Standard.al

“Ziejnë” oborret: Zgjedhjet “po vijnë”/ Prapaskenat e planeve të PS, PD dhe LSI: Bojkot, protesta, pol të tretë, garë kryeministrore

0

 

Ndonëse jemi thuajse 8 muaj para zhvillimit të e zgjedhjeve, PS, PD e LSI kanë nisur që nga ky fund tetori të vënë në lëvizje makinerinë e tyre për ti paraprirë çdo të papriture të minutës së fundit që të “dhuron” jeta politike

   Gëzim Saliu

Në oborret e selive të tri forcave kryesore politike në vend, por jo më pak edhe tek partitë parlamentare apo ato që presin të marrin rol protagonistë, kanë nisur që tani llogaritë elektorale për garën e parlamentareve të verës së 2017-ës. Ndonëse gjendemi thuajse 8 muaj para zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, PS, PD e LSI kanë nisur që nga ky fund tetori të vënë në lëvizje makinerinë e tyre për ti paraprirë çdo të papriture të minutës së fundit që të “dhuron” jeta politike. Mbledhjet me grupet e punës janë shtuar, takimet me elektoratin po ashtu. Oborret e selive po gumëzhijnë çdo ditë e më shumë nga diskutimet për këto zgjedhje. Madje ndër këto diskutime të “zjarrta” brenda-partiake, janë dalluar edhe dyzimet kryesore.

Kështu tek Partia Socialiste, “halli” kryesor qëndron tek aleati LSI dhe tek tinazëria e “lojtarëve vjollcë” për të mundësuar rezultat pozitiv me të afruarit e rinj në aleancë. “ “Do jemi sërish me LSI-në apo do arrijmë të fitojmë vetëm, ashtu siç edhe na intereson, për të marrë sa më shumë pushtet?”. Ky është një ndër dyshimet kryesore që “endet” zyrave të socialistëve në këto kohë, në takimet me bazën apo edhe në selinë e purpurt në Tiranë.

Ndërkohë tek Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk janë qartësuar vendimmarrjet, pasi mungon një lëvizje deçizive që do ti mundësonte bazës të kuptonte se cilën “betejë” do “luftojë” pak muaj më pas. Kjo ka ardhur edhe për shkak të zgjedhjeve të brendshme që po zhvillohen në parti për kryetar, por edhe për shkak të faktit se kreu i LSI-së Ilir Meta njihet si një lider play-maker që strategjinë e tij e zbulon në kohën dhe momentin e duhur. Tek LSI nuk dihet ende nëse në këto zgjedhje do kërkohet me çdo ngulm posti kryeministror, ( kjo edhe në varësi të numrave që do sigurohen në zgjedhje), krijimi i një poli të tretë apo edhe mundësia e një 4-vjeçar opozitar.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e cila ka edhe sfidën më të madhe në këto zgjedhje parlamentare, ka shumë paqartësi para saj. Më kryesorja e këtyre dyshimeve është çështja se si do të mundësohet largimi i Kryeministrit apo edhe ministrit të Brendshëm para zhvillimit të zgjedhjeve të 2017-ës. Po ashtu demokratët pritet të vendosin mes zhurmave të brendshme në parti, për largimin nga Parlamenti dhe nisjen e një sezoni protestash që ka në plan realizimin e disa kërkesave kryesore të opozitës.

Albanian Prime Minister Edi Rama speaks during a press conference announcing the candidate status for Albania to the European Union in Tirana on June 24, 2014. Albania cleared the first hurdle on its long path to European Union membership on June 24, with the EU granting candidate status on the country's fourth try. Albania has failed to win the coveted status three times since 2009. AFP PHOTO / STRINGER (Photo credit should read STRINGER/AFP/Getty Images)

Partia Socialiste

Ethet zgjedhore që kanë zënë Partinë Socialiste, e cila mban edhe peshën kryesore të akuzave për ato që kanë shkuar keq në këto vite të qeverisjes, kanë bërë që parapërgatitjet të nisin shumë herët. Madje kryeministri Rama duket se ka nisur fushatën që prej një muaji pasi takimet e zhvilluara me fermerët i ka kthyer në bashkëbisedime për ish-qeverinë, ku mbizotëron ende slogani “fajin e ka Saliu”, si edhe në premtime të reja për të ardhmen e vendit.  Ndërkohë ditën e djeshme, në orën 8:30 të mëngjesit, Kryeministri mblodhi në një takim krerët e degëve bashkiake të Partisë Socialiste. Qëllimi i këtij takimi kishte si synim organizimin e punës mes selisë qendrore dhe atyre lokale, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për këtë arsye, në takim merrnin pjesë edhe 12 koordinatorët që Kryesia e PS-së caktoi për secilin qark, për organizimin e punës në bazë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se Rama ka porositur kryetarët e 61 degëve bashkiake që të punojnë fort me elektoratin në zonat përkatëse. Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme, kryetari Rama ka kërkuar nga drejtuesit vendorë të PS-së që të dalin nga zyrat dhe të punojnë më shumë në terren, aty ku gjenden qytetarët në përditshmërinë e tyre. Burime nga takimi, i cili ka zgjatur rreth 90 minuta, bëjnë të ditur se porosia e kryesocialistit ka qenë që të gjithë kryetarët e degëve të nisin takimet me votuesit për të mbajtur shënim problemet e tyre, me qëllim zgjidhjen deri përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Përtej këtij takimi “masa-marrësh” për zgjedhjet e ardhshme, ethet kryesore të  socialistëve në këtë diskutim janë të kufizuara tek aleancat, specifikisht tek LSI. Kështu edhe pse në këtë aleancë nuk kanë munguar ato që cilësohen si “happy-moments”, mund të thuhet pa më të voglin dyshim se përballjet dhe tensioni mes palëve ka qenë në nivele më të larta. Përplasja e cila për pak sa nuk kushtoi rrëzimin e qeverisë në korrikun e nxehtë të reformës në drejtësi u kalua me vështirësi pas humbjes së alternativës së “votës së peshkuar” përballë asaj të votimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese të reformës në gjyqësor. Por pavarësisht kësaj çështje të tejkaluar nga palët, sërish në vazhdimësi nuk kanë munguar përplasjet mes aleatëve qeverisës. Më e fundit ka qenë kërkesa e LSI-së në kuadër të reformës zgjedhore, për aplikimin e lista të hapura të votimit. Kjo kërkesë u hodh publikisht poshtë nga PS dhe kreu socialist Rama, duke e cilësuar atë si problematike. Megjithatë, LSI nuk u ndal me kaq dhe vendosi ta konkretizojë kërkesën e saj në komisionin e reformës zgjedhore, duke pritur ndoshta një ndryshim mendje të socialistëve apo edhe një “reflektim” të demokratëve. Po ashtu LSI ka shprehur shqetësime edhe për situatën me kanabisin në vend, gjë që duket se i ka prekur “thembrën e akilit” PS-së. Për këtë çështje në vazhdim mund të nisë edhe një debat më i thellë mes palëve, i cili mund të sjellë pasoja në vendimin për mbarëvajtjen e aleancës.

Megjithatë, ashtu siç edhe ka treguar historia e këtyre tre viteve, çështjet e kundërshtuara mes dy forcave kryesore të koalicionit të majtë, pavarësisht kohëzgjatjes, kanë marrë një zgjidhje. Dhe në këtë rrugë, mund të marrin zgjidhje edhe çështjet e qejf mbetura mes palëve që nisin nga “mbetjet” tek “listat e hapura” dhe “kanabisi”. Por duket se problemi në koalicioni rreh tjetërkund. Është vënë re se kohët e fundit PS po luan me dy porta para zgjedhjeve. Nga njëra anë në takimet me kreun e LSI-ës, Rama kërkon vazhdimësinë e koalicionit e ndërsa në anën tjetër shton peshkimet me aleatë të tjerë, duke bërë llogaritë e një gare të fituar në 2017-ën, pa partinë e Metës. Shtimi i dhuratave me poste për PDIU-së si edhe bashkëpunimi i ngushtë zgjedhor në Dibër ishte një mesazh i PS-së ndaj aleatit kryesor bashkëqeverisës se kartat rezervë ekzistojnë. Por a do mund realisht fitojë PS në zgjedhjet e ardhshme në rast se nuk garon së bashku me LSI-në? Historia ka treguar në këto 15 vite se ka qenë e pamundur një fitore e tillë, kur e majta ka qenë e përçarë. Për të folur me më siguri lidhur me këtë pikë do të duhet të presim të paktën 4 muaj kur edhe vazhdimësia ose jo e aleancës mes PS e LSI do jetë bërë publike nga lidershipët e partive. Deri atëherë, llogaritë e socialistëve për të garuar veçmas do të vazhdojnë….

download-2

Partia Demokratike

Forca më e madhe opozitare, përkundrejt vështirësive që ka çdo parti politike e cila kërkon të rikthehet në pushtet, pop haset me disa çështje që i kanë shtuar edhe më shumë dozat e dyshimeve në vendimmarrje. Mos ecuria e duhur e dekriminalizimit , situata shqetësuese me kanabisin dhe klanin që qëndron pas tij( ku përfliten parashikime për përdorimin e tij në zgjedhjet e ardhshme), mos përfshirja e propozimeve për votim e numërim elektronik në apo edhe rasti i zgjedhjeve në Dibër si paralajmërim për 2017-ën përbëjnë disa nga problematikat kryesore me të cilat po haset Partia Demokratike. Në këto kushte emergjencë që krijojnë çështjet e mësipërme, PD ende nuk ka një vendimmarrje të qartë lidhur me aksionin politik. Demokratët duket se më shumë po i afrohen skenarit të bojkotit të Parlamentit dhe rinisjes së protestave popullore. Në këtë skenar nuk përjashtohen shanset që taktikat e aksionit të shtojnë dozat e ekstremitetit. Por përtej kësaj zgjidhjeje të mundshme, ajo që po bluan për brenda çdo demokrat është se si do të mundësohet ajo që është përsërit me radhë nga lidershipi partisë e deri tek deputetët e kësaj force: krijimi i qeverisë teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme pa Ramën kryeministër. Shanset që Rama të pranojë butësisht kërkesat e demokratëve dhe të largohet fiks para zhvillimit të zgjedhjeve, janë të barabarta me mundësitë që ka që koalicioni i ardhshëm në zgjedhjet e 2017-ës të jetë PS-PD. Duke nisur nga fakti se detajet e aksionit të ardhshëm të demokratëve janë të kufizuara tek diskutimet për bojkot dhe protesta, ajo që mbetet të pritet në këtë diskutim është se sa do rritet “temperatura” e këtyre veprimeve për të mundësuar zgjidhje të kërkesave.

Në aspektin taktik e strategjik, PD si një forcë opozitare ka qenë në vazhdimësi në kontakt me qytetarët, por edhe më bazën . Por ajo që vihet re në këto kohë në selinë blu janë shtime të takimeve të kryetarit Basha me strukturat apo edhe grupe të ndryshme të punës, ku në qendër janë vendosur organizimet paraprake për zgjedhjet e ardhshme. Problematike në këtë pikë duket përcjellja e mesazhit tek qytetarët për një PD të rinovuar, rikonstruktuar dhe të besueshme për të marrë frerët e pushtetit pas vetëm një mandati si opozitë. Mësohet se tek demokratët do të ketë lëvizje të shumta në emrat e kandidatëve për deputetë por edhe të figurave të reja që pritet të përfshihen në parti. Pritet siç edhe është normale në prag zgjedhjesh që një pjesë grupit aktual parlamentar të mos jetë më në listat e kandidatëve për deputetë. Lëvizjet pritet të prekin ata deputetë të cilët janë angazhuar më pak ose aspak në kauzat e opozitës në këto vite opozitarizmi. Gjithashtu zëra brenda selisë blu flasin edhe për largime të atyre që në shumë raste nuk kanë nguruar që underground të luajnë edhe lojën e kundërshtarit politik. Ndërkohë mësohet se të afruarit e rinj më shumë do jenë nga fusha akademike si edhe anëtarë të spikatur të shoqërisë civile. Duket se tek demokratët, krahas rëndësisë që duhet ti jepet vendimmarrjes në kuadër të taktikë dhe strategjisë së aksionit për të ri ardhur në pushtet, do të ketë peshën e vetë edhe ekipi me të cilin Basha do përfaqësohet në zgjedhje. Largimi i atyre që kanë humbur betejën e integritetit dhe angazhimit si edhe afrimi i emrave që cilësohen si “ajka” e shoqërisë padyshim që pritet ti japë më shumë pikë PD-së në zgjedhje. Gjithsesi këto çështje presin vendimmarrjen e lidershipit dhe forumeve drejtuese të partisë, të cilat duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përzgjedhje.

Ndërkohë në kuadër të aleancave, PD ka bërë të ditur hapur se pret në koalicionin e saj çdo parti që është kundër asaj që cilësohet nga opozita si klani i krimit dhe drogës. “Aleanca jonë është e hapur dhe jemi të gatshëm të mirëpresim çdo forcë politike dhe të përfaqësojmë çdo shqiptar që qëndron dhe lufton për këto vlera. Ndarja me krimin është një urgjencë kombëtare, një thirrje mbi formacionet tona politike. Sot e gjithë Shqipëria është në emergjencë kombëtare, hashashi ka zëvendësuar kultura bujqësore dhe fatkeqësisht është ekonomi kryesore e Shqipërisë sot”, deklaroi pak ditë më parë kryedemokrati Basha.

download-1

Lëvizja Socialiste për Integrim

“LSI ka një rol të qartë në të ardhmen, ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme qeverisëse ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri. LSI në çdo rast do të jetë një forcë që do të ketë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen në jetën politike të vendit”. Kështu deklaroi në fillim të kësaj jave kreu i LSI-së Ilir Meta, duke dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për aleatët dhe kundërshtarët e tij. Shanset që LSI të rrisë numrin e deputetëve të saj ( aktualisht ka 20 të tillë) janë jo të pakta. Duke ju referuar burimeve pranë kësaj force politike mësuam se nga sondazhet e brendshme, LSI pritet që të paktën të rrisë me 10 deputetë të tjerë numrin aktual të ligjvënësve të saj në zgjedhjet e ardhshme. Sipas këtyre sondazheve paraprake të bëra nga vetë kjo forcë rezulton se LSI mund të dalë forcë e parë në disa qarqe të vendit, duke lënë pas edhe dy forcat kryesore politike.

Përtej këtij sondazhimi, LSI ende në vetvete nuk e kanë ndarë qartë strategjinë që do të ndjeki në zgjedhjet e ardhshme. Do vazhdojë koalicionin me PS, do kandidojë e vetme, do përfshihet në një pol tretë apo do vendosë të jetë 4 vite në opozitë, duke pasur prapa krahëve peshën e numrave në Parlament. Le ti marrim një e nga një të gjitha këto alternativa.

1-Deri më tani LSI ka treguar përmes deklaratave të përfaqësuesve të saj se në zgjedhjet e ardhshme do kërkoj me ngulm postin e kryeministrit. Deklaratat e kandidatit për kryetar Përparim Spahiu i cili tha se LSI nuk duhet të mbajë më në supe gabimet e të tjerëve dhe se është gati për të qeverisur vendin u morën fillimisht si “qëndrime fushate”.  Por më tej, qëndrimet e kryetari Meta, sipas të cilave LSI në të ardhmen do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme qeverisëse, nuk lënë vend për dyshime. Në këto kushte aleanca me PS-në mund të vazhdojë edhe për katër vite të tjera , vetëm nëse merret parasysh roli i ri i LSI-së në koalicion.  Sigurisht që çdo vendimmarrje do jetë në varësi të votave të elektoratit, por paraprakisht marrëveshja parazgjedhore mund të arrihet vetëm duke vendosur pikat mbi “i” të atyre që mund të cilësohen si përmasa të reja të LSI-së në qeverisje. Megjithëse shanset që kryesocialisti Rama të lëshojë lehtë pozicionin e tij janë të vështira, duket se numrat pas votimit ( nëse aleanca do vazhdojë) do jenë deçizivë për të vendosur lidhur me kryeministrin e ardhshëm të vendit. Shanset janë që kushtet e koalicionit paszgjedhor të përcaktohen me marrëveshjen paraelektorale, e cila do mund të zgjidhë edhe shumë dilema që “vlojnë” mes dy forcave kryesore qeverisëse të koalicionit të majtë.

2- Shanset që Lëvizja Socialiste për Integrim të kandidojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme janë të pakta, por jo inekzistente. Kodi dhe sistemi aktual zgjedhor nuk favorizojnë partitë që kandidojnë  të vetme në zgjedhje. Mundësitë e ndryshimeve me peshë në këtë kuadër në kodin zgjedhor, duke përfshirë edhe listat e hapura, janë minimale. Dy partitë e mëdha duket se janë të ngurta në këtë aspekt dhe preferojnë që ndryshimet në kuadër të reformës zgjedhore të prekin të tjera çështje. Megjithatë LSI, në kushtet e një kundërshtie për të vazhduar koalicionin me PS dhe pa dëshire për tu bashkuar me PD-në, mund të zgjedhë rrugën e kandidimit e vetme në zgjedhje, rrugë e cila i shton edhe më shumë sfidat e kësaj partie.

3- Një tjetër alternativë  që paraqitet si zgjidhje për LSI-në në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme është edhe ajo e bashkimit me një pol të tretë politik që mund të krijohet. Mundësitë që partitë parlamentare të tilla si PBDNJ e Dules, PDK e Ndokës , PAA e Dukës, LZHK e Shehit apo edhe partia e re që pritet të krijojë Ben Blushi të mblidhen së bashku për të krijuar një pol të tretë politik janë jo të vogla. Kjo mund të ndodhë edhe si një kundërpërgjigje e partive të vogla ndaj dy partive të mëdha për mos pranimin e kërkesave të tyre ndaj reformës zgjedhore. Në këto kushte LSI mund të bashkohej me këtë pol të tretë për të marrë rolin e kryesuesit të tij. Ky bashkim do të rriste shanset e përballjes me vështirësitë e kodit për partitë e vogla, të cilat do të mblidheshin të gjitha së bashku në një koalicion nën drejtimin e LSI. Po ashtu në këtë formë, ky koalicion do të mund të siguronte më shumë vota se sa këto parti mund të marrin po të kandidojnë veçmas në zgjedhje.

4- Ndërkohë alternativa e katërt e cila u artikulua vetëm pak ditë më parë nga kreu i LSI-së Meta  është që kjo forcë politike, të vendos të qëndrojë në opozitë. Duke marrë për bazë kundërshtitë e mundshme me PS dhe ndoshta pamundësitë për tu bashkuar me PD-në, LSI mund të vendosë që pavarësisht numrit të votave që do marrë në zgjedhjet e ardhshme, të jetë opozita e ardhshme e vendit. Megjithëse kjo do ishte një alternativë jo fort e këndshme për mbështetësit e kësaj force politike, qëndrimi në opozitë mund ti jepte LSI-së një rol edhe më të madh në Parlament. Kujtojmë që eksperiencat e kësaj force në opozitë nuk janë të pakta. LSI u krijua si opozitare ( në vitin 2004), dhe e vazhdoi aktivitetin e saj  opozitar deri në 2009, ku më pas lidhi marrëveshje bashkëpunimi me PD-në në qeverisje. Dhe nëse LSI do jetë në opozitë në 4-vitet e ardhshme ( duke marrë për bazë numrat e saj aktualë në Parlament), me shumë siguri mund të thuhet se qeveria që do të vijë, cilado qoftë ajo, do ta ketë shumë të vështirë betejën përballë pakicës. Kjo pasi kjo shumicë e ardhshme nuk do duhet të përballet vetëm me opozitën “normale” ( qoftë ajo PS apo PD) , por do të duhet t’i bëjë “hesapet” edhe me opozitën e LSI.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.