Basha: Rama ka prishur kontratën me shqiptarët, s’mbajti asnjë premtim

0
179

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat drejtuese të strukturave të PD në Devoll, tha se kryeministrin Edi Rama se ka prishur kontratën me shqiptarët, duke mosmbajtur asnjë premtim, ndërsa iu rikthye sërish akuzave për lidhje të qeverisë me krimin.

Edi Rama, theksoi Basha e quan opozitë më të keqe se krimin sepse çdo ditë po fakton para qytetarëve lidhjet e tij me krimin, mbrojtjen që i jep krimit dhe kthimin  e Shqipërisë në hambar droge.

“E ka shkelur kontratën me shqiptarët sepse premtoi rend dhe siguri. Por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi. Solli kriminelët dhe i bëri anëtarë të  parlamentit, deputetë, kryetarë të bashkive të vendit, i bëri drejtor të mëdhenj në polici, në dogana, në tatime, në OSHE duke i kthyer të gjithë këto organizata që ishin në shërbim të shqiptarëve në organizata të mirëfillta kriminale. Dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret. Si mund të jetë opozita më e mirë se krimi, kur Edi Rama dhe krimi janë bërë njësh me qëllim për të mbajtur pushtetin, për të bërë më shumë para, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të prishur vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Basha.

Edi Rama në keto tre vjet, theksoi Basha, i ka shërbyer vetëm krimit dhe një grupi njerëzish të lidhur me të, të cilët janë pasuruar me paratë e qytetarëve ndërsa varfëria dhe mjerimi për 90% të shqiptarëve është shtuar. Edi Rama e ka prishur kontratën me qytetarët duke mos mbajtur asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. E si çdo kush që ka sanksione për mos zbatim të kontratës është koha që edhe qytetarët të largojnë Edi Ramën për shkelje të kontratës me ta.

“Ky kryeministër mbron ata që janë në kërkim policor, ndihmon të arratisen ata që janë të dënuar, ulet, drekon, darkon, bën pazare me kriminelët më të njohur të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Nga ana tjetër arreston, keqtrajton, dhunon, poshtëron qytetarët e pambrojtur. Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama në tre vite. Për njerëzit në nevojë ekonomike nuk ka ndihmë ekonomike, për pensionistët nuk ka rritje pensioni, për të papunët nuk ka shanse për punë, për të pambrojturit vetëm kërbaç, për kriminelët shqipëria është kthyer hambar droge.

Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas . Dhe ditën që mori pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij.

Në këtë gjendje ku është vendi sot kemi ardhur sepse Edi Rama ka shkelur, dhunuar, braktisur kontratën me qytetarët.

Qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë se çfarë ndodh nëse dikush prej tyre, dikush prej nesh nuk arrin të plotësojë dot fjala bie termat e kontratës me ujësjellësin apo me OSHE, çfarë ndodh?! Pritet uji, priten dritat, vijnë gjobat, vjen edhe policia.

Po me këta zaberhanë që ka prishur e shkelur kontratën me gjithë shqiptarët në këto tre vjet. Çfarë do të bëjë populli? Sot jemi përpara një detyre historike t’i prijmë këtij vullneti popullor dhe të rrëzojmë një orë e më parë shkelësin e kontratës, të inkriminuarin, të korruptuarin Edi Rama dhe skotën e tij në qeveri”, tha më tej, Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here