Tension dhe debat/ Ndizet sërish fitili mes PS e LSI. Listat e hapura, “mbetjet” dhe kanabisi: Kush do të fitojë?!

0
153

 

“Siguria është diçka serioze. Edhe Forcat e Armatosura janë një gjë serioze dhe kur flitet për FA dhe për gjërat serioze që ata bëjnë duhet të flitet seriozisht”

Gëzim Saliu

Propozim  i Ministrit  të Drejtësisë Ylli Manjani për të angazhuar ushtrinë në luftën antikanabis ka sjekllë kundër reagime të forta brenda ekzekutivit. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e pyetur për këtë çështje deklaroi dje se kur flitet për Forcat e Armatosura duhet të flitet seriozisht pasi siguria është një gjë serioze. “Siguria është një gjë serioze. Edhe Forcat e Armatosura janë një gjë serioze dhe kur flitet për FA dhe për gjërat serioze që ajo bën duhet të flitet seriozisht. Gjërat serioze kanë të bëjnë me sigurinë ë vendit”, tha ajo gjatë një aksioni ku u përfshinë 500 nxënës të arsimit profesional për mbjelljen e 5 mijë pemëve në Malin e Krujës me rastin e ditës së lumturimit të Nënë Terezës. Ndonëse deklarata e ministrit Manjani dy ditë më parë ishte me tone më shumë se serioze, Kodheli ngulmoi në kundërshtimin e idesë së aktivizimit të ushtrisë në luftën kundër hashashit. “Gjërat serioze kanë të bëjnë më sigurinë e vendit. Punët në demokraci janë të ndara. Gjithkush bën atë punë që i takon. Ju faleminderit!”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes. I pari rast i angazhimit të ushtrisë në një tjetër mision në vend që nuk ka lidhje me mbrojtjen ka qënë aksioni për pastrimin e  vijës bregdetare para sezonit turistik.

manjani-2 kodheli

Koalicioni, replika dhe kanabisi

Dy ditë më parë Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani propozoi angazhimin e ushtrisë për t’u ndarë një herë e mirë nga fenomeni i mbjelljes së kanabis sativës.   “Ne duhet të reagojmë ndoshta edhe më fortë se deri më sot dhe po qe e nevojshme do dali edhe ushtria. Nga ky fenomen o ndahemi tani o nuk ndahemi më. Është e ngjashme me efekte me atë që kemi hequr nga piramidat financiare”, tha Manjani. Por kjo deklaratë e fortë e ministrit të Drejtësisë duket se nuk është pritur aspak mirë nga brenda ekzekutivit, sidomos nga përfaqesuesit e PS-së. Ndonëse kryeministri u përpoq që mos e përcillte për publikun kundërshtinë e tij ndaj ministrit, duke e cilësuar shkurt si një opinion individual, ditën e djeshme ka ardhur reagimi perms ministres së Mbrojtjes. Kodheli e cilësoi si gjë serioze angazhimin e ushtrisë, duke i dhënë në këtë formë përgjigje indirekte Manjanit se lufta ndaj kanabisit nuk është në situatë alarmante sa të aktivizohen Forcat e Armatosura. Kjo replikë brenda rradhëve të qeverisë tregon realisht opinionet e kundërta që ekzistojnë mes palëve për luftën ndaj kanabisit. Nga njëra anë kryeministri, ministri i Brendshëm dhe PS në tërësi e ka mohuar tërësisht rritjen e vazhdueshme të trafikimit të drogës. Në krahun tjetër LSI, ndonëse nuk ka marrë rol kritikues, ka nënvizuar domosodshmërinë e vazhdimit me intensitet të kësaj lufte për të arritur rezultatet e duhura. Ndërkohë deklarata e Manjanit ( e cila u theksua se ishte qëndrim personal) ishte më e forta nga rradhët e qeverisë. Sipas ministrit të Drejtësisë nuk mund të mohohet se perceptimi në popull e sheh fenomenin e kanabisit të përhapur gjërësisht në vend. Pikërisht në këtë kontekst, Manjani kërkoi edhe ndërhyrjen e ushtrisë për ti dhënë fund një herë e mirë fenomenit dhe perceptimit tek qytearët, i cili sipas tij, është shumë i dëmshëm për vendin.

blushi-ne-permet

Sulmet e Ramës

Blushi: Kur shkrimtaret merren me qentë, qente merren me librat. Hafizi: Harron se është kryeministër

Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi i janë përgjigjur dje sulmeve akuzuese të kryeministerit Rama ndaj tyre. Blushi i është përgjigjur përmes një statusi në facebook ku shkruante se, : “Paska folur Edi Rama per romanet e mi! Kur shkrimtaret merren me qente, qente merren me Librat!”. Ndërkohë Mimoza Hafizi kryeministrit Edi Rama  do i kthejë përgjigje sot nga foltorja e Kuvendit. “Të gjithë ata që janë lënduar mbrëmë nga gjuha vulgare e kryeministrit ndaj meje, dua t’i siguroj se përgjigjen do ia kthej nesër, nga foltorja e Parlamentit. Por jam e bindur se sjellja e këtij njeriu që nuk e di apo harron se është kryeministër, nuk më cënon vetëm mua, por edhe ty, ju, edhe të gjithë ata që ende e dinë dhe e marrin për kryeministër’, u shpreh ajo. Në një intervistë televizive, kryeministri Rama sulmoi dy ditë më parë ish-deputetët socialist  Blushi dhe Hafizi duke u munduar të minimizojë ssa më shumë rolin e tyre në publik.  “Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane”, tha Rama. Ndërkohë për deputeten Hafizi, kreu i qeverisë tha se,: “Mimoza le të hajë përsheshin në partinë e tij. Për Ben Blushin edhe mund të shpenzonim pak kohë se i ka bërë nja tre romane. Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem”. Ndërkaq Ben Blushi ka nisur takimet me qytetarët për t’u prezantuar atyre projektin e vet politik. Blushi u ndal dje në Fier, ku në një takim me qytetarët tha se ka ardhur koha që njerëzit të grumbullohen rreth një ideje dhe jo më rreth një njeriu, siç kanë bërë, sipas tij, në 25 vitet e fundit. Ish-deputeti socialist premtoi se subjekti i ri politik i ngritur prej tij do të jetë ndryshe nga partitë politike të vjeta. “Partitë e vjetra janë njësoj, si e majta dhe e djathta. Ato kanë mbështetur shtresat e pasura të shoqërisë, ndërsa ky subjekt politik do të jetë ndryshe”, tha ai. Më herët, Blushi zhvilloi një takim të ngjashëm me qytetarët në qytetin e Përmetit.

Largimi i Ben Blushit temë e Kongresit të PS, disa e duartrokasin

Në debatin final të tetë finalistëve për kreun e FRESSH nuk kanë munguar edhe komentet për largimin nga PS të deputetit, Ben Blushi. Të rinjtë socialistë u shprehën pro dhe kundër linjës së tij politike. “Sa i përket fenomenit Ben Blushi, ju të gjithë e dini se ai ngre zërin vetëm kur nuk merr ndonjë post. E kemi pasur tre herë Ministër dhe nuk na ka bërë asgjë.Edhe shumë mirë ka bërë që ka dalë se nuk i duhej PS, pasi ai ka bërë një ndasi të popullësisë shqiptare dhe ka diskriminuar 70% të popullësisë myslimane”, tha njëra prej kandidatëve për kryetar të FRESSH Ana Abdi. Ndërkohë një tjetër kandidat Shpat Kolgega tha se,: “Në historinë e PS ka pasur shumë largime dhe rikthime. Unë jam një nga ata që do të doja që një ditë në të ardhmen Blushi të rikthehej sërish PS-së”. Ky fjalim mori edhe duartrokitje nga salla. Ndërkohë Elsamed Mukaj tha se,: “Zoti Blushi ka braktisur të gjithë miqtë e tij që kanë qenë bashkë për shumë kauza dhe shumë ide, duke filluar me 21 janarin. Ai ka të drejtën e tij si çdo individ të shprehet por besoj dhe  është e papranueshme që një kryesues liste të mos shkojë për zgjedhje”. Por sipas kandidatit tjetër Eljo Hysko pohoi se,: “Blushi ka qenë, është dhe do të jetë një figurë me vlera për PS. Ikja e tij është një humbje besoj për ne, por gjithsesi është zgjedhja e tij. Nëse mazhoranca në mënyrë absolute vendosi të bashkëjetonte me një numër të caktuar rregullash me një kohë të caktuar rregullash, ai që nuk zgjedh të bashkëjetojë me të është i lirë të largohet”. Ndërkohë në fjalën e tij Rama ka deklaruar se, i gjithë procesi i “FRESSH Voice” nisi si një ide inovative, që po sjell një organizatë të ripërtërirë në gjithë vendin”.  “Kushdo që do zgjidhet drejtues i FRESSH duhet të jetë shprehje e një pjesëmarrjeje të madhe. I uroj rrugë të mbarë 8 kandidatëve drejt zgjedhjeve”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, gjate homazheve ne Akademine e Sigurise ne Sauk, per nder te komandantit te Forcave te Nderhyrjes se Shpejte te Shkodres, FNSH, Simon Gjeta, i cili ra ne krye te detyres, gjate nje operacioni per arrestimin e Ruzhdi Aishtes, ne Shkoder. /r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Parliament Speaker Ilir Meta, during the homage in honor for Commander of the Fast Reaction Forces of Shkodra, Simon Gjeta, who has fallen on duty yesterday, during an police action to arrest Ruzhdi Aishtes.
 

Rama vs Meta

Nga listat e hapura tek “mbetjet”, problematikat e reja në koalicionin PS-LSI

Listat e hapura erdhën si “mort” në selinë e Partisë Socialiste, pak kohë pas sikletit që kjo forcë politike kaloi në periudhën e refomës në drejtësi, ku marrëdhëniet mes dy aleatëve u tensionuan si kurrë më parë

Ambrozia Meta

Megjithëse kryeministri Rama në një intervistë televizive, pak ditë më parë deklaroi se mes tij dhe kryeparlamentrit Meta nuk ka asnjë betejë brenda rradhëve, qëndrimet e dy aleatëve për listat e hapura dhe ligjin për importin e mbetjeve kanë krijuar një mur të ri në koaliconin qeveritar. Fillimisht përplasja filloi me një deklaratë  të kreut të Kuvendit, në të cilën ai artikuloi mendimin se në zgjedhjet  e ardhshme parlamentare duhet të garohej me lista të hapura pasi ato do forconin sistemin parlamentar dhe do ta bënim më demokratik. Deklaratat e  Liderit të LSI-së, që dikush i konsideroi si një kapriço të çastit u përforcuan disa ditë më vonë nga prononcimi i kreut të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i cili tha se propozimi për listat e hapura shumë shpejt do të konkretizohet si një nismë ligjore.  I ndodhur në Nish, për punimet e forumit ekonomik Shqipëri – Serbi, Rama e kundërshtoi thatë propozimin e aleatit të tij. “Personalisht jam kundër listave të hapura, por kjo çështje kërkon një diskutim të gjerë,”  – u shpreh shefi i  ekzekutivit. Por dy ditë më para, bashkëkryetari  i Komisionit të reformës zgjedhore, socialisti Taulant Balla deklaroi prerazi se listat e hapura nuk janë një zgjidhje për kohën aktuale. Duke mbrojtur komoditetin që ofrojnë listat e mbyllura, Balla përforcoi kundërshtimin për këtë çështje me arsyetimin se me listat e hapura do të fillonte një karvan i gjatë numërimi për kandidatët, përfshirë këtu edhe vështirësitë teknike të procesit.

Listat e hapura erdhën si mort në selinë e Partisë Socialiste, pak kohë pas sikletit që kjo force politike kaloi në periudhën e refomës në drejtësi, ku marrëdhëniet mes dy aleatëve u tensionuan si kurrë më parë. Propozimi për listat e hapura nuk u mirëprit edhe nga demokratët, të cilët argumentuan gjykimin e tyre me ngarkesën dhe rrëmujën që listat e hapura sjellin gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor. Ndërkaq opozita ka theksuar sërish se shqetësimi i tyre i madh ngelen zgjedhjet  e lira dhe të ndershme.  Në këto kushtet dy armiket  e betuara PS- PD kanë një mendim të përbashkët që natyrshëm lidhet edhe me kultin e liderit, të mësuar për të zgjedhur vetë deputetët,  mendim i cili mund të përkthehet si një votë kundër propozimit të LSI-së. Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim ka në krah partitë e vogla, të cilat janë më penalizuarat nga listat e mbyllura, por edhe deputetë si Hafizi e Blushi që tani nuk i përkasin asnjë familjeje politike në parlament.

Qëndrimi

Një tjetër kokëdhimbje e kryeministrit është ligji për importin e mbetjeve. Pas rikthimit të ligjit të Kuvend nga Presidenti Nishani, i cili edhe më herët theksoi se në vendimin e tij do prevalonte interesi publik, presioni për mosvotimin e këtij ligji është rritur ndjeshëm. Në kushtet kur opinion publik po vë me shpatulla pas murit qeverinë, votat e LSI-së për ligjin aq shumë të diskutuar janë ende në pikëpyetje. Por kryeparlamentari Ilir Meta përpara vizitës zyrtare në Kinë deklaroi se për ligjin e mbetjeve, LSI do të bazohej  në vlerësimin e argumentave , mbi të cilat kreu i shtetit e ktheu këtë ligj për rishyrtim. Duke lënë të hapur mundësinë për votim kundra ose abstenim, Meta u nis në vizitën zyrtare, duke krijuar akoma më shumë tymnajë në mendjen e shefi të qeverisë. “Besoj që LSI-ja në çdo rast nuk do ta shikojë këtë ligj, si një problem midis shumicës dhe opozitës. Pra si problem thjesht politik apo si problem institucional midis Parlamentit dhe Presidentit, por do ta gjykojë me përgjegjësi, si problem, në raport me opinionin publik, në raport me shoqërinë civile,” – tha numri një i Kuvendit. Ligji i mbetjeve kaloi me stërmundim në Kuvend me 63 vota, ndërsa pas reagimit të opinionit publik, shumë deputetë duket të jenë trembur për të ngritur kartonin jeshil. Kryeministri u shpreh më herët se nuk ka kthim mbrapa për ligjin e importit të mbetjeve, ndërkohë që në heshtje po përgatit mbrojtjen e radhës, tashmë që ligji është rikthyer në komision. Këtë herë duket se diskutimi do ketë më shumë bujë sesa një muaj më parë, kur amendamentet e tre deputetëve, erdhën në majë të gishtave, pa e ditur që do shkaktonin një zhurmë të madhe në opinionin publik.

metattatata

Intervista për CRI Shqip

Meta në Kinë: Do lexojmë dekretin e Presidenti për mbetjet, koalicioni vendoset nga forumet përkatëse

Kryeparlamentati Ilir Meta, i cili ndodhet në Kinë për një vizitë zyrtare deklaroi në një intervistë për CRI Shqip se në lidhje me ligjin e importit të mbetjeve, LSI do të lexojë argumentet e Presidentit të Republikës dhe do të marrë në konsideratë edhe mendimet e shoqërisë civile. “Do të na duhet të lexojmë me vëmendje argumentet e Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht duhet të kemi në konsideratë se ky ligj që ka shkaktuar një ndjeshmëri të gjerë për shkak të çështjes që ka sensibilizuar prej kohësh opinion publik dhe shoqërinë civile, duhet të na ndihmojë për ta forcuar dialogun më tej me shoqërinë civile në interes të publikut të gjerë,” – u shpreh Meta.Kreu i LSI –së i pyetur për vazhdimësinë e koalicionit me Partinë Socialiste tha se bashkëpunimi dhe aleancat e ardhshme politike do të vendosen nga forumet respektive të forcave politike. Numri një i Kuvendit u ndal edhe tek investimet kineze në Shqipëri, duke diskutuar projektin për rrugën e Arbërit. “Investimet kineze janë në rritje në Shqipëri, në fusha nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndësishmet, që nga Aeroporti i Tiranës, në fushën e energjisë, të naftës, të industrisë të bakrit, telekomunikacionit e kështu me radhë. Dhe natyrisht edhe në kuadër të nismës 16+1, Shqipëria ka qenë dhe është mjaft aktive dhe synon të japë edhe ajo kontributin e saj nga i cili edhe të përfitojë për zhvillimin e projekteve me interes rajonal.Një ndër këto projekte më të diskutuara ka qenë Rruga e Arbrit, e cila ndihmon edhe për një lidhje më të mirë të Shqipërisë me Maqedoninë, por ndërkohë janë diskutuar edhe projekte te tjera në fushë e infrastrukturës, të porteve, të hekurudhave, “ – theksoi ai. Ditën e djeshme, në kudër të vizitës zyrtare, Meta zhvilloi një takimin me  Ministrin për Marrëdhëniet me Jashtë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Song Tao, ku në fokus të bisedës ishte intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimi politik edhe ekonomik.Më tej kryeparlamentari u ndal edhe në zyrat qendrore të “Power Construction Corporation of China”, një nga koorporata që ka investuar në Shqipëri. Gjatë takimit me presidentit e kësaj korporate, Meta   deklaroi se Shqipëria mirëpret investime jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në bujqësi e turizëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here