Standard.al

Nexhipi flet si “ish”: E ndalim Partizanin, po shënova nuk festoj

0

Korabi-Partizani konsiderohet një përballje e rëndësishme për të dy ekipet, që për objektivat që kanë fitorja mbetet prioritet. Ky duel ka një vlerë të veçantë për Nderim Nexhipin, i cili, ndonëse luajti 18 muaj, u kthye në idhull për ultrasit e kuq. Tifozët e Partizanit do ta mbajnë mend gjatë Nexhipin, i cili tani është pjesë e Korabit, kryesisht për golat e shënuar në derbin ndaj Tiranës.

Pas seancës së djeshme stërvitore, Nexhipi në një intervistë për “Panorama Sport” tregoi emocionet para përballjes me Partizanin. Ndonëse e di se mbetet në zemrën e tifozëve të kuq, mesfushori pohon se profesioni e detyron që t’i ndëshkojë, por premton se, nëse shënon gol në portën e Partizanit, në shenjë respekti nuk do të festojë.

Mesfushori nga Shkupi pohoi se nga karriera me “demat”, peng i ka mbetur që nuk fitoi titullin kampion. Në fund ka folur edhe për djalin e tij, Dionin, që pas seancës me Korabin i kushtoi disa minuta në fushë.

Nexhipi Korabi 2

Të shtunën luhet Korabi-Partizani, sa i emocionuar do të jetë Nexhipi?

Normal që është një nga ekipet i cili të sjell emocion, madje edhe tani më vijnë emocione kur e përmendim si emër. Sigurisht që kjo vjen edhe nga lidhjet që kam pasur me këtë klub, ashtu si dhe tifozërinë e mrekullueshme të Partizanit, që më kanë përkrahur dhe më kanë dashur vazhdimisht sa herë që dilja në fushë.

E parashikoni që t’i shënoni ish-ekipit në këtë përballje?

Unë jam lojtar profesionist dhe nuk ndikohem nga e shkuara, apo nga ndjesitë që kam për ekipet ku kam luajtur. Aktualisht, jam lojtar i Korabit dhe në këto kushte më del detyra që të jap më të mirën për fanellën që mbaj veshur. Kështu që detyra ime është që t’i shënoj Partizanit, si çdo skuadre tjetër. Por në këtë rast ka një ndryshim, pasi në shenjë respekti të klubit dhe tifozëve të Partizanit po shënova gol, nuk do të festoj.

Çfarë i mbetet peng Nexhipit nga aventura me Partizanin?

Pengu im i madh te Partizani është që nuk fitova titullin kampion.

Nexhipi

A do të dëshironit një rikthim dhe a është e mundur një gjë e tillë?

Nuk mund të themi asgjë për këtë pikë, pasi unë tashmë jam pjesë e Korabit dhe gjithë vëmendja e përqendrimi është pranë kësaj skuadre, me të cilën kam nënshkruar edhe një kontratë njëvjeçare. Do të mundohem të jap maksimumin për këtë skuadër ku bëj pjesë.

Si e parashikoni takimin e nesërm dhe sa mundësi ka Korabi që të ndalë Partizanin e trajnerit Sulejman Starova?

Një ndeshje ku të dy ekipet kanë nevojë për pikë, ndonëse ndodhemi në situata me kahe të kundërta. Korabit i duhen pikët që t’i largohet fundit të renditjes, ndërsa Partizani kërkon që t’i afrohet kreut. Të shtunën do të japim maksimumin që ekipi ynë të mos dalë pa pikë.

Ne e kemi treguar deri tani se sa i aftë është Korabi në përballjet me ekipet e mëdha të Superiores. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të bukura. Është normale që çalojmë pak në sulm dhe nuk po na del goli. Shpresojmë, madje jam plotësisht i bindur se do të marrim pikë ndaj Partizanit. Na mbetet që këtë besim ta kthejmë në realitet.

Nexhipi me djalin

Shoh djalin tuaj që po stërvitet bashkë me ju. A ekziston dëshira që edhe ai t’ju ngjajë dhe të bëhet një futbollist i famshëm si ju?

Patjetër që po, edhe unë në këtë moshë i kam nisur hapat e para për t’u bërë futbollist, kur isha në Shkup. Djali është 7 vjeç dhe stërvitet rregullisht me moshat e skuadrës së Hertës së Berlinit në Gjermani. Siç po e shihni, i ka marrë njohuritë e para dhe është i guximshëm.

Ashtu si çdo prind, e aq më tepër me një prind futbollist, dëshira është e madhe dhe jam duke bërë gjithçka që t’i ngulitet futbolli dhe të më ngjajë, si dhe të bëhet një futbollist i famshëm./panoramasport

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.