Çfarë përfaqëson rritja e PBB, kur konsumatori dhe subjektet zhyten në borxhe?

0
200

–  Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme shihet si rreziku kryesor i këtij viti

Teksa INSTAT lajmëroi se ekonomia është rritur me të paktën 3.12% në gjashtëmujorin e parë dhe konsumi me gati 4%, Banka e Shqipërisë, nga ana tjetër, me shqetësim ka njoftuar se kredia e keqe po i kthehet rritjes pas një stabilizimi në fund të vitit 2015. Në gusht, stoku i kredive që nuk u kthyen në kohë, arriti në 21.4% të totalit të huas së dhënë, duke u rritur me 3.2 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e vitit 2015. Përtej shifrave optimiste zyrtare, bankat tregtare të pyetura nga Banka e Shqipërisë janë shprehur pesimiste për zhvillimet në ekonominë reale të këtij viti. Bankierët kanë pohuar se përkeqësimi i ekonomisë së brendshme shihet si rreziku kryesor i këtij viti në aktivitetin e tyre bazuar në dy zhvillime. E para lidhet me përkeqësimin e aftësisë së bizneseve për të shlyer në kohë huat dhe e dyta, me kërkesën e dobët për kredi.

Ekspertë brenda sektorit bankar thonë se ka disa arsye specifike që po rrisin moskthimin e huave. Të 35 korporatave të mëdha u është shtuar këtë vit, kompania e prodhimit të hekurit, Kurum, ndërsa ARMO, kreditori më i madh i keq në vend vijon të jetë problematik. Falimenti praktik i kompanive të sektorit VIP dha një efekt zinxhir në moskthimin e kredisë në muajt e fundit (korrik dhe gusht). Kompanitë nënkontraktore të lidhura me ARMO dhe KURUM kanë nisur të mos shlyejnë. Ky efekt domino pritej nga bankat, pasi në praktikë, kur një korporatë e madhe humb aftësinë kredishlyese pak muaj më vonë shfaqet ky fenomen edhe te nënkontraktorët.

Kreditimi

Gjashtëmujori i parë i vitit 2016 shënoi përkeqësim të cilësisë së kredisë, kryesisht nga prurjet e reja të kredive me probleme në valutë të biznesit. Kreditë e reja që nuk po kthehen janë të përqendruara në grupin e bankave të mëdha, ka analizuar së fundmi Banka e Shqipërisë. Për pasojë, kredia me probleme është zgjeruar me 11.7% në gjashtëmujorin e parë, duke arritur në nivelin 119.3 miliardë lekë. Prurjet e reja të kredive me probleme nuk kanë mundur të mbulohen nga kreditë e fshira në gjysmën e parë të vitit, duke rezultuar në zgjerim të stokut të kredive me probleme në mbi 21,4% në fund të gushtit.

Huaja nënstandarde, treguesi më i hershëm i kredisë që nuk kthehet, u zgjerua me ritme të shpejta në vitin 2016. Kjo kategori zuri 35% të totalit të huave me probleme (118 miliardë lekë) nga 23% të peshës që kishte te NPL në fund të vitit 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.

Bankierët shpjegojnë se huat nënstandarde tregojnë se kredimarrësit e mirë të vitit të kaluar po bëhen të këqij. Sektori i ndërtimit vijon të jetë më problematiku që furnizon rritjen e NPL. Pas kompanive të ndërtimit, tani janë kthyer në huamarrës të këqij tregtarët me shumicë të materialeve të ndërtimit dhe i gjithë zinxhiri që është i lidhur me sektorin. Gjithashtu nënkontraktorët e lidhur me korporatat e mëdha kredimarrëse së fundmi janë kthyer në problematikë, shpjegojnë ekspertët e kredisë në banka që kanë dashur të ruajnë anonimatin. Këtë e tregojnë edhe tendencat e ecurisë së huas së keqe. Banka e Shqipërisë pohon se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për biznes dhe kredinë me afat të mesëm maturimi. Kredia me probleme, në sektorin e biznesit, u ngrit në 22.7% të totalit të dhënë për këtë kategori. Huaja me probleme në valutë shënon 24% dhe ajo e dhënë për afatin e mesëm, 20.1% Një studim i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë vë në dukje se bankat në vendin tonë e kanë shpërndarë portofolin e tyre të kredisë në sektorë të njëjtë.

Pavarësisht madhësisë së bankave, portofolat e kredisë janë të ngjashme. Sektori në të cilin është përqendruar më shumë kredidhënia e bankave është tregtia, ndërtimi, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë.

Zhvillimi ekonomik 

Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin e ekonomisë së brendshme. Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “Përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për tre 6-mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015.

“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elemente që kërcënojnë stabilitetin financiar.

Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon.

Përmirësimi i cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët si rrjedhojë e pastrimit të bilanceve të bankave nga huat e humbura, rënia e nivelit të papunësisë në vend, si dhe ulja e luhatshmërisë në ecurinë e kursit të këmbimit, kanë ulur materializimin e rrezikut sistemik krahasuar me një vit më parë.

Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit. Në ecurinë e indeksit të akumulimit të rrezikut sistemik, tkurrja e kredisë në valutë ka zbutur akumulimin e rrezikut, ndërsa efekt të kundërt ka pasur ecuria e tregut të banesave, rritja e nivelit të kreditimit të bizneseve, si dhe rritja e nivelit të borxhit të jashtëm.

Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar.

Gjatë periudhës, perceptimi i bankave mbi rreziqe të caktuara është rritur, por probabiliteti i materializimit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme vlerësohet “nën mesatar”.

Fshirja

Në harkun kohor të 18 muajve, bankat kanë fshirë nga bilancet më shumë se 32 miliardë lekë kredi të humbura, ose rreth 230 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Sektori bankar fshiu nga bilanci i tij 14.1 miliardë lekë kredi të humbura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, 12.9 miliardë lekë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015 dhe 5.9 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Pa procesin e fshirjes, kreditë e këqija në totalin e kredisë së dhënë do të ishin 25% nga 21.4% që janë aktualisht. Banka e Shqipërisë shpjegon se në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mëdha, të cilat së bashku zënë 60% të tepricës së kredive me probleme. Kreditë me probleme për këtë grup bankash u zgjeruan me 23%. Ndërsa bankat e vogla shënuan përmirësim të cilësisë, si rezultat i tkurrjes së huave me probleme me 33% gjatë gjysmës së parë të 2016-s.

Valutat

Edhe pse kursi i këmbimit ka qenë në favor të atyre që kanë marrë kredi në valutë, përsëri moskthimi i huas në monedhë të huaj ka qenë i lartë këtë vit. Këtë vit, një euro është blerë 2.7 lekë më lirë se një vit më parë, kështu ata që kishin për të shlyer një kredi në euro kanë pasur mundësi të blejnë më shumë nga kjo valutë me të njëjtën sasi lekësh si vitin e kaluar. Por Banka e Shqipërisë ka gjetur se kredia në valutë “për zhvillim biznesi” ka dhe raportin më të lartë të kredive me probleme, në 32%, ndjekur nga ajo “për tregti” me 21.2% në gjashtëmujorin e parë, me një tendencë rritje në krahasim me vitin e kaluar. Ekspertët nga bankat pohuan se moskthimi i kredisë në valutë është pasqyrë e krizës në ekonomi dhe përkeqësimit të gjendjes së bizneseve që janë kredituar në monedhë të huaj. Gjithashtu kredia në valutë ka një peshë të madhe në portofolin e huave me mbi 60%. Kështu që përkeqësimi i gjendjes së kredimarrëse reflekton së pari moskthimin e huas në valutë edhe pse kursi i këmbimit i ka favorizuar ata, shpjeguan ekspertët.

Pavarësisht se në dy vitet e fundit, sektori ka ngushtuar peshën e kredisë të pambrojtur nga rreziku i kredisë në valutë, ajo vijon të jetë e konsiderueshme. Në qershor 2016, kredia e pambrojtur në valutë përbën. 44.1% të kredisë në valutë dhe 26.5% të tepricës totale të kredisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here