PDIU shton “oreksin”, Rama e “furnizon”. Por deri kur dhe sa mban peshë kjo aleancë?

0
157

Ambrozia Meta

Ashtu siç pritej dhe diskutohej prej kohësh, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet  po fiton më shumë pushtet në koalicion, por edhe në administrata. Pas disa drejtorive në qarqe, në dukje të papërfillshme për pushtetin kryeqytetas, gjithmonë e më shumë partia çame po i afrohet posteve të larta drejtuese. Vjollca Braho, një nga faktorët  e PDIU – së, pritet të  marrë detyrën e Zv/ministres në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pavarësisht largimit të saj, nga drejtimi i Fondit të Sigurimit të kujdesit Shëndetësor, ky post do vazhdojë të mbahet nga një anëtar i familjes së Shpëtim Idrizit. Kjo “dhuratë”  e kryeministrit për aleatin në qeverisje, vjen pak kohë pas emërimit të Ardit Bidos, një tjetër pjestar i PDIU – së, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave. Më herët, u emërua si drejtor në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve, Galip Daho, një tjetër përfaqësues i njohur i Partisë Çame. Muaj më parë, spitali rajonal i Fierit iu besua Brunilda Camaj, e cila vjen nga rradhët  e partisë së Shpëtim Idrizit. Lëvizje pati edhe në Sarandë, kur në krye të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të qytetit bregdetar  u vu një tjetër subjekt i PDIU –së. Që nga marsi i 2015, kur Partia  për Drejtësi, Integrim dhe Unitet braktisi të djathtët për t’u bashkuar me koalicionin qeverisës,  forrca politike me 5 deputete në parlament ka marrë 3 bashki të vendit, disa poste drejtuese në Tiranë e rrethe dhe së fundmi një post zv/ministri.

Oreksi i PDU-së dhe strategjia e Ramës

Ka të paktën tre teori që qarkullojnë në media dhe opinionin publik për forcimin e pozitave të PDIU –së. E para, ndoshta më e natyrshmja lidhet me faktin që si një aleate e koalicionit qeveritar, që i jep mazhorancës 5 vota, të gjitha këto “dhurata” për PDIU – në, vijnë si pjesë e marrëveshjes që Idrizi dhe Rama kanë nënshkruar në marsin e 2015 – ës. Teoria e dytë lidhet me kontributin e përfaqësuesve të partisë së Idrizit, në fitoren e kandidatit të majtë, për zgjedhjet e Dibrës. Angazhimi i deputetëve të PDIU – së  përgjatë fushatës në Dibër, cilësohet si një shpërblim  për postet që kryeministri u akordoi subjekteve politike të kësaj force, pas 11 shtatorit. Teoria e tretë, ndoshta më e rëndësishmja lidhet me dyshimin e madh të kryeministrit që mund të “divorcohet” politikisht me liderin e LSI –së, Ilir Meta. Ky dyshim i kryeminsitrit që rritet dita ditës dhe që reflektohet në mendimet  e kundërta që dy aleatët kanë për çështje të rëndësishme, (përfshirë këtu listat e hapura dhe ligjin për mbetjet),  përforcon teorinë e tretë, afrimin me PDIU – në. Një ndarje mes Lëvizjes Socialiste për Integrim do rezultonte fatale për PS-në dhe Ramën, i cili me shumë gjasë nuk pritet të rrisë numrin e deputetëve të fituar në zgjedhjet e 2017-ës, në mos më shumë shanset janë që të ulen.  Në këto kushte, duke mbështetur dhe shpërblyer PDIU – në, shefi i qeverisë  shpreson të balancojë, shijen e hidhur që mund të lë ikja e Metës nga koalicioni.  Nga ana tjetër, PDIU shpreson të dyfishojë numrat e saj në parlament, por beteja duket  e vështirë, në kushtet kur përkrahjen më të madhe, kjo parti  e ka lokale. PDIU duke tentuar të realizojë atë që Ilir Meta bëri në zgjedhjet e 2013, kur 5 fishoi  numrin e deputetëve të LSI –së  në Kuvend, ndoshta nuk e ka menduar mirë përballjen që e pret, tashmë që në skenën politike po hyjnë aktorë të rinj, me peshë në elektorat. “Përkedhelitë” e Ramës ndaj kreu të PDIU – së nuk  pritet ta shpëtojnë atë, nga përballja me zgjedhësit e pakënaqur, në rast se Ilir Meta i jep fund “martesës” së tyre politike .

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here