Pensionet e reja të 2017-ës, ja mosha dhe vjetërsia e punës që duhet

0
1456

1-357

Janë me mijëra dosjet që po kalojnë në procesin e verifikimit të përmbushjes së kritereve të kërkuara për lidhjen e pensioneve të reja që do t’i shtohen skemës së përfitimeve gjatë 2017-ës. Ligji i sigurimeve shoqërore përcakton ndryshimin e moshës dhe vjetërsisë së punës, rritja e të cilave do të aplikohet për të gjitha përfitimet e reja që do të ndahen nga 1 janari i vitit që vjen. Konkretisht, për 2017-ën, mosha e daljes në pension do të pësojë rritje vetëm për profesionet e kategorisë së parë, në rastin kur përfitues janë meshkujt.

Ndërsa për femrat, rritja e moshës do të reflektohet për të tria kategoritë në të cilat grupohen profesionet. Sa i takon kriterit të moshës, autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se rritja më e madhe, me 6 muaj, do të prekë të gjitha pensionet e kategorisë së parë, pavarësisht faktit nëse përfituesi është burrë apo grua. Për dy kategoritë e tjera, rritja e moshës do të vijojë vetëm për femrat, rritje e cila shkon në dy muaj më shumë se sa mosha e kërkuar për pensionet e lidhura të këtij viti. Krejt e kundërta do të ndodhë me vjetërsinë e punës së përcaktuar për lidhjen e pensioneve të reja.

Pavarësisht grupimit të profesioneve, vjetërsia kontributive e kërkuar për përfituesit e rinj që plotësojnë kushtet për të dalë në pension gjatë 2017-ës, pëson rritje me 4 muaj më shumë për të gjitha kategoritë e pensioneve.

“Kështu, për vitin që vjen, meshkujt do të dalin në pension në moshën 62 vjeç dhe duhet të kenë 36 vite vjetërsi pune për profesionet e kategorisë së parë. Për dy kategoritë e tjera, mosha e daljes në pension do jetë 65 vjeç dhe vjetërsia e kërkuar e punës është 36 vite të zyrtarizuara në librezën përkatëse.

Për femrat mosha e kërkuar e daljes në pension për profesionet e kategorisë së parë është 57 vjeç, ndërsa vjetërsia e punës 35 vite. Për profesionet e kategorisë së dytë dhe të tretë, mosha e përcaktuar për daljen e femrave në pension është 60 vjeç e 6 muaj, të cilat duhet të kenë të njohur 38 vite, si vjetërsi kontributeve. Nënat që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë që janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.

Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara kriteret e reja të daljes në pension për dy vitet e ardhshme. Kategoritë që janë në prag të përmbushjes së këtyre kritereve duhet të bëjnë gati dosjen e dokumenteve të kërkuara, si dhe të dorëzojnë kërkesën për përfitim më herët. Kjo në mënyrë që organet e sigurimeve të kenë kohën e mjaftueshme për verifikimin e të dhënave për llogaritjen dhe lidhjen e pensionit që në ditën e parë, kur personit i lind e drejta e përfitimit. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

Shuma  bazë, llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar kjo me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Sipas përcaktimeve të bëra në ligj, në asnjë rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social”. Baza e vlerësuar për caktimin e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994 për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1 janar të 1994.

Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas datës 1 janar të 2016-ës, e në vijim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 01.01.1994, si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994, ose me pagën minimale të vitit përkatës.

Llogaritja e pensionit të reduktuar

Personat që për arsye nuk mund të presin moshën e daljes në pension, kanë të drejtë të aplikojnë për përfitime pleqërie të reduktuara. Ligji lejon përcakton se personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së plotë të daljes në pension, dhe që nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkohë që duhet të përmbushin edhe kriterin e vjetërsisë së punës. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara, është 0.6 për qind në muaj.”

Për ta pasur më të qartë, masa e përllogaritur e pensionit të reduktuar, mbetet në po atë madhësi edhe me plotësimin e moshës për pension të plotë. Aktualisht, vitet e sigurimit që kërkohen për përfitimet e reduktuara të pleqërisë janë 35 vite e 8 muaj, ndërsa në vitin 2017, do të jetë 36 vite (parashikohet një rritje me 4 muaj në çdo vit).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here