca jonë politike, ndaj dhe besoj se rritja e përfaqësimit të LRI-së në parlament do jetë një proces i natyrshem. E krahas punës që kemi bërë, kryetari aktual, në garen e tij të rikandidimit ka premtuar se LRI do ketë grupin e tij parlamentar brenda grupit parlamentar të LSI, kështu që 2017 duket momenti më pozitiv për çdo të ri të aktivizohet, t’i bashkohet LRI –së që sëbashku të krijojmë brezin e ri të drejtuesve të vendit.

A kanë filluar punë strukturat e LRI –së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Për ne çdo ditë janë zgjedhje. Politikanët duhet të punojnë çdo ditë me të njejtën fuqi që punojnë kur janë në fushatë. Përsa i përket LSI dhe LRI, ne nuk presim zgjedhjet, por jemi në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe të rinjtë për problemet dhe shqetësimet e tyre. Ne nuk e ndajmë kalendarin e punës tonë, në punë që bëhet gjatë kohës së zgjedhjeve, e në punë që bëhet kur nuk ka zgjedhje. “Mos bej atë që nuk do të të bëjnë të tjerët ty”. Dhe unë si e re s’do ndihesha mirë sikur të mos mi dëgjonte njeri problemet, të më kujtonte vetëm për zgjedhje dhe pastaj të harroheshin. Ne jemi të rinj, këtë energji , pasion e vizion ta vemë në jete të vendit tone , të të rinjve tanë, për t’i kthyer shpresën dhe besimin se në vendin tonë është e ardhmja . Dua të shfrytezoj rastin e kësaj intervistë për t’i dërguar një mesazh çdo të riu në të gjithë vendin. Dua të them se LRI është forumi rinor i të gjithë të rinjve, mos prisni fushatën për të bërë zgjedhjen tuaj, por bashkohuni që sëbashku të punojmë përditë, e sëbashku të ndihmojmë njeri- tjetrin të ndërtojmë të ardhmen tonë, një të nesërme më të mirë për ne këtu në Shqipëri.

Pak muaj më parë, u është besuar posti i kryetares së LRI. Duke u ndalur tek politikat tuaja për të rinjtë në fusha si arsimi dhe kryesisht punësimi si problematikë , çfarë masash po merr LSI për të integruar dhe ndihmuar rininë?

Ne duhet ta bëjmë vendin të eci përpara me hapin e ëndrrave të të rinjve, ndaj dhe politikat tona do të jenë më progresive e në vazhdimësi do të synojnë zgjidhje më praktike e konkrete për këto çështje kritike për rininë. Aktivizimi politik është pasion, e synimi im e i drejtuesve të LRI është të arrijmë pritshmëritë që të rinjtë, por dhe brezi i prindërve tanë kanë te ne si politikanë të rinj. Është shumë e ndryshme jeta e një të riu në Tiranë me atë në Mat, në Kamëz, në Vlorë, Pogradec, Durrës apo Elbasan. Ështe detyra jonë, si përfaqësues të të rinjve , të dëgjojmë dhe përqafojmë çdo të ri dhe të jemi aktiv për të gjetur një zgjidhje për problemet e tyre. Ka shumë pakënaqësi sot për arsimin dhe punësimin e të rinjve. Shumë pikëpyetje e pakënaqësi që shpesh herë të rinjtë përgjigjen ja kanë dhënë duke plotësuar formularin e llotarisë amerikane apo duke zgjedhur emigrimin. Dhe unë këtu nuk i vë faj askujt, asnjë të riu. Por une kam alternativën time, ne si LRI e LSI kemi alternativën tonë, që ka të bëjë me një arsimim më cilësor, që nga çerdhja deri te studimet pas universitare, e mbi të gjitha ka të bëjë me nxitjen e punësimit. Të gjithe e dinë që LSI e sheh punësimin si faktor kryesor në mirëqenien e njeriut. Nxitja e punësimit, rritja e pagave, ngritja e dinjitetit në pune për çdo të ri është një domosdoshmëri, dhe ne jemi të vendosur të ndërrmarim hapa të fortë në këtë aspekt. Levizja Rinore për Integrim është forumi i të gjithë të rinjve dhe ka prodhur dhe do të prodhojë shprese për të gjithë të rinjtë dhe për të ardhmen e vendit tonë.

Reforma në arsimin e lartë po prodhon ende debate në opionionin publik. LSI ka qenë kritike përsa i përket transparencës së këtij procesi. Si e shihni sot situatën që ka lënë pas kjo reformë, kur ka ende maturantë që nuk figurojnë fitues dhe kuota në universitete që janë bosh?

Situata për mua është e papranueshme. Unë qartësisht nuk jam eksperte arsimi, por qartesisht dhe ata ekspertë arsimi që u angazhuan e u paguan nga taksat tona për të hartuar këtë reformë nuk kane gjetur mënyrën e duhur për të zhvilluar skemën e organizimit të sistemit të ri. Personalisht jam shumë e prekur nga kjo situatë, sepse njoh nga afër historitë e shumë familjeve e të gjimnazistëve që kjo papërgjegjshmëri që ka lënë gjimnazistët pa shkollë, apo që i ka çuar në universitete të cilat ata nuk i preferojnë, ka shkaktuar dhe një gjendje të rëndë emocionale te familjet e tyre. Ky proces duhet të kishte qenë më transparent, më gjithëpërfshirës e i barabartë. Nuk duhet të harrojmë se edukimi është një mjet, që nëse mësohet mirë, nëse mjeshtërohet mirë dhe zhvillohet brenda vetes e shoqërisë, është i aftë të japi fuqitë për të lëvizur botën, qyteterimin, njerëzit, makineritë, botën që na rrethon e ndjenjat që kemi.Ndaj ne duhet ti përqafojmë ëndrrat dhe pasionet e çdo të riu dhe të punojmë që të kemi një sistem më të mirë që çdo të riu i jep mundësinë për të ndjekur Universitetin dhe degën që beson se mund të bëj më të mirën

 

Loading...

Lini nje pergjigje