Dështojnë Doganat, mungojnë miliarda nga plani i 9-mujorit

0

Të ardhurat doganore për muajin shtator rezultojnë më të ulëtat që nga muaji maj, në të cilin rezultojnë 12.293 milionë lekë

Në doganat shqiptare mungojnë 3.2 miliard lekë të rinj për 9 muajt e parë të vitit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar buletinin fiskal për periudhën janar-shtator, ku konstatohet se të ardhurat doganore ku përfshihen taksa doganore, akciza, TVSH dhe renta minerare, janë realizuar me 3.202 milionë lekë më pak se parashikimi. Sipas shifrave të vëna në dispozicion nga Drejtoria e Doganave, për periudhën 9 mujore ishin parashikuar 112.303 milionë lekë të ardhura doganore. Nëse krahasojmë të dhënat, rezultati është skandaloz. Ndryshe nga sa është parashikuar, për këtë periudhë kohore janë mbledhur vetëm 109.101 milionë lekë, ose 3.202 milionë lekë më pak se plani. Vetëm në muajin shtator, Doganat humbën 1.356 milionë lekë. Doganat kishin parashikuar 13,425 milionë lekë të ardhura doganore për muajin shtator, por nga të dhënat zyrtare rezulton se janë mbledhur vetëm 12.070 milionë lekë, ose 1.356 milionë lekë më pak se plani. Të ardhurat doganore për muajin shtator rezultojnë më të ulëtat që nga muaji maj, në të cilin rezultojnë 12.293 milionë lekë. Nëse e krahasojmë me vitet e shkuara, shtatori 2016 rezulton me të ardhurat më të ulta që nga viti 2013, kur shtatori i këtij viti shënonte 10.591 milionë lekë.

Të ardhurat nga akciza në muajin shtator kapën shifrën më të ulët që nga muaji prill. Në shtator të ardhurat nga kjo taksë arritën në 3.414 milionë lekë, ndërsa vetëm një muaj më parë, pra në gusht ishin 4.240 milionë lekë. Të ardhurat nga TVSH po ashtu ishin më të ulëta në muajin shtator, në krahasim me atë paraardhës. Raporti i Doganave tregon se në shtator u mblodhën 7.876 milionë lekë taksë nga TVSH, ndërkohë që vetëm një muaj më parë, të ardhurat nga e njëjta taksë llogariteshin në 8.972 milionë lekë. Të ardhurat nga TVSH në muajin shtator ishin më të ulëtat që nga muaji shkurt, që llogariteshin në 7.012 milionë lekë. Renta minerare rezulton këtë vit një gropë e madhe në sistemin e doganave. Në këtë 9-mujor, Doganat kanë arritur të mbledhur vetëm 2.014 milionë lekë. Mjafton një krahasim i thjeshtë me vitet e shkuara dhe vëren se të ardhurat nga kjo taksë janë këtë vit më të ulëtat e viteve të fundit. Në raport jepen të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë që nga 2012, vit kur për periudhën janar-shtator llogariteshin në 4.187 milionë lekë. Në vitin 2013 të ardhurat nga kjo taksë arritën në 5.850 milionë lekë, në 2014 u ulën në 5.233 milionë lekë, ndërsa në vitin 2015 ranë në mënyrë drastike në shifrën 2.972 milionë lekë. Viti 2016 shënon dhe rënien më të madhe, duke arritur në vetëm 2.014 milionë lekë.

Importi i mallrave me akcizë në muajin shtator rezulton me rënie të ndjeshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat rezulton se në këtë muaj u importuan 248 ton cigare, ndërsa vetëm një muaj më parë ishin importuar 278 ton cigare. Kjo është sasia më e vogël e importuar që nga muaji qershor, kur rezulton të jenë importuar 276 ton cigare. Importi i birrës vërehet të jetë përgjysmuar përgjatë muajit të shkuar, krahasuar me muajin gusht. Në shtator, importi i birrës përllogaritej në 2.809 ton, ndërsa një muaj më parë, pra në gusht të po këtij viti kishte qenë 4.893 ton. Edhe karburantet kanë shënuar një rënie të ndjeshme në shtator, krahasuar me muajin gusht. Në muajin e shkuar, importi i karburanteve arriti në 35.969 ton, ndërsa në gusht ishte 51.671 ton. Importi i kafesë po ashtu ka pësuar rënie. Në shtator, importi i këtij produkti kapi shifrën 690 ton, ndërsa në gusht ishte 789 ton.

Lini nje pergjigje