1 mln € për të dashurën, ja nga buronin paratë e ‘kamikazit të Sukthit’ që përplasi për vdekje 3 vajzat

0
274

Dashnor Deliallisi, “kamikazi” 36-vjeçar që shkaktoi aksidentin tragjik dy ditë më parë në afërsi të Sukthit, në superstradën e Tiranë-Durrës, ishte në vëzhgim prej disa kohësh nga Policia.

Ai ishte person i dyshuar për trafik droge dhe prostitucioni në shtetin belg. Madje, dy vite më parë, të dashurës së tij, shtetases Rovena Kalemi dhe një miku tjetër të saj, rezulton t’u kenë ardhur nga Belgjika një shumë prej mbi 1 milion eurosh, nga të cilat Prokuroria e Durrësit sekuestroi një vit më parë 850 mijë euro, shkruan “Panorama”.

Jeta luksoze dhe makinat e shtrenjta të çiftit bashkëjetues Deliallisi dhe vajzës së papunë që kishte në bankë 1 milion euro, dyshohet se përballoheshin me paratë e pista që vinin nga Belgjika, ku edhe ishin të lidhur me grupe kriminale.

“Panorama”, referuar burimeve të policisë shkruan se 36-vjeçari rezulton person me precedentë penalë dhe kërkohet nga autoritetet belge për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik lëndësh narkotike.

Lidhja me bashkëjetuesen e akuzuar për pastrim parash dhe jeta luksoze e tyre kishin ngritur dyshimet e policisë së Durrësit, e cila e kishte nën vëzhgim prej disa kohësh Deliallisin.

Në vitin 2011, rezulton se 36-vjeçari u arrestua në Durrës për vrasje të mbetur në tentativë, por pas disa kohësh ai u pa i lirë në këtë qytet, ndërsa më pas u largua drejt Belgjikës, ku nisi aktivitetet kriminale.

BASHKEJETESA

Nga të dhënat që disponon policia, Dashnor Deliallisi dhe Rovena Kalemi nga Xhafzotaj i Durrësit nuk ishin vetëm partnerë jete, por edhe në drejtime të tjera.

Ata ishin të përfshirë në një grup kriminal në Belgjikë dhe paratë e pista tentuan t’i pastronin në Shqipëri. Por Prokuroria arriti të bllokonte 850 mijë euro që ishin transferuar në emër të Rovena Kalemit, ndërsa 300 mijë euro ajo rezulton t’i ketë tërhequr nëpërmjet një mikut të saj. Prokuroria ngriti dyshime pas transfertës së 300 mijë eurove dhe bllokoi menjëherë transfertën e dytë prej 850 mijë eurosh.

Deliallisi dhe Kalemi, së bashku me një shokun e tyre dhe një shtetas belg, kishin ngritur rrjetin dhe infrastrukturën për pastrimin e parave që fitoheshin nëpërmjet prostitucionit dhe trafikut të drogës.

Sipas burimeve, paratë që transferoheshin nga shtetasi belg Eric Nyssen në emër të Rovena Kalemit, ishin të Dashnor Deliallisit, 36-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin tragjik që shkaktoi vetë, dhe u mori jetën edhe tri vajzave, shoqe me njëra-tjetrën, që ishin nisur për pushime në Greqi.

HETIMET

Transfertat në shifra marramendëse parash nga Belgjika në adresë të një të papuneje nga Xhafzotaj, bëri që Prokuroria e Durrësit të niste menjëherë hetimet për të zbuluar rrugën nga vinin këto të holla.

Lëvizjet e dyshimta financiare ndërmjet dy shtetasve shqiptarë dhe shtetasit belg detyruan Prokurorinë e Durrësit që të vendosë sekuestro preventive mbi llogarinë e shtetases Kalemi, e cila në shtator 2014 kishte para në bankë, në shumën rreth 850 mijë euro, pasi pjesën tjetër e kishin tërhequr për shpenzime personale. Sipas pretendimeve të tyre, shtetasja përfituese Rovena Kalemi kishte marrë prej mikut të saj nga Brukseli, Eric Nyssen, shuma të konsiderueshme parash, me qëllim blerjen e një apartamenti të përbashkët dhe hapjen e një biznesi privat në Shqipëri.

Kalemi dhe Nyssen ishin njohur në Belgjikë dhe kishin të vendosur të “bashkëjetonin” në Shqipëri (bashkëjetonte ndërkohë me Deliallisin në Belgjikë). Duke qenë se fillimisht Rovena Kalemi nuk kishte llogari bankare, dyshohet se Deliallisi i ka kërkuar shtetasit belg të dërgonte një pjesë të parave në emër të të njohurit të tyre, Bledar Coraj.

Këto para, shtetasi belg i justifikonte me trashëgimi nga prindërit dhe aktivitete tregtare në Belgjikë, ndërkohë që punësimi i tij zyrtar ishte infermier në një spital publik në Bruksel. Ai dyshohet se merrte përqindje nga paratë e pista që transferonte drejt Shqipërisë. Nga llogaria e tij në Belgjikë, Eric Nyssens i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të Rovena Kalemit, në Shqipëri brenda një harku kohor prej një muaji në 2014-n.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here