Vrasja e dyfishtë tek lulishtja ‘1 Maj’ , burg përjetë njërit prej autorëve, tjetrit 20 vite

0

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për autorët e vrasjes së dyfishtë që ndodhi tek lulishtja ‘1 maji’ në kryeqytet më 1 tetor të vitit të kaluar. Nga atentati mbetën të vrarë Kevin Rugova, i dashuri i balerinës Kristjana Sexobeat dhe Aurora Oskian, si dhe u plagos Elvis Gjeçaj. Mësohet se togat e zeza kanë dënuar me burg përjetë të pandehurin Sael Sulaj, ndërsa ai do të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar me 35 vite heqje lirie. Po ashtu, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burg, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar ai do të vuaj vetëm 20 vite. Ndërkohë gjatë dëshmisë së tij, 20-vjeçari Sael Sulaj ka shprehur pendesë për ngjarjen ndërsa pranoi se Elvis Gacaj, 39-vjeçari që i shpëtoi atentatit, i poshtëronte prej kohësh ndaj donin që ta vrisnin, bashkë me shokun e tij.

Loading...

“Jam i penduar”, ka thënë Sulaj.

DOSJE E PROKURORISE

Sael Sulajn dhe Vasiel Çavon, të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të lartpërmendurit pranuan autorësinë e krimit, si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes. Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur Vasielin dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn. Mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon, shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Ai njihte Kevin Rugovën si njërin prej personave që rrinte vazhdimisht me Elvisin. Po ashtu, ka parë që brenda lagjes, afër me shtëpinë, ishte parkuar autovetura BMV që ai e dinte që ishte e Elvis Gaçajt.

Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, kanë biseduar për t’u hakmarrë. Këtë hakmarrje e kanë dëshiruar të dy sepse edhe Vasieli kishte patur debate dhe konflikte fizike me Elvis Gaçajn. Të tilla konflikte ai i kishte patur gjashtë muaj para ngjarjes, dhe kishin edhe këmbime fyerjesh personale dhe familjare. Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik që ishte futur në një çantë./

me rrota e mbështjellë me një bluzë dhe një qese të zezë. Vasieli ka marrë dhe një pistoletë. Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do të mbështeste atë me pistoletë nëse do dilte ndonjë e papritur. Saeli ka qëndruar në sheshpushimin që ishte përballë dhe sipër vendit ku qe parkuar mjeti, pikërisht përpara xhamit të përparmë të mjetit dhe ka patur me vete automatikun. Ndërsa, Vasieli, i pajisur me pistoletë, rrinte në një shkallë ngjitur, edhe ai në sheshpushim, me fushëpamje nga pjesa anësore e autoveturës BMW.

Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre, shtetasi Sael ka mbushur armën automatike dhe, pasi të lartpërmendurit kanë hipur në mjet dhe mjeti është ndezur, ai është ngritur dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qenë përballë mjetit derisa ka mbaruar të gjithë fishekët. Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit, anash tij, ka hapur zjarr me pistoletë dhe shtetasi Vasiel Çavo dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit. I pandehuri Sael Sulaj ka marrë automatikun që e ka siguruar brenda çantës me rrota dhe e ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën që mbante atë, sende këto që u sekuestruan më pas si prova materiale. Ka ecur përgjatë lumit disa qindra metra, dhe, kur ka qenë afër Bar D…, është futur pas lokalit; aty ka hequr bluzën e zezë me kapuç.

Të dy djemtë janë larguar nga banesat, kanë qëndruar gjatë natës në lëvizje, kanë komunikuar në mëngjes ku kanë ndërruar numrat e telefonit dhe më pas, janë shoqëruar në polici pasi kanë folur edhe me të afërmit. Qesja e zezë që shërben për mbeturina dhe që kishte mbajtur të mbështjellë automatikun para ngjarjes, u la prej tij në vendngjarje, u gjet më pas gjatë këqyrjes dhe u fiksua dhe iu nënshtrua ekspertimit. Po kështu, edhe shtetasi Vasiel Çavo ka pohuar për ngjarjen. Ai deklaroi që për praninë e Elvisit (shkurt Evit, siç njihej prej tyre), ishte njoftuar nga Saeli që i ka kërkuar që ta godisnin sepse ishte rast i mirë. Pasi kanë rënë dakord, kanë shkuar në banesën e Vasielit ku ai mbante automatikun dhe pistoletën.

Automatikun e ka marrë Saeli, ndërsa Vasieli ka marrë pistoletën. Kanë bërë kontrollin e armëve nëse ishin në rregull teknikisht dhe me fishekë brenda dhe Vasieli ka qëndruar në një hyrje pallati afër mjetit dhe është mbështetur te parvazi i shkallëve, ndërsa Saeli ka qëndruar te sheshpushimi i shkallëve në hyrje të apartamentit ku ai vetë banon dhe që ishte përballë mjetit, pikërisht përballë qelqit të parë të mjetit ku do ulej edhe Elvis Gaçaj. Vasieli ka parë që Elvisi po afrohej me një djalë dhe dy femra dhe pretendon që nuk ka patur mundësi që të njoftonte Saelin që duhet të hiqnin dorë nga veprimi sepse kishte dhe njerëz të tjerë. Ka parë që Elvisi ka hipur në vendin e drejtuesit, një bjonde te vendi i parë dhe dy të tjerët kanë hipur pas. Sapo mjeti është ndezur dhe ka nisur lëvizjen mbrapsht, ka dëgjuar krisma të pandërprera dhe ka kuptuar që Saeli po qëllonte sikurse kishin rënë dakord.

Pasi Saeli ka mbaruar edhe ai ka nxjerrë armën pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar duke e mbajtur me të dyja duart në drejtim të Elvis Gaçajt. Pas kësaj është larguar mes pallateve deri afër Urgjencës, duke e fshehur armën te xhepi i barkut të bluzës që mbante veshur pa u lidhur me Saelin për të kuptuar se nga kishte shkuar ai. Më pas, është kthyer në drejtim të unazës, ka kaluar urën e vogël të këmbësorëve që është mes rrugës “Gjin Bua Shpati” dhe ish-Ekspozitës; aty, ka hedhur kapelen që mbante në kokë dhe armën e zjarrit pistoletë. Më pas, duke shfrytëzuar rrugicat ka dalë deri të shkolla “Sabaudin Gabrani” ku, në një kosh plehrash, ka hedhur bluzën që mbante veshur.

Disa minuta më vonë është takuar me Saelin te një Fast Food, ku kanë biseduar për vrasjen, e ka pyetur pse nuk kishte ndërperë veprimet kur kishte parë që kishte dhe të tjerë. Saeli i ka pohuar që e kishte humbur kontrollin e vetes nga hutimi. Më pas, secili është larguar; Vasieli është drejtuar në banesën e tij, ndërsa Saeli te disa të njohur në Fushë-Krujë. Ai pohon për rrahjet që ka pësuar nga Elvis Gaçaj dhe që kanë ndodhur muaj më parë por, për të cilat, ai nuk i ka treguar gjë policisë. Megjithë kërkimet e bëra, policia gjyqësore nuk arriti të gjejë armën e zjarrit pistoletë./BW

Loading...

Lini nje pergjigje